UPDATE- Kuvendi i Shqipërisë, pa praninë e opozitës ka miratuar projekt- ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar si dhe ligjin për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2011.
Me 72 vota pro nga deputetët e maxhorancës, i është dhënë OK, ndërtimit të kompleksit të ri Parlamentar, i cili ëhstë parashikuar të ndërtohet në vendin ku ngrihet sot Piramida.
Ndryshimet në buxhetin e vitit 2011 u votuan gjithashtu me 72 vota pro.
Diskutimet e maxhorancës
Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama që ai e quajti “harrami i Tiranës” për nisjen e një fushate shpifjesh, kundër kompleksit të ri parlamentar.
“Pyetja 1 milionë dollarëshe sot është sa do të jetë kostoja. Në fak një gjë është e sigurtë se kostoja do të jetë më e vogel, se ata para që ata vidhini në buxhetin e shtetit për të ndërtuar pallate, vila etj etj”- tha Strazimiri
Akuzat e opozitës, Strazimiri i quajti të padrejta.
“Nga subvencionet që ka marrë nga qeveria, donatorët, taksat, sa parlamente ka çuar dëm në 12 vjet. Këtë në fak nuk mund ta dimë, por do ta mësojmë shpejt, sepse Bashkia ka qenë institucioni i vetëm që nuk është audituar në këto vite”- tha ai.
Strazimiri ftoi deputetët në sallë që të votojnë ligjin, pasi për të, vendimi që do të merret sot do të bëjë secilin krenar.
Deputeti Enkelejd Alibeaj
Alibeaj, bëri një saktësim të ligjit. Ai tha se, ky është ligj që përmban procedurat për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, nuk është ligj për shkattërimin e Piramidës. Ky ligj ka kaluar të gjitha procedurat dhe filtrat, tha ai.
“Do të duhet të dimë që institucionet për të qenë dinjitoz kanë nëvojë për të qenë dinjtoz edhe në strehën që i mban ato. Ka edhe institucione të tjera që kanë nevojë për ndërhyje të vazhdueshme dhe të shpejtë”- u shpreh Alibeaj.
Sipas tij, Shqipëria është i vetmi shtet në këtë rajon, që nuk ka një Kuvend, ndërsa shtoi se “nuk mund të mbajmë një vend i cili mban brenda fantazmën e diktatorit.”
“Do të ndërtohet me paratë publike, nëpërmjet procedurave të prokurimit publik. Do të ndërtohet në atë vend që sot quhet pozicioni i mallkuar. Tek Piramida”- u shpreh Alibeaj.
Projektligji
Projektligji me 9 nene që pritet të miratohet sot, ka kaluar në pronësi të Kuvendit Piramidën, ndërsa vendos që prokurimi do të bëhet po nga Kuvendi, ndërsa prishja e Piramidës do të bëhet nga Inspektorati i Ndërtimit. Leja e ndërtimi do të jepet nga KRRTRSH-ja, dhe jo nga organet e Bashkisë dhe për më tepër kjo e fundit nuk do të marrë as taksën e ndikimit në infrastrukturë apo taksën për lejen e ndërtimit.
Projekti ende nuk ka një kosto përfundimtare dhe ky shqetësim u ngrit edhe nga vetë deputetët e PD-së në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Qeveria shqiptare po negocion me Arabinë Saudite për të siguruar grantin prej 100 milionë eurosh, por që ende nuk ka një kosto përfundimtare në lidhje me këtë projekt.
Kostoja e tij do të vendoset nga tenderi i hapur, ku kompania që do të ofrojë më pak për ta ndërtuar, do të fitojë të drejtën e ndërtimit. Gjithsesi, ende nuk ka një përgjigje nga Arabia Saudite në lidhje me këtë fond.
Godina e re do të ndërtohet mbi Piramidën dhe do të jetë gati në 28 nëntor 2012. Inspektorati Ndërtimor Kombëtar Urbanistik do të shembë Piramidën, por në ligj nuk përcaktohet një kohë kur do ta bëjë këtë. Firmat që do të kryejnë punimet do të zgjidhen me tender elektronik. Tenderi do të zhvillohet nga Kuvendi dhe procedurat e tij do të bazohen në Ligjin për prokurimin publik.
© Panorama.al











