Kuvendi miratoi dje me 71 vota pro dhe asnjë kundër futjen me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për regjistrimin e popullsisë.Pa praninë e opozitës, maxhoranca vendosi të shqyrtojë sa më shpejt në komisionet parlamentare e për t’i votuar në seancën e javës tjetër ndryshimet në ligj, që përcaktojnë kushtet për regjistrimin e popullsisë që do të nisë në muajin tetor. Ministri për Inovacionin, Genc Pollo, i cili ka propozuar ndryshimet në ligj, u shpreh se këto ndryshime hedhin poshtë, sipas tij, spekulimet në lidhje me këtë proces. “Spekulimet që kanë bërë personazhe të ndryshëm, me natyrën dhe përmbajtjen e këtij projektligji, janë thjesht të pavërteta”, tha Pollo. Sipas tij, të dhënat e përfituara do të jenë vetëm për efekt statistikash dhe aspak për t’u përdorur nga regjistri i zgjedhjeve apo për listat e zgjedhësve. Ministri Pollo nuk foli për formularin e regjistrimit, i cili mund të përmbajë edhe pyetjet për përkatësinë fetare dhe etnike, të cilat janë kundërshtuar nga shumë organizata dhe parti politike. “Projektligji që u përfshi sot në kalendarin e Kuvendit, është një përmirësim i ligjit të vitit 2000 për Censusin. Sipas ligjit të vitit 2000, kushtëzohet që të dhënat e Censusit, pra të dhënat që vilen me anketim, të hidhen në Regjistrin Civil dhe të marrin forcë ligjore. Sot, kjo gjë jo vetëm është e tejkaluar, por është edhe e dëmshme nëse do të zbatohet. 11 vjet më parë ne nuk kishim as Regjistër Kombëtar Civil të kompjuterizuar dhe as lista zgjedhore të nxjerra prej tij, që do të ishin të besueshme e të pakontestuara. Sot ia kemi arritur të kemi një Regjistër Kombëtar Civil ndër më të mirët në rajon dhe Europë, si dhe lista zgjedhore të besueshme. Pra, lidhja Census-Regjistër abrogohet me projektligjin e sotëm. Të dhënat e vjelura nga censusi do të kenë vetëm kuptim statistikor dhe nuk mund të lidhen me identitetin e personit apo të banesës”, tha Pollo. Ministri u shpreh më tej se një nen i projektligjit përcakton se çdokush që jep të dhëna të gabuara, do të gjobitet me 1 milion lekë të vjetra. “Projektligji parashikon edhe një gjobë prej 1 milion lekësh për këdo që shkel normat ligjore apo për cilindo që bën deklaratë të rremë në procesin e censusit. Gjithashtu, ka edhe dispozita të tjera që përmirësojnë standardet teknike të ligjit, sidomos ato të mbrojtjes së të dhënave personale”, tha ai.
Aleanca Kuq e Zi: Një komb, një pasaportë
Aleanca Kuq e Zi protestoi dje para Kuvendit duke kërkuar nga deputetët që të votojnë pro peticionit prej 20 mijë firma qytetarësh dhe të mos votojnë ligjin “Pollo”. “Bëjmë thirrje që Kuvendi i Shqipërisë të votojë urgjentisht kundër projektligjit “Pollo” dhe të votojë pro vullnetin e popullit”, thuhet në deklaratën e kësaj lëvizjeje. Kjo aleancë i kërkon Parlamentit shqiptar ndryshimin e menjëhershëm të Kushtetutës se vitit 1998 në dispozitat për dhënien e shtetësisë shqiptare. Aleanca Kuq e Zi kërkon me forcë dhënien e pasaportave shqiptare çdo qytetari me origjine dhe kombësi shqiptare kudo që jeton, si Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Greqi, Serbi apo në Diasporë. “Në këto kushte, edhe Shqipëria duhet të aplikoje këto standarde dhe të respektojë bashkëkombësit e vet. Është e turpshme që një shqiptar i Kosovës pajiset me pasaportë serbe brenda tre ditësh, ndërsa nuk i mundësohet marrja e pasaportës shqiptare”, thuhet në deklaratën e Aleancës Kuq e Zi. Kjo aleancë kërkon të realizojë nënshkrimin e një peticioni në çdo trevë shqiptare për të pajisur me pasaportë të shtetit amë çdo person që jeton brenda dhe jashtë kufive, që kanë kombësi shqiptare, kërkesën për ndryshime kushtetuese dhe regjim të ri juridik për marrjen dhe lënien e shtetësisë shqiptare si dhe respektimin e standardeve të Brukselit për pasaportat e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, duke mos u dhëne të drejtën e votës.
Projektligji
Regjistrimi i popullsisë në bazë etnike dhe fetare do të nisë në muajin tetor dhe cilido shtetas shqiptar që jep informacion të gabuar, do të gjobitet. Nëse ndonjë shtetas gënjen për kombësinë apo fenë e tij, nëse këto pyetje do të jenë në formular apo për çdo lloj informacioni tjetër, gjobitet me 100 mijë lekë. “Të gjithë personat me shtetësi shqiptare apo të huaj, si dhe personat pa shtetësi, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në momentin e censusit ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të japin informacionin e përcaktuar si të detyrueshëm në pyetësorët e censusit të popullsisë dhe të banesave, të miratuar nga Komisioni Qendror i Censusit”, thuhet në projektligj.
Tahiri: Regjistrimi etnik është antishqiptar
Deputeti i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Dashamir Tahiri, votoi dje pro projektligjit për regjistrimin e popullsisë që të shqyrtohet në mënyrë të përshpejtuar. Sipas tij, kjo forcë politike është pro regjistrimit, por mbetet kundër pyetjeve për përkatësinë fetare dhe etnike. Ai tha se ky do të ishte antishqiptarizmi më i madh që do të bëjë ky Parlament. “Ne do të votojmë ligjin për regjistrimin e popullsisë, por vetëm me një kusht; që nuk do të ketë në formular pyetje me vetëdeklarim të pabazuar në fakte dhe në prova për kombësinë dhe fenë. Nëse një ligj që përmban pyetje të tilla do të votohet, do të jetë antishqiptarizmi më i madh që do të bëj ky Parlament” – tha deputeti Tahiri. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka qenë forca e parë politike që ka kundërshtuar me forcë një regjistrim me pyetje me vetëdeklarim për kombësinë dhe fenë. Regjistrimi i popullsisë është një procedurë që çdo shtet e ndjek dhe kryhet në mbarë botën çdo vit të dytë të dekadës.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











