Gjykatat, për të vlerësuar dëmet që shkaktohen nga aksidentet duhet t’i referohen ligjit dhe jo interpretimeve të tjera subjektive. Duket pak paradoksal, por vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese sqaron pikërisht këtë përplasje ligjore që i ka kushtuar miliona lekë shoqërive të sigurimeve. Në vitin 2007, me një vendim unifikues, Gjykata e Lartë vendosi që hapësirat në ligj për dëmshpërblimin e palëve të treta të interpretoheshin nga gjykatësit sipas rasteve. Ky vendim i Gjykatës së Lartë u pasua me dhjetëra vendime nga gjykatat e shkallëve të tjera, të cilat bënin dy interpretime të ndryshme me vlera monetare të ndryshme për të njëjtin rast sigurimi. Në vitin 2009, Kuvendi miratoi një ligj të ri për sigurimet, i cili plotësoi të gjitha hapësirat e ligjeve të mëparshme. Por edhe pas këtij ligji të ri, gjykatësit e kishin të vështirë të interpretonin vlerën e dëmit, pasi kishin përpara edhe ligjin e Kuvendit edhe vendimin e Gjykatës së Lartë. Pas vendimit të djeshëm të Kushtetueses, do të jenë tabelat e ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, të vitit 2009, ato që do të shërbejnë si referencë për pagesën e dëmeve nga shoqëritë e sigurimit.
PROBLEMI
Në vitin 2007, Gjykata e Lartë, me vendim unifikues vendosi që në raste të caktuara, ku ligji për sigurimin e detyrueshëm nuk përcaktonte qartë vlerën e dëmit, të ishin gjykatësit ata që do të vlerësonin se sa do të ishte vlera e dëmshpërblimit. Bëhet fjalë për dëme ndaj të tretëve, si rastet kur në aksidente ka plagosje apo vdekje dhe personat e dëmtuar nuk kanë të siguruar jetën apo shëndetin. Në shpjegimin e vendimit, Kushtetuesja tregon se Gjykata e Lartë, nisur nga qëndrimet e ndryshme të gjykatave për sa i përket zbatimit të ligjit lidhur me rrethin e personave të dëmtuar, të drejtën e përfitimit të dëmshpërblimit për dëmet jashtëkontraktore dhe mënyrën e llogaritjes së tij, veçanërisht atij jopasuror, vlerësoi se kishte vend për të mbajtur një qëndrim të unifikuar në lidhje me këto çështje. Në kohën kur Gjykata e Lartë mori vendimin, ligjet kishin hapësira interpretimi dhe gjykatat për çështje të caktuara merrini vendimi të ndryshme. Në vendimin unifikues të shtatorit 2007, Gjykata e Lartë i dha një hapësirë shumë të madhe vlerësimit të gjyqtarëve për dëmin që duhet të paguhet nga shoqëritë e sigurimit. “Gjykatat duhet të mbështeten në vlerat përkatëse të përcaktuara nga aktet ligjore në fuqi, dhe vetëm në mungesë të këtyre kritereve tabelare ato vendosin sipas bindjes së tyre, duke lënë të lirë mundësinë e përcaktimit të masës së dëmshpërblimit rast pas rasti”. Pikërisht kjo hapësirë, e gërshetuar edhe me abuzimet që bëjnë vlerësuesit e dëmit, çoi në një rritje shumë të madhe të masës së dëmshpërblimit.
PËRPLASJA
Në vitin 2009, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e ri për siguracionet. Ky ligj, ndryshe nga ligjet e mëparshme, i ka të përcaktuara qartë të gjitha llojet e dëmit që duhet të paguajnë shoqëritë e sigurimeve. Udhëzimet që shoqëruan këtë ligj kanë detajuar në tabela të gjitha dëmet e janë përcaktuar edhe rastet kur duhet përfituar dëmshpërblimi. Por, gjykatat në vend vazhdonin të interpretonin, sipas rastit, jo në bazë të ligjit të miratuar nga Kuvendi në vitin 2009, por në bazë të vendimit unifikues të miratuar nga Gjykata e Lartë në vitin 2007. Ankesën në Gjykatën Kushtetuese e ka bërë Gjykata e Shkallës së Parë, e cila për një rast dëmshpërblimi nga një aksident me pasojë vdekjen, nuk mund të merrte vendim, pasi edhe ligji edhe vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë kanë të njëjtën vlerë për gjykatat e shkallëve më të ulëta.
ZGJIDHJA
Kushtetuesja, në interpretimin e kërkesës së Gjykatës thekson qartë se për të marrë një vendim gjykatësit duhet t’i referohen ligjit dhe jo vendimit unifikues. Ajo arsyeton se ligji i ri, i vitin 2009, i ka mbushur hapësirat që kishin ligjet e tjera të viteve të mëparshme. Në këtë mënyrë, zbatimi i vendimit unifikues do të ishte jo i nevojshëm. Kushtetuesja thekson se ligji i ri, ai i viti 2009, ka pasur si synim rregullimin e plotë të fushës së sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, duke parashikuar detyrimet e siguruesit dhe të të siguruarit, kushtet dhe tarifat e sigurimit të detyrueshëm, të drejtën e palës së dëmtuar të paraqesë kërkesë për dëmshpërblim, procedurën dhe afatet për rregullimin e shpërblimit të dëmeve, përgjegjësinë e shoqërisë së sigurimit dhe shumën e siguruar (kufiri i mbulimit) sipas figurave të dëmit etj. Sipas Kushtetueses, ligji përcakton tashmë edhe kriteret tabelore ligjore, ku duhet të mbështeten gjykatat për përcaktimin e vlerës së dëmshpërblimit, të cilat mungonin në momentin e daljes së vendimit unifikues. “Ligji i ri, duke bërë një rregullim specifik të formulës së llogaritjes, ka vendosur rregulla të përgjithshme për çdo subjekt sigurimi dhe standarde të njëjta në trajtimin e vlerësimin e pagesave të dëmeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Me këtë ligj të posaçëm ligjvënësi plotësoi boshllëqet ligjore që ekzistonin në këtë fushë, që nxitën dhe sollën nevojën për interpretimin e disa dispozitave të përgjithshme të Kodit Civil nga ana e Gjykatës së Lartë”.
NERTILA MAHO
© Panorama.al










