
Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare ka miratuar dje kërkesën e PS për kontroll.
Ngrihet grup pune për mbikëqyrjen e gradave në Ushtri.
Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare ka miratuar dje kërkesën e Partisë Socialiste për ngritjen e një grupi kontrolli parlamentar për Ministrinë e Mbrojtjes, për gradimet në Forcat e Armatosura.
Grupi i punës përbëhet nga katër deputetë, dy të opozitës, përkatësisht, Piro Lutaj dhe Armando Prenga, dhe dy të maxhorancës, Osman Metalla dhe Luan Skuqi. Kryetari i Komisionit të Sigurisë theksoi se fillimisht “hetimi” i grupit të punës do të kryhet për tri pika kryesore, që kanë të bëjnë me: “Mbikëqyrjen e gradave në Forcat e Armatosura të RSH në procesin e gradimeve të bëra nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, për vitet 2010-2011. Kontrolli dhe mbikëqyrja e planit të përhapjes së Forcave të Armatosura dhe ndryshimet strukturore që janë bërë dhe që pritet të bëhen në Forcat e Armatosura. Mbikëqyrja e paketës ligjore për funksionimin e Forcave të Armatosura në kodet e mjedisit të ri gjeopolitik pas anëtarësimit në NATO”, thuhet në kërkesën e deputetëve të opozitës.
Debati
Mbledhja e Komisionit u shoqërua me debate të ashpra për shkak se anëtarët e opozitës kanë kërkuar që pjesë e kontrollit që do të ushtrohet ndaj Ministrisë së Mbrojtjes të përfshihen dhe pesë pika të tjera që kanë të bëjmë me mbikëqyrjen e buxhetit të këtij dikasteri, kapacitetet operacionale dhe pajisjet e Forcave të Armatosura. “Mbikëqyrja e ndërmarrjes ‘MEICO’ dhe administrimi i fondeve që rrjedhin prej kësaj ndërmarrjeje në buxhetin Ministrisë së Mbrojtjes. Mbikëqyrja e funksionimit të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, të zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe objektivat e funksionimit konkret të tij. Mbikëqyrja e përmbushjes së detyrave që ka lënë Konferenca IV e Kartës së Adriatikut Shqipëri-NATO qershor 2011”, kërkoi socialisti Piro Lutaj. Por, për kryetarin e Komisionit, Leonard Demi, pikat e tjera do të realizohen hap pas hapi. Ndërkohë, Demi theksoi se ministri i Mbrojtjes do të raportojë para anëtarëve të Komisionit të Sigurisë në datën 18 maj për strategjinë dhe strukturimin e Forcave të Armatosura dhe planit të përhapjes së ushtrisë.
PS kërkon interpelancë me Arben Imamin
Partia Socialiste ka dorëzuar dje në Kuvend kërkesën për interpelancë me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, për shkarkimin e tre gjeneralëve nga Forcat e Armatosura dhe zbatimit të ligjit të gradave në Ushtrinë shqiptare. Deputeti i Partisë Socialiste, Piro Lutaj, i cili është kërkuesi i interpelancës në Parlament, e ka dorëzuar këtë kërkesë në protokollin e Kuvendit. Në shkresën drejtuar kryetares së Kuvendit, deputeti Lutaj thekson se interpelanca është në Rregulloren e Kuvendit, neni 96 i saj. “Thërritet për të dhënë shpjegime dhe paraqitur qëndrimin e qeverisë, zoti Arben Imami, ministër i Mbrojtjes, lidhur me zbatimin e legjislacionit mbi funksionimin e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë. Shënim në vëmendje të ministrit: Në interesin e kësaj interpelance përfshihet zbatimi i ligjit ‘Për Gradat’, ‘Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit’; zbatimi i ligjshmërisë në ndryshimet strukturore, administrimin e buxhetit në interes të objektivave të Forcës dhe i aseteve që dalin të lira nga riorganizimi i Forcat e Armatosura”, thuhet në kërkesën e deputetit Piro Lutaj.
Nisma e PS: Kufiri detar, raportim nga Nishani e Haxhinasto
Projektligji i PS-së për miratimin e një dispozite ligjore për caktimin e kufirit detar me vendet fqinje ka hyrë në axhendën e Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Dje, kryetari i Komisionit, Leonard Demi, theksoi se në datën 18 maj do të nisë shqyrtimi i këtij projektligji dhe të pranishëm për raportim do të jenë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Relator i caktuar për këtë nismë ligjore të PS-së do të jetë deputeti Gazmend Bizhga. Rrëzimi nga Gjykata Kushtetuese e Marrëveshjes me Greqinë për kufirin detar ka bërë, sipas opozitës, që dy vendet të mos kenë një vijë të përcaktuar. Për këtë qëllim, PS-ja ka propozuar që në nenin 3 të ligjit të miratuar nga qeveria në vitin 2008, të bëhet një ndryshim në të cilin thuhet: “Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj në një gjatësi prej 12 miljesh detare”.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











