Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin mbi kërkesën e 35 deputetëve të PD-së për kohëzgjatjen e mandatit të anëtarëve të kësaj gjykate.Me një vendim prej 17 faqesh, Gjykata shprehet se Presidenti i Republikës duhet të bashkëpunojë me Parlamentin për të miratuar figura me kualitete të larta për qenë anëtarë të saj. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese është shprehur edhe për ripërtëritjen e saj, në një kohë kur në Parlament kanë mbetur të “ngrira” katër dekrete të Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ky vendim u mor 8 me 1 në favor të kërkesës së PD, ku kundër u shpreh vetëm Vladimir Kristo, ish kryetar i kësaj Gjykatë dhe ish zv.ministër i Drejtësisë deri në vitin 2006. “Interpretimin e nenit 125/2 të Kushtetutës, si vijon: Gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë janë interpretuesit e parë të normës kushtetuese, prandaj, bazuar në parimin e luajalitetit kushtetues, duhet të bashkëpunojnë për përcaktimin e kritereve ligjore në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë, për të siguruar një përbërje cilësore të kësaj gjykate”, thuhet në pikën 1 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në lidhje me këtë pikë, Gjykata Kushtetuese shprehet në pikën 25 të argumentit të saj, se “Gjykata rikonfirmon qëndrimin e saj se pëlqimi që kërkojnë normat e mësipërme kushtetuese, nënkupton një lloj konsensusi midis dy organeve kushtetuese që përfshihen në procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Pjesëmarrja e Kuvendit në këtë proces ka për qëllim balancimin e kompetencës së Presidentit në emërimin e gjyqtarëve, dhe kjo vjen në harmoni edhe me parimin e ndarjes dhe të balancimit ndërmjet pushteteve, të parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës. Në këtë vështrim, pjesëmarrja e Kuvendit në procesin e emërimit të gjyqtarëve, që shkon tej një kontrolli juridik të procesit, është në harmoni të plotë me natyrën politike të këtij organi”.
Në lidhje me ndërrimin e katër anëtarëve, Gjykata shprehet se këtë gjë duhet ta vendosë Parlamenti, por domosdoshmërisht duhet të ruhet kushti kushtetues që ripërtëritja e Gjykatës të bëhet njëherë në tre vjet dhe nga tre anëtarë. Në një kohë kur në këtë gjykatë duhet të ndërroheshin 6 anëtarë në pak muaj dhe kur janë ndërruar vetëm dy, Gjykata Kushtetuese shprehet se shumica prej dy të tretave e Gjykatës duhet të ruhet. “Interpretimin e nenit 125/3 të Kushtetutës, si vijon: Parashikimi i nenit 125/3 të Kushtetutës përbën një parim organizativ, i bazuar në veçoritë specifike të procesit kushtetues dhe që ka për qëllim ruajtjen në përbërje të Gjykatës Kushtetuese të një shumice prej dy të tretave të anëtarëve në detyrë, duke bërë të mundur krijimin e një përvoje juridike të posaçme në fushën e gjykimit kushtetues. Kjo përvojë e përftuar nga Gjykata, duke qenë se ka një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e vendimmarrjes së saj, konsiderohet një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta”, vendosi Gjykata Kushtetuese. Në pikën 36 të arsyetimit të saj, Gjykata shprehet se “në përfundim të këtij arsyetimi, Gjykata thekson se respektimi dhe zbatimi i parashikimit kushtetues të përtëritjes së përbërjes së saj çdo tre vjet, në një të tretën e anëtarësisë, paraqet rëndësi të veçantë në kuptim të ruajtjes dhe forcimit të pavarësisë dhe vazhdimësisë së këtij organi”.
Tre gjyqtarët me mandat 12-vjeçar
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë një mandat prej 9 vitesh. Por, në një kohë kur ndërrimi i tyre duhet të bëhet një herë në tre vjet dhe jo më shumë se 3 anëtarë, duket se tre prej tyre, që kanë plotësuar mandatin 9-vjeçar, mund të qëndrojnë në detyrë edhe tre vjet të tjera, për të siguruar plotësimin e këtij kriteri. Deri tani janë ndërruar dy anëtarë nga Kuvendi dhe nëse do të votohej ndonjë dekret tjetër, atëherë do të zëvendësohej anëtari Sokol Sadushi. Më pas, anëtarët Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Adrian Thanza mund të përfitojnë edhe tre vjet mandat.
Kristo, kunder
Ish-kryetari dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, është i vetmi që ka votuar kundër kërkesës së Grupit Parlamentar të PD-së. Në arsyetimin e tij prej disa faqesh, ai thotë se “jam i mendimit se çështja e plotësimit të kritereve ligjore që lidhen me meritën e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë del jashtë juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese dhe, si e tillë, kërkesa duhej rrëzuar si e pabazuar edhe në këtë pjesë të saj. Është kompetencë ekskluzive e Kuvendit që nëpërmjet ndërhyrjeve në Kushtetutë dhe, në pamundësi të tyre, të ndërhyrjeve në ligjet organike të të dyja gjykatave, të përmirësojë apo përsosë më tej kuadrin ligjor në funksion të meritës të kandidatëve për anëtarë në këto institucione kushtetuese”.
Përplasja Presidencë-Parlament\
Verën e kaluar, institucioni i Presidencës dhe maxhoranca në Parlament u përfshinë në një debat në lidhje me emërimin anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Maxhoranca fillimisht emëroi në Gjykatën Kushtetuese Bashkim Deden dhe Altina Xhoxhajn, ndërsa rrëzoi Vangjel Kostën. Nga ana tjetër, maxhoranca rrëzoi disa kandidatura për në Gjykatën e Lartë, duke miratuar vetëm Fatmir Hoxhën dhe Medi Bicin. Ndërkaq, kur mbetën edhe 7 dekrete për t’u miratuar, 3 në Gjykatën e Lartë dhe 4 për në Kushtetuese, PD i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të shprehej në lidhje me marrëdhënien Presidencë-Parlament për dekretet në këto gjykata, si dhe për ripërtëritjen e Gjykatës Kushtetuese.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











