
Kodi i ri miratohet me konsensus. Abstenojnë tre deputetët e LSI.
Mediu e Oketa kundër, Idrizi e Tahiri nga PDIU bojkojtojnë
Parlamenti finalizoi dje me konsensus draftin e amendamenteve të Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë respektuar marrëveshjen e arritur në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe këtë konsensus e kanë shprehur dje në votimin e draftit konsensual. Reforma zgjedhore u miratua dje me 127 vota pro, 2 vota kundër dhe 3 vota abstenim. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, pasi shprehu kundërshtinë për produktin e miratuar me konsensus nga PD dhe PS, këtë kundërshti e konkretizoi dhe me një “karton të kuq” gjatë votimit. Po ashtu dhe kryetari i Grupit Nismëtar të Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, ishte vota e dytë kundër. Kundër rrymës dhe konsensusit të arritur nga demokratët dhe socialistët ishte dje dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Ministri i ri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, e ka “inauguruar” karrigen ministrore me një votë abstenim dhe jo në favor të djathtës. Po ashtu dhe nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço dhe kryetari i Grupit të LSI-së, Lefter Koka, kanë abstenuar. Vetë kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nuk ka marrë farë pjesë në punimet e Kuvendit për të votuar për reformën zgjedhore. Ndërkaq, një tjetër mungesë jo pak e rëndësishme ishte dhe ajo e aleatit të Partisë Demokratike Shpëtim Idrizi, që së bashku me deputetin Dashamir Tahiri kanë lënë karriget bosh në shenjë “proteste”. Ndërkohë që edhe pse shprehu kundërshtinë e hapur për draftin e reformës zgjedhore, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, në fund votoi pro. Pas miratimit të reformës zgjedhore, kryetarja e Kuvendit ka falënderuar të pranishmit për kontributin e dhënë. Ky vendim i ligjvënësve është duartrokitur dhe nga diplomatët e pranishëm në sallën e Kuvendit. Dje në seancë ishte i pranishëm ambasadori i Amerikës, Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi dhe ai i OSBE-së, Eugen Volfarth. Pas votimit të reformës zgjedhore, Kryeministri Sali Berisha është larguar nga salla e Kuvendit, duke mos marrë pjesë në votimet e tjera. Po dje Parlamenti miratoi vetëm me votat e maxhorancës rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2011”. Rezoluta e KQZ-së kaloi vetëm me 70 vota pro të maxhorancës dhe 58 kundër të deputetëve të opozitës. Në këtë votim ra në sy fakti se aleatët e PD-së, si PR dhe LSI, kanë bashkuar sërish votat për vlerësimin e punës së KQZ-së. Ndërkaq, maxhoranca ka miratuar e vetme dhe rezolutën “Për raportin e prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2011”. Kjo rezolutë kaloi dje me 69 vota pro të maxhorancës dhe 58 kundër të opozitës dhe një votë abstenim të deputetit të çregjistruar nga Grupi i PS-së, Kastriot Islami.
Akuzat
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë fjalës në Parlament akuzoi dy partitë kryesore, se kanë shpërfillur kërkesat e “të vegjëlve”, duke mos ndërmarrë ndryshime në sistemin zgjedhor. Mediu deklaroi se: “Nuk di çfarë është realizuar dhe ndërhyrë për të garantuar votën e tyre. Mendimet e asnjërës parti politike, përveç PS dhe PD, nuk u morën në konsideratë. Për fat të keq, edhe një marrëveshje e realizuar nga 26 parti, ku firmëtarë ishin dhe Berisha e Rama, u hodh sikur të ishin pa vlerë. Por mendoj se me këtë rast kanë bërë të pavlerë pikërisht angazhimin e tyre në këtë marrëveshje. Të 26 partitë, jo vetëm nënshkruan një deklaratë politike, por përcollën pranë këtij Komisioni edhe propozime konkrete që nuk u konsideruan asnjëherë të vetme”, deklaroi Mediu. Edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, shprehu kundërshti për reformën e ndërmarrë nga PD dhe PS, por në të njëjtën kohë deklaroi votën pro. “Unë kam edhe një pyetje, skenarin festiv kush do e organizojë pas zgjedhjeve të ardhshme? Ne kemi votuar në mënyrë të përsëritur në mënyrë festive ndryshimet në Kod edhe në 2008-n, edhe më përpara. Jetojmë momente tejet pozitive që i ngjajnë muajit të mjaltit, por që shoqërohen me ditë të zeza pas zhvillimit të proceseve zgjedhore”, deklaroi Dule.
