Kushtetuta, Moisiu mbledh juristët

Jul 28, 2011 | 10:09

Dy ish-presidentët, Meidani dhe Moisiu, kanë nisur nga puna për të mbështetur ndryshimet kushtetuese. Dje, ish-presidenti Moisiu ka thirrur në një takim informal disa kostitucionalistë të njohur, si Luan Omari dhe Njazi Jaho, por  edhe disa ambasadorë, me të cilët ka diskutuar rreth
një platforme që do të çojë në propozime konkrete për të ndryshuar Kushtetutën e vendit. Propozimet do të bëhen të njohura në një konferencë
shkencore që pritet të zhvillohet në nëntor të këtij viti. Me të pranishmit
është diskutuar ndarja e punës dhe thirrja në këtë konferencë e personaliteteve të fushës kushtetuese, të cilët do të referojnë
këndvështrimet e tyre se cilat duhet të jenë çështjet që kërkojnë përmirësimin e Kushtetutës. Pritet që në fund të kësaj konference
të ketë një draft-propozim që do t’i paraqitet Parlamentit për të bërë ndërhyrjet e nevojshme në Kushtetutë. Diskutimi rreth ndryshimeve kushtetuese nisi pas deklaratës së Edi Ramës, i cili i quajti të gabuara ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të bërë mes maxhorancës dhe
opozitës me konsensus të plotë. Madje, kryesocialisti Edi Rama ka nisur konsultimet me ekspertë të njohur të jurisprudencës për ndryshimet
kushtetuese. Në listën e ekspertëve që janë programuar nga kreu i
selisë rozë, bien në sy personalitete të kësaj fushe, ish-drejtues të institucioneve të sistemit të drejtësisë. Fehmi Abdiu, Theodhori
Sollaku, Thimio Kondi, Sokol Sadushi, Luan Omari, Njazi Jaho janë disa nga emrat me të cilët kryesocialisti do të konsultohet dhe do të thithë mendimin e tyre lidhur me nevojat që ka Kushtetuta për t’u përmirësuar.
Mësohet se pas kontakteve të para telefonike me juristët e njohur, Rama
ka nisur takime me secilin prej tyre, ku po njihet me opinionet individuale të
tyre rreth një reforme më të gjerë që duhet të përfshijë Kushtetutën, përveç çështjes së Presidentit. Në një takim që Rama ka zhvilluar me Luan Omarin
dhe Njazi Jahon, u ka kërkuar atyre propozime konkrete se ku dhe si duhet
të ndryshojë Kushtetuta e vendit për të rregulluar balancat e prishura mes pushteteve dhe funksionimin e institucioneve të pavarura si Gjykatat Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe KLD. Muaji gusht do të ketë
takime të kreut socialist me kostitucionalistët e njohur, ndërsa në shtator pritet të mbahen edhe disa tryeza të hapura në përfundim të të
cilave do të përgatitet dhe një draft që do t’i paraqiten forumeve drejtuese të PS. Pak ditë më parë, kreu socialist u shpreh se me ndryshimet
kushtetuese të 2008- s ishte bërë gabim, ndërsa u shpreh i gatshëm për të
rregulluar gabimin e atëhershëm. “Të pendohesh do të thotë të kesh bërë një
mëkat, të reflektosh do të thotë se ke bërë një gabim. Nuk është përgjigje e lehtë, por mendoj se sa më shumë reflektojmë pasojat që ka
sjellë gjithë procesi i pasvjedhjes së zgjedhjeve të 2009-s, aq më shumë mund
të pranoj përfundimin se në ndryshimet kushtetuese jo gjithçka është bërë ashtu siç do të duhej bërë, duke konsideruar se sa larg është
pala tjetër, për shkak të Saliut në radhë të parë, nga çdo parim dhe nga çdo
vlerë etike dhe kësisoj sa larg jemi dhe ne të gjithë si shtet, si vend nga aftësia
për t’u vetëkontrolluar në raport me balancat mes pushteteve”, u shpreh
Rama gjatë një interviste televizive. Takim i dy presidentëve, Meidani dhe Moisiu, me kostitucionalistë vjen pak ditë pas takimit që
ata zhvilluan me Presidentin Topi, pas të cilit doli dhe një njoftim nga Presidenca rreth përmbajtjes së diskutimit mes tyre, pasi të cilit
Presidenca u shpreh se në qendër të takimit ishte kriza politike në vend dhe mungesa e dialogut. “Kryetari i Shtetit, Topi, dhe dy ishpresidentët,
Moisiu dhe Meidani, në bisedën e tyre të përqendruar kryesisht në
zhvillimet më të fundit në vend ndanë shqetësimin dhe mendime të përbashkëta se situata e rënduar politike jo vetëm që dëmton
demokracinë në vend dhe institucionet e saj, por vonon ecurinë e reformave
të saj gjithëpërfshirëse dhe plotësimin e dymbëdhjetë kërkesave të Bashkimit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat”, thuhej në njoftimin për mediat  të Presidencës.                                         ARISTIR LUMEZI

Gjiknuri, takime informuese në SHBA për zgjedhjet e 8 majit

Deputeti socialist, Damian
Gjiknuri, ndodhet në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës në një
mision sensibilizues për zgjedhjet
e 8 majit. Sipas “Top Channel”,
një video e publikuar në
faqen on line nga mbledhja e
Komitetit të Rregullave në Kongresin
Amerikan, ka fiksuar
momentin kur kongresmeni
Alce Hasting, i cili është dhe
anëtar i Komitetit të Helsinkit
të Kongresit, i bën një prezantim
në këtë Komitet deputetit
Damian Gjiknuri. “Zoti kryetar,
me lejen tuaj dua t’ju njoftoj
se sot në këtë seancë kemi
prezent deputetin nga Shqipëria,
zotin Damian Gjiknuri.
Dua të theksoj se në atë Parlament
ka njerëz të cilët janë
mbështetës të interesave amerikane,
siç është lufta kundër terrorizmit
në Afganistan, sikurse
dua të theksoj se marrëdhëniet bilaterale
mes dy vendeve janë të
shkëlqyera”, ka deklaruar kongresmeni.
Sipas të njëjtave
burime mediatike, Gjiknuri ka zhvilluar
disa takime në Kongresin
amerikan me personalitete të disa
komiteteve të rëndësishme, siç
janë Komiteti i Helsinkit, Komiteti
i Politikës së Jashtme të
Dhomës dhe Senatit, Komiteti i
Mbrojtjes, si dhe takime në Departamentin
e Shtetit. Mësohet se
temat e bisedave kanë qenë
zgjedhjet dhe kriza në Shqipëri,
si dhe roli që mund të luajë politika
amerikane për zgjidhjen e
krizës dhe hapat që do të ndërmarrë
opozita në shtator. Pak ditë më
parë, deputeti socialist, një nga
hartuesit e Kodit Zgjedhor dhe
njeriu që mban kontakte mjaft të
mira me ndërkombëtarët në Tiranë
dhe jashtë saj, zhvilloi
takime në prezencën e OSBE-së
në Tiranë me ambasadorin e saj
Eugen Volfarth.

© Panorama.al

Te lidhura