Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, foli sot në studion e News 24 lidhur me seancën plenare që po zhvillohet sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku mazhoranca rrëzoi amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike për buxhetin 2025.
Baçi tha se deri më tani janë rrëzuar 30 amendamente të PD-së, pa arsye. Deputeti tha se PS mblodhi ditën e djeshme grupin parlamentar, ku u vendos që të rrëzonin sot në kuvend çdo amendamente të PD-së, pa i diskutuar.
Më tej ai tha se amendamentet e PD-së nuk janë populiste, siç pretendon mazhoranca, ndërsa theksoi se minimumi jetik 200 euro është domosdoshmëri.
Luan Baçi: Deri tashme kanë kaluar 30 amendamente të PD të gjitha të rrëzuara për arsye se PS në një mbledhje të grupit parlamentar që ka bërë dje ka marrë vendim politik që absolutisht as nuk do ti diskutojnë dhe se do t’i rrëzojnë. Amendamentet e Partisë Demokratike nuk janë populiste. Duhet të ishte një minimum jetik për të mos u tallur me pensionistë, me ata që marrin ndihmë ekonomike, përkrahje sociale, apo çfarë janë qytetarët që marrin kemp. Nëse do kishim minimum jetik 200 euro, asnjë pension apo ndihmë ekonomike nuk do ishte nën 200 euro. Rama na ka kthyer në “Republikë kryeministrore”. Rrëzojnë minimumin jetik, rrëzojnë subvencionet bujqësore. Qeveria do japë para për inceneratorin, kur inceneratori nuk ekziston. Propozimi ynë është që këto 1.3 milionë dollar, të mos jepen tek “inceneratori” se do vidhen e këto para të kalojnë tek përkrahja sociale. Qeveria nuk dërgon paratë tek të varfërit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al