Kutitë dhe KQZ, reforma zgjedhore drejt dështimit

May 15, 2012 | 12:52

Komisioni i Reformës Zgjedhore

Palët nuk kanë rënë as dje dakord për dy çështjet më të debatuara.

PD-PS, pa konsensus 24 orë para afatit të Komisionit.

Kur kanë mbetur edhe 24 orë kohë, Komisioni i Reformës Zgjedhore është në prag të dështimit. Kjo për shkak se shumica dhe opozita nuk po miratojnë dot dy dispozitat më të rëndësishme të Kodit, të cilat shërbyen edhe si burim mosmarrëveshjesh në zgjedhjet e fundit, hapjen e kutive dhe përbërjen e KQZ-së. Në mbledhjen e zhvilluar dje që zgjati rreth 90 minuta, anëtarët e Komisionit miratuan rekomandimet e bëra nga ODIHR për tre kapituj, mediat, financimin e partive dhe kandidimin në zgjedhje.
Kutitë dhe KQZ
Megjithëse Komisioni u mblodh për të miratuar disa dispozita, për të cilat ishte rënë dakord më parë, gjatë ditës së djeshme deri vonë janë zhvilluar negociata mes palëve për zgjidhjen e ngërçeve të krijuara. Shumica dhe opozita vazhdojnë të qëndrojnë të palëkundura në qëndrimet e tyre sa i përket veçanërisht KQZ-së. PS-ja ka propozuar që gjashtë anëtarët e KQZ-së të emërohen me variantin aktual, ku nga dy kanë partitë e mëdha dhe nga një, partia e dytë më e madhe e opozitës dhe partia e dytë më e madhe e maxhorancës. Ndërsa i shtati (kryetari) të jetë një kandidat i Gjyqësorit. Sipas opozitës, KLD-ja, Gjykata e Lartë, Avokati i Popullit dhe Dhoma e Avokatëve të propozojnë nga dy kandidatë. Parlamenti, nga tetë emra që do t’i vijnë, të zgjedhë dy prej tyre dhe ata t’i hedhë në votim. Varianti i dytë, sipas PS-së, është zgjedhja e kryetarit nga Presidenti. Maxhoranca nga ana e saj i ka vlerësuar këto propozime jo si në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Pika e dytë, konsensusi, është më i afërt, por ende po vonon për hapjen e kutive. Palët nuk po bien dakord për mënyrën se si do specifikohet kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së ose forcave politike, të cilat mund të kërkojnë hapjen e kutive. Në të njëjtën kohë dispozitat e tjera të kapitullit të ankimimit, ku do të përjashtohen nga shorti tetë gjyqtarët aktualë të Kolegjit, dhe partitë nuk do të kenë të drejtë të heqin kandidatë nga shorti, janë gati për t’u miratuar.
Rekomandimet
Në mbledhjen e djeshme u miratua edhe paragrafi për dorëheqjen e kandidatëve përpara zgjedhjeve. Kështu, zyrtarët që duhet të japin dorëheqjen, do të jenë gjyqtarët, prokurorët; ushtarakët e shërbimit aktiv; punonjësit e policisë dhe të Sigurimit kombëtar; përfaqësuesit diplomatikë; kryetarët e bashkive dhe të komunave për zgjedhjet në Kuvend; deputetët kur konkurrojnë për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore; prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre për zgjedhjet në Kuvend dhe për organet e qeverisjes vendore; kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve; Presidenti i Republikës; zyrtarët e lartë të administratës shtetërore të përcaktuar në ligj”. Gjithashtu u vendos që një në tre emra t’i përkasë secilës gjini. “Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Subjekti paraqitës i listës deklaron vendet sipas kuotës gjinore, me qëllim zbatimin e përjashtimit sipas pikës 1/1 të nenit 164″.

Nenet e miratuara
Neni 67/5
. Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Subjekti paraqitës i listës deklaron vendet sipas kuotës gjinore, me qëllim zbatimin e përjashtimit sipas pikës 1/1 të nenit 164.

Neni 63/4
. Përveç kushteve të parashikuara në pikën 3, nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen pa hequr dorë më parë nga detyra: gjyqtarët, prokurorët; ushtarakët e shërbimit aktiv; punonjësit e Policisë dhe të Sigurimit kombëtar; përfaqësuesit diplomatikë; kryetarët e bashkive dhe të komunave për zgjedhjet në Kuvend;  deputetët kur konkurrojnë për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore; prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre për zgjedhjet në Kuvend dhe për organet e qeverisjes vendore; kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve; Presidenti i Republikës; zyrtarët e lartë të administratës shtetërore të përcaktuar në ligj.

Berisha: Kreun e KQZ nuk mund ta propozojë as Totozani, as Topi

Berisha e Patozi dje në mbledhjen e Grupit të PD

Maxhoranca rrëzon publikisht propozimin e PS-së për zgjedhjen e kreut të KQZ-së. Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar demokrat, kreu i shumicës Sali Berisha tha se as Avokati i Popullit dhe as Presidenti nuk mund të propozojnë kryetarin e KQZ-së. “Në një vendim të drejtë e të arsyeshëm, ne vendosëm që Ombudsman-in ta propozojë opozita dhe kemi vepruar shumë drejt. Si “Avokat” i të drejtave të qytetarëve, më mirë të jetë prurje nga opozita sesa nga qeveria. Mirëpo, zoti Rama tani thotë që kandidaturat për kryetar KQZ-je t’i propozojë Ombudsman-i,  të cilin e zgjodhi me një konkurs 15-ditor në selinë e PS-së, nuk e bëri as në Parlament këtë konkurs. Natyrisht që kjo është një gjë qesharake, në kuptimin absolut të fjalës. Gjëra të cilat kërkojnë me çdo kusht të deligjitimojnë shumicën, janë absurde”, u shpreh Kryeministri në fjalën para deputetëve. Sipas tij, Avokati i Popullit është avokat i të drejtave të qytetarëve, por nuk u votua për të emëruar kryetarin e KQZ-së. “Kjo vetëm sa e rëndon këtë institucion dhe e politizon në mënyrën më të pamerituar. Ai vërtet ishte një prurje politike, por ai duhet të vazhdojë detyrat e tij shumë të rëndësishme për qytetarët. Së dyti, kur ne e hoqëm këtë specifikim në lidhje me Presidentin, unë ju garantoj se kjo nuk u hoq me paramendimin se do ishte z. Topi President apo do ishte dikush tjetër. Ne e hoqëm këtë, sepse nuk duhet të ketë Presidenti lidhje me këtë gjë”, tha me tej kreu i shumicës. Duke akuzuar opozitën se po bllokon qëllimisht reformën zgjedhore, Berisha tha se kjo ka të bëjë me mbledhjen që po zhvillon në Bruksel Këshilli i Ministrave të BE-së. “Nesër (sot) është mbledhja e Këshillit të Integrimit në Bruksel, që ne përfaqësohemi aty nga ministri i Jashtëm, ministrja e Integrimit etj. Ndërkohë, ai dje na nxori idenë e zgjedhjet së kryetarit të KQZ-së nga Ombudsman-i, ndoshta vetëm e vetëm që të mos thuhet nesër në këtë mbledhje se u kompletua reforma zgjedhore”.

Rama: “Berisha nuk ndahet dot nga Ristani”
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Ramës në “Twitter”, ku deklaroi se Berisha nuk ndahet dot nga Ristani. “Gjatë, shumë gjatë Kryeministri sot, shpif e shpif e nuk ndalon, duket në hall, s’ka faj, s’ndahet dot nga Ristani se s’ndahet dot nga pushteti i vjedhur!”, shkruan kreu i opozitës në faqen e tij në ‘Twitter’. Opozita është dakord që gjashtë anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të zgjidhen me formulën që është ende në fuqi, ku katër i përkasin dy partive të mëdha, PD-së dhe PS-së, dhe dy të tjerë dy partive të vogla të maxhorancës dhe opozitës në Parlament, që janë konkretisht Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Nga ana e saj PD-ja nuk ka bërë propozime për KQZ-në, por shprehet kundër variantit të propozuar nga PS.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura