Prej disa ditësh janë parë në derën e Ministrisë së Mbrojtjes disa deputetë të Partisë Socialiste, anëtarë të Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Ata kërkojnë të zbardhin një histori me Shërbimin Informativ të Ushtrisë, për të cilën pretendojnë se kanë të dhëna për një aferë me armët.
Kërkesa për të zbardhur çdo dyshim për afera të tilla mund të jetë e drejtë e kujtdo, e sidomos e një deputeti. Por a është një veprim i drejtë ai i këtyre deputetëve teksa kanë zënë derën e Ministrisë së Mbrojtjes?
Pikë së pari, mënyra se si qëndrojnë përballë këtij institucioni, duket se i zhvesh nga kostumi i ligjvënësit dhe i kthen në atë të kontrollit të dikurshëm punëtor, kur krijohej një presion mbi administratën, duke kërkuar “armikun e klasës”. Njëkohësisht, duke qëndruar ashtu përballë derës së këtij dikasteri, deputetët krijojnë një imazh të rëndë publik lidhur me modelin e zgjidhjeve të pretendimeve, pasi moskërkimi i rrugëve ligjore për të zbardhur një pretendim nga ai që është deputet, do të thotë të shtyjë qytetarët të kërkojnë drejtpërdrejt në institucione zgjidhjet e tyre, pa iu drejtuar anës ligjore, pa përfillur procedurat.
Do të ishte më normalja që dikush t’u thoshte përfaqësuesve të PS-së se ata janë deputetë, dhe nuk janë më ushtarakë e as anëtarë të ndonjë sindikate, që kërkojnë të dinë diçka nëpër zyra duke pyetur personalisht. Ata kanë Kuvendin si institucionin nga ku mund të kërkojnë politikat e ndjekura, ndaj dhe duhet të kërkojnë pikërisht rrugëzgjidhje përmes ligjeve, të cilat ata i kanë miratuar, apo kanë qenë pjesë e diskutimeve vetë.
Natyrisht, që marrëdhëniet me Kuvendin ata mund t’i kenë të kushtëzuara nga modeli që ka paraqitur kryesocialisti Rama lidhur me komisionet parlamentare, ku është paraqitur jo me dokumente por me megafon përballë deputetëve. Një e kaluar e tillë e bën të vështirë respektimin ligjor të institucionit të të zgjedhurve, ndaj shihet si e domosdoshme që deputetët më me përvojë në PS, e sidomos ata me përvojë institucionale në qeverisje, duhet t’u tregojnë kolegëve të tyre përgjegjësinë që ka një ligjvënës.
Ndërkaq, opozita, e cila ka në dorë të gjitha instrumentet e vënies në lëvizje të hetimeve institucionale, duhet të heqë dorë nga krijimi i mjegullnajës, pasi në një rrugë të tillë krijon përshtypjen se është thjesht për të bërë një zhurmë publike, por nuk ka qëllim thelbësor kontrollin. Ky model i zgjedhur e lë këtë forcë politike në mentalitetin e paraardhësve, ku kishte më rëndësi propaganda sesa zbatimi i ligjit. Ndoshta për modelin se si janë krijuar forumet më të fundit në PS, ku pas parimit “një anëtar një votë” nis procesi “vë atë që dua, e heq atë që dua”, siç ndodhi në rastin më të fundit me të zgjedhurit në FRESH, ku vota kombëtare bëhet e pavlefshme nëse nuk kalon nga duart e Erjon Velisë, domethënë të modelit të zgjedhur nga Rama, që ka kooptuar Velinë.
Ndaj, për të mos keqpërdorur mekanizmat demokratikë, aq më shumë kur pretendojnë se mund të jenë përgjuar – çka është edhe më e rëndë se akuza për korrupsion – deputetët e PS-së të vlerësojnë mandatin e tyre si ligjvënës, dhe t’u tregojnë shqiptarëve se kanë ndërmend të veprojnë sipas modelit demokratik dhe jo sipas kontrollit punëtor, apo të bashkimeve profesionale, ku fillimisht ngrihet hipoteza e një gabimi apo krimi, më pas ndërtohet strategjia se si të ndëshkohet dikush.
Shqiptarët kanë nevojë të shikojnë tek PS një forcë demokratike, që të japë garanci se, nëse vjen në pushtet, do të përdorë ligjin dhe jo propagandën, se do të respektojë institucionet dhe jo të kthehet në parti-shtet, për të ndërtuar më parë grupin armiqësor, e më pas të nisë me projektimin e dokumenteve për të vërtetuar atë që ka parë në ëndërr apo që ka dëgjuar se mund të ketë ndodhur. Në duhet të besojmë se kjo forcë politike e ka lënë pas njëherë e përgjithmonë mentalitetin e kontrolleve punëtore, e grupeve armiqësore të hamendësuara. Përndryshe, shqiptarët nuk kanë pse të besojnë në atë çka thonë ata për respektimin e të drejtave dhe lirive.
© Panorama.al