Ndryshimet
Pas votimit të reformës zgjedhore, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli lajmëroi deputetët se sot do të zhvillohet mbledhja për shqyrtimin e ndryshimeve kushtetuese. Mbledhja do të zhvillohet në ambientet ë Kuvendit në orën 10:00 të paradites. “Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore për shqyrtimin e projektligjit: Për disa ndryshime në ligjin nr. 841, datë 21.10.1998 ‘Kushtetua e Republikës së Shqipërisë’”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Votimet dje
Amendamentet e miratuara nga Komisioni i posaçëm parlamentar i Reformës Zgjedhore
Pro: 127
Kundër: 2 (Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa)
Abstenim: 3 (Nasip Naço, Lefter Koka dhe Vangjel Tavo)Rezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së KQZ-së për vitin 2011”.
Pro: 70
Kundër: 58Rezoluta “Për raportin e prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2011”.
Pro: 69
Kundër: 58
Abstenim 1 (Kastriot Islami)Ndryshimet në Kodin e Ri
9. Numërimi dhe rezultati
9.1 Kutia e materialeve zgjedhore nuk hapet në VNV, përveçse kur mungon procesverbali i mbylljes së QV;
9.2 KMZ hapen në proces ankimor sipas nenit 136 dhe 138 (me kërkesë të dy anëtareve)
9.3 Refuzimi për numërim të kutive ndëshkohet sipas Kodit Penal dhe duke shkarkuar menjëherë komisionarët;
9.4 KQZ nuk shpall rezultat zone zgjedhore pa numëruar gjithë kutitë e pranuara të rregullta;
9.5 Numërimi elektronik në vitin 2013 të përdoret në qarkun e Fier (12 % e vendit);
10. Administrata zgjedhore
10.1 KQZ -3 opozita / 3 maxhoranca dhe kryetari që zgjidhet pas një konkurrimi publik, seancë dëgjimore në Kuvend, dhe përmes një procedurë që kërkon dhe mbështetjen e opozitës dhe ku në fund na lind e drejta të skualifikojmë dy nga 4 personat që kanë marrë më shumë mbështetje në Komisionin e Ligjeve;
10.2 Rregullorja e KQZ të miratohet me 5 vota dhe jo më vonë se 60 ditë nga fillimi i punës i KQZ (aktualisht nuk ka rregullore dhe rregullorja e administratës është me 4 vota);
10.3 Anëtarët e KQZ të kenë mandat 6-vjeçar, ndërkohë që kryetari i KQZ-së zgjidhet për 4 vjet (2 nga anëtarët me short ripërtërihen pas tri vitesh);
10.4 Anëtaret e rinj të emërohen jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit (shtator 2012);
10.5 KQV do të përbëhet nga 7 persona, përfshirë dhe sekretarin;
11. Ankimimi në KQZ
11.1 Përmirësohen disa nga procedurat e ankimit në KQZ;
11.2 Palët në çdo kohë kanë të drejtë të kërkojnë ndryshimin e kërkimit kur kanë dalë fakte të reja;
11.3 Garantohet përfundimisht kërkesa e dy anëtarëve për prova (material në kuti) pa votim dhe diskutim në KQZ;
10. Ankimi në Gjykatë
10.1 Përmirësohen disa procedura të ankimit gjyqësor;
10.2 Anëtarët aktualë të Kolegjit Zgjedhor nuk hidhen më në short dhe përjashtohen.
Mediu: Pse votoj kundër
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh dje se Kodi i ri Elektoral nuk garanton barazinë e votës së qytetarëve dhe lë pa përfaqësuar në Parlament shumë prej tyre. Mediu pas deklaratës votoi kundër në Parlament. “Kjo marrëveshje ndërmjet PD dhe PS nuk është reformë zgjedhore. Kjo nuk u jep asnjë shans qytetarëve shqiptarë që me votën e tyre të gjykojnë dhe të vendosin se kush është e ardhmja. Unë mendoj se diskutimi ndërmjet partive të mëdha dhe partive të vogla në thelb ka të bëjë me raportin që ne duam të ndërtojmë me qytetarin shqiptar. Kjo votë bën që votuesi të mos e zgjedhë deputetin”, tha Mediu.
Dule: Jemi në Muaj mjalti
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, deklaroi dje se Partia Demokratike dhe ajo Socialiste po kalojnë muaj mjalti me konsensusin për reformën zgjedhore, por sipas tij e njëjta frymë është parë dhe në zgjedhjet e viteve të shkuara. Për Dulen, vendi duhet të zhvillojë një herë të vetme zgjedhje sipas standardeve. “Për të mos qenë edhe unë midis atyre që stigmatizohen të deklarohem se do të votoj pro ndryshimeve në Kodin Zgjedhor… Jetojmë momente tejet pozitive, që i ngjajnë muajit të mjaltit, por që shoqërohen me ditë të zeza pas zhvillimit të proceseve zgjedhore”, deklaroi Dule.
Oketa: Lojtarët luajnë arbitrin
Kreu i grupit nismëtar të FRD-së, Gazmend Oketa, ka dhënë dje arsyet se pse e ka hedhur votën e tij kundër ndryshimeve në Kodin Elektoral. Oketa tha se nuk bëhet fjalë për një Kod të ri, por vetëm për disa korrigjime dhe ky Kod nuk garanton barazi të votës. “Nuk bëhet fjalë për një Kod të ri, por për disa korrigjime teknike që nuk prekin thelbin, prandaj edhe vota ime ishte kundër. Duhet që në 2013-n forcat politike të krijojnë një reformë në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve, pasi kjo gjë nuk duhet të ishte më pronë e partive politike. Jemi një vend ku vetë lojtarët që luajnë në fushë bëjnë edhe arbitrin”, shtoi ai.
Berisha: Me këtë Kod nuk ka humbës, por vetëm fitues
Kryeministri vlerëson në Parlament punën e 7 anëtarëve të KQZ-së
“Të vegjlit të lexojnë tradhtinë e Ramës dhe besnikërinë time”

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje në Parlament me një fjalë që zgjati rreth 20 minuta miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Ai tha se ndryshimet në ligjin zgjedhor u përgjigjen problemeve të evidentuara deri tani në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe atyre të 2011. “Kodi Elektoral, fryt i një pune shumëmujore, serioze, të ekspertëve më të mirë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, të Komisionit Parlamentar të Reformës, ligj i cili adreson, u jep përgjigje një serie problemesh të evidentuara në testimin e ligjit të mëparshëm, i cili ishte 100% konsensual në germë dhe në frymë, por që në dy provat e mëdha, atë të zgjedhjeve të përgjithshme dhe zgjedhjeve lokale u evidentuan problematika që duheshin adresuar për t’u përsosur”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, ligji i miratuar në vitin 2008 ka meritën e përzgjedhjes së një sistemi zgjedhor që garantonte përfaqësim politik më të mirë se ai i mëparshmi. Në të njëjtën kohë Berisha tha se falë Kodit të miratuar me konsensus u mbajtën zgjedhje, që nga ndërkombëtarët u cilësuan si të pamanipuluara dhe me proces numërimi të rregullt. Megjithatë, për kreun e maxhorancës, ndryshimet e miratuara në Kodin Zgjedhor zgjidhin edhe disa situata të evidentuara në zgjedhjet e fundit. “Ligji adreson pra të gjitha rekomandimet dhe madje ndërhyn dhe në etapa të tjera, në momente te tjera, të cilat u gjykuan si të rëndësishme, të domosdoshme, nga ata ekspertë, do të them dhe një herë, të shkëlqyer kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të cilët punuan mbi këtë ligj, ndaj dhe unë dua t’u shpreh atyre mirënjohjen më të thellë, falënderimet e mia të përzemërta, sikundër dua të shpreh një mirënjohje dhe një falënderim të përzemërt për të 7 anëtarët e KQZ, të cilët kanë punuar me përkushtim, me ndershmëri, në kushte të paimagjinueshme, të vështira në momente te caktuara, por ata i qëndruan besnikë ligjit, i qëndruan besnikë detyrës, i qëndruan besnikë misionit të tyre”, u shpreh Kryeministri. Berisha vijoi më tej duke thënë se ndryshimet në Kod mund të bëheshin edhe dy vjet më parë, por shtoi se “Ligji është një dëshmi tjetër, është një histori në të cilën nuk ka të humbur, është një ‘ëin, ëin story’, është një histori në të cilën fitojnë të gjitha palët, është një shembull që duhet të frymëzojë forcat politike të vendit, të cilat nuk mund të udhëhiqen kurrë nga parimi “e tëra ose asgjë”, “me të ose mbi të”. Ky parim është parim tërësisht i papërshtatshëm në një vend demokratik me një shoqëri demokratike, në një sistem demokratik. Kurrë ndonjëherë, në një vend të tillë, në një sistem të tillë nuk mund të synohet të fitosh çdo gjë dhe tjetri të humbasë gjithçka”. Në fund, ai iu përgjigj edhe qëndrimit të aleatit të tij, Fatmir Mediu, i cili kishte deklaruar votën kundër ndryshimeve në Kod. “Së fundi, dy fjalë për aleatët. Po të kisha qenë sot në vendin e tyre, ju garantoj se ligjërata më të forta se ju mbajtën ata, do të mbaja kundër Sali Berishës dhe Edi Ramës, por një dallim duhet të bëj. Të gjithë ata të cilët duan të lexojnë traktate, libra, romane apo novela mbi dashurinë dhe tradhtinë, le të lexojnë historinë e aleancave të Edi Ramës me aleatët e tij dhe pastaj le të lexojnë besnikërinë e Sali Berishës ndaj aleatëve të vet. I garantoj aleatët se, në qoftë se nuk arrita të realizoj qëllimet e tyre të ndershme, ju garantoj besnikërinë time të palëkundur me një aleancë që do të fitojë në zgjedhjet e 2013-s”.
