Kuvendi privatizon 4 hidrocentrale

Jun 10, 2011 | 10:34

Kuvendi miratoi dje formulën e privatizimit për katër hidrocentrale në vend.Me 73 vota pro dhe pa praninë e opozitës në Kuvend, deputetët e maxhorancës i thanë po projektit për privatizimin e plotë ose dhënien me koncesion të hidrocentraleve të Ulzës, Shkopetit dhe 2 hidrocentraleve në Bistricë, që në total zënë një kapacitet sa 6 për qind e prodhimit kombëtar që jep KESH-i. Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, duke iu referuar akuzave të opozitës për këtë proces, u shpreh se privatizimi i këtyre pasurive publike do të jetë transparent dhe i hapur. Sipas tij, paratë e përfituara do të investohen direkt në vepra publike, të parashikuara për t’u ndërtuar gjatë këtij viti, ndërsa shtoi se qeveria do të ketë një konsulent ndërkombëtar për procesin e privatizimit, në mënyrë që të përfitojë sa më shumë nga ky proces. Njëkohësisht Naço u shpreh se nga privatizimi nuk do të përjashtohen ish-pronarët që do të kenë të drejtën e parablerjes dhe punonjësit e tyre mund të përfshihen lehtësisht. “Privatizimi do të jetë transparent dhe i hapur. Do të ftohen të gjithë të marrin pjesë, ish-pronarët me të drejtën e parablerjes, apo edhe punonjësit. Privatizimi i hidrocentraleve të mësipërme do ta liberalizojë edhe më tej sektorin e prodhimit të energjisë elektrike në vend, duke rritur konkurrencën në treg dhe duke krijuar hapësira të mëtejshme për pjesëmarrjen e investimeve të huaja në këtë sektor të rëndësishëm”, tha Naço. Në emër të Komisionit të Ekonomisë foli deputeti Gjok Uldedaj, i cili tha se “të ardhurat që do të përfitohen nga privatizimi i këtyre shoqërive do të përdoren për realizimin e investimeve të tjera publike, të parashikuara për vitin 2011”. Sipas tij, ky proces do të reduktojë kostot e mirëmbajtjes të shoqërisë “KESH”. Ai shpjegoi edhe formën e privatizimit, ose dhënies me koncesion të përdorimit të tyre. “Mënyra e privatizimit propozohet të kryhet nëpërmjet një konkurrimi publik të hapur dhe transparent të transferimit te të tretët të aksioneve ose të transferimit të të drejtave të zhvillimit të këtyre njësive me kontratë koncesioni”, tha ai.  Gjatë fjalës së tij edhe deputeti i PD-së Florian Mima u shpreh se ky proces është transparent. “Të tjerët bëjnë lloqe, ne bëjmë privatizime, të tjerët flasin pallavra, ne ndërtojmë rrugë. Me këtë që po them, e vetmja rrugë është që edhe kolegët e krahut tjetër të ecin në rrugën që ne po ndërtojmë, të bëhen pjesë e debatit për privatizimin e këtyre ndërmarrjeve”, tha Mima.

Vlera e HEC-eve, fitimi 12 milionë euro në vit

Katër hidrocentralet që pritet të privatizohen brenda këtij viti pritet të kenë një vlerë të konsiderueshme në treg. Sipas relacionit të projektligjit që u miratua në Kuvend për privatizimin e tyre, Hidrocentrali i Ulzës, ai i Shkopetit dhe 2 hidrocentralet në Bistricë, prodhojnë në total sa 6 për qind e prodhimit kombëtar që dha KESH-i vitin e kaluar. Ato kanë një fuqi të instaluar prej 82 megavatësh dhe nëse i referohemi vitit të kaluar, ku KESH fitoi rreth 200 milionë euro nga prodhimi i energjisë, atëherë këto hidrocentrale kanë dhënë një fitim prej 12 milionë eurosh vitin e kaluar. Sipas projektligjit, KESH pritet të reduktojë kostot e mirëmbajtjes deri në 3 për qind në total, duke e përqendruar vëmendjen te kaskadat e mëdha të vendit.

Braçe: Duhet të ishim në Kuvend
Deputeti i vetëm i PS-së që foli për procesin e privatizimeve të hidrocentraleve ishte Erjon Braçe, i cili kërkoi një ditë më parë që opozita të jetë në Kuvend dhe të kundërshtonte qeverinë për këto privatizime. “Vendimmarrja e Kuvendit do të shënojë një stad të ri në kufizimin gjithnjë e më të madh të pronës publike dhe shërbimit publik në këtë vend, si dhe do të ketë interes kombëtar. Angazhimet kur lidhen me interesa kombëtare, seriozitetin e marrin nga institucioni. Kur këto mungojnë, nuk tremb as laraskat”, ka thënë Braçe.

Shehu: Akuzat, spekulime të PS
Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, i cilësoi spekulime pretendimet e opozitës. Ai tha se nuk kanë për tu shitur këto pasur publike. “Nuk do të shiten pasuritë natyrore, siç është uji, nuk do të shitet baseni i krijuar në digën e këtij hidrocentrali, pra rasti duhet të jetë i qartë. Ose shitja e asetit, ose shitja e investimit, duke vënë në përdorim tek sektori privat me një kontratë të koncesionit. Prandaj po i theksoj këto, për të thënë që janë spekulime të pastra”, tha deputeti i PD-së Sherefedin Shehu.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura