
Projektligji i maxhorancës, që kërkon ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, deputetëve dhe gjyqtarëve, është përfshirë zyrtarisht dje në axhendën e Kuvendit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit ka thirrur dje Konferencën e Kryetarëve për të hartuar kalendarin e shqyrtimit të nismës së deputetëve të Partisë Demokratike, për heqjen e imunitetit që është dorëzuar në protokollin e Kuvendit në datën 6 korrik. Konferenca e Kryetarëve përcaktoi dje datën 6 gusht si datë për shqyrtimin e nismës ligjore të kufizimit të imunitetit dhe kalimin e saj për votim në seancë plenare. Rregullorja e Kuvendit imponon që nisma për ndryshimin e Kushtetutës të shqyrtohet jo më herët se dy javë nga depozitimi i saj në Parlament. Për këtë arsye, Konferenca e Kryetareve caktoi datat 20 dhe 21 korrik, menjëherë sapo nis koha ligjore, si data për shqyrtimin e nismës dhe zhvillimin e seancave dëgjimore me konstitucionalistët. Rregullorja përcakton se trupa që shqyrton amendamentet kushtetuese përbehet nga Këshilli Legjislativ dhe Komisioni i Ligjeve, që në përfundim të shqyrtimit i dërgon Parlamentit një raport me mendimin e shumicës dhe pakicës, nëse ka një të tillë. Burime pranë Konferencës së Kryetarëve bëjnë të ditur se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka kërkuar që procesi i ndryshimit të Kushtetutës për nismën e kufizimit të imunitetit të hyjë në rrugë ligjore. Ruçi nuk ka shprehur objeksione në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve, pasi diskutimi ka qenë i karakterit procedural.
Rregullorja
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve drejtori i Shërbimit të Legjislacionit, Lulzim Lelçaj, lexoi dje Rregulloren e Kuvendit, nenet 77/a dhe 77/b, që parashikojnë se: “Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit njofton Kuvendin në seancën plenare më të parë dhe u shpërndan deputetëve tekstin e projektligjit. Projektligji futet menjëherë në programin e punës së Kuvendit. Projektligji shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin, jo më parë se dy javë nga data e depozitimit. Seanca plenare për miratimin e amendamenteve kushtetuese thirret jo më parë se dy javë dhe jo më vonë se tri javë nga paraqitja e raportit. Në mbledhjen e parë caktohen jo më pak se dy relatorë. Mbledhja vendos për mënyrën e njohjes së projektit nga zgjedhësit, si dhe thirrjen e ekspertëve konstitucionalistë të fushës”.
Fation Binjaku