Deputetët e PDIU bojkotojnë miratimin e Kodit
PDIU: Kodi Zgjedhor lë në fuqi numërimin militantesk të votave
Deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, nuk ishin të pranishëm dje në Parlament kur u miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në një deklaratë për mediat, PDIU e cilëson vendimmarrje me arrogancë miratimin e Kodit. “Dy deputetët e PDIU-së nuk mund të votojnë një Kod Zgjedhor, i cili lë në fuqi sistemin e numërimit militantesk të votave, në kuadër të dëshirës së dy partive për të qenë jo administrues, por padronë fuqiplotë të proceseve zgjedhore. Dy deputetët e PDIU-së nuk mund të votojnë një sistem zgjedhor, i cili prodhon pabarazi në përfaqësimin e votave të qytetarëve, duke krijuar pragje artificiale të ndryshme nga qarku në qark, e që çmontojnë parimin e barazisë së votës”, thuhet në deklaratën e PDIU-së. Deputetët e kësaj partie vlerësojnë gjithashtu se nuk mund të votojnë një sistem zgjedhor, i cili është huazuar nga vende me tendenca rajonaliste.
Nishani përshëndet miratimin e Kodit
Presidenti i zgjedhur, Bujar Nishani, përshëndeti dje votimin nga Kuvendi i Shqipërisë dhe miratimin konsensual të Kodit të ri Zgjedhor. “Ky akt i përgjegjshmërisë dhe pjekurisë së klasës politike, si produkt i frymës së bashkëpunimit konsensual parlamentar, është një garanci e shtuar në shërbim të një prej proceseve themelore të demokracisë funksionale, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Presidenti i zgjedhur i Republikës, z. Bujar Nishani, shpreh besimin e tij të plotë për vijimin dhe konsolidimin e kësaj fryme mirëbesimi dhe bashkëpunimi midis maxhorancës e opozitës edhe në çështje të tjera të rëndësishme të reformave të kërkuara”, thuhet në deklaratën e kreut të ri të shtetit.
Fyle: Miratimi i Kodit, i rëndësishëm, reformoni Drejtësinë

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, ka përshëndetur dje në mesditë votimin në Parlament me konsensus të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Në një deklaratë për shtyp zëdhënësi i komisionerit Peter Stano shprehet se si maxhoranca qeverisëse dhe opozita duhet të përgëzohen për punën e mirë të përfunduar dhe për bashkëpunimin konstruktiv në këtë fushë. “Arritja e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme përbën një hap domethënës përpara në përmbushjen e marrëveshjes politike të nëntorit 2011, si dhe drejt arritjes së një prioriteti kyç të Opinionit. Megjithatë, reforma zgjedhore nuk është vetëm një nga prioritetet kyçe të Opinionit, por është esenciale në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 2013-s. Ne i bëjmë thirrje si maxhorancës qeverisëse edhe opozitës, të ndërtojnë mbi këtë zhvillim pozitiv dhe të përkrahin më tej dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin për plotësimin e punës në vazhdim për prioritetet e tjera kyçe të Opinionit, si dhe për të arritur një numër të madh rezultatesh brenda shtatorit. Reformat për Drejtësinë përbëjnë një faktor kyç drejt rrugë së integrimit në BE”, shprehet Stano. Sipas tij “Lidhur me këtë, votimi për reformën e sistemit të imuniteteve dhe për Gjykatën e Lartë, në përputhje me standardet europiane do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Ne inkurajojmë të gjitha palët të kontribuojnë drejt përpjekjeve të mëtejshme intensive në këtë kontekst, si dhe të tregojnë një sjellje konstruktive. Kjo është thelbësore për Shqipërinë, për të avancuar në rrugën drejt BE-së gjatë këtij viti”.
Volfarth: Tani vullnet për ta zbatuar
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, tha dje pas miratimit të Kodit: “kjo reformë ka për qëllim të kontribuojë për të siguruar që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të mbahen në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Edhe me një Kod Zgjedhor të përmirësuar, vullneti politik është një element i domosdoshëm për zbatimin e Kodit Zgjedhor, për krijimin e besimit në të gjitha nivelet – midis zgjedhësve, komisionerëve dhe politikanëve – dhe për krijimin e një mjedisi drejtësie dhe të respektimit të rregullave”.
FATION BINJAKU & ADI SHKEMBI
© Panorama.al











