Kushtetuesja ridënon Boriçin

Aug 22, 2011 | 11:34

Gjykata Kushte-tuese ka lënë në fuqi dënimin për Enver Boriçin, njërin nga anëtarët e bandës së Lushnjës, i akuzuar për shkatërrim të pronës me zjarr dhe dhunim të varrezave.Pak ditë më parë Kushtetuesja ka lënë në fuqi dënimin me dhjetë vjet burg për anëtarin e bandës së Lushnjës duke rrëzuar pretendimet me të cilat ai kishte kërkuar rrëzimin e çështjes. Pesë argumentet e padisë janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese me argumentin se nuk janë paraqitur prova të mjaftueshme dhe pretendimet nuk kanë qenë të bazuara. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në procesin pranë kësaj gjykate, i akuzuari është përfaqësuar nga avokati Vladimir Meçi, ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme, si palë e interesuar, nuk ka marrë pjesë. Në padinë e tij, anëtari i bandës së Lushnjës, Enver Boriçi, ka kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimeve të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe vendimit nr. 61, datë 26.12.2007 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Më datë 26.12.2007, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka vendosur dënimin e Enver Boriçit me 12 vjet burg për kryerjen e veprave penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale; të shkatërrimit të pronës me zjarr, të dhunimit të varreve. Ky vendim është shqyrtuar nga Gjykata e Apelit më për Krime të Rënda më 20 mars 2008, ku është vendosur lënia në fuqi e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë përsa u takon veprave penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe të shkatërrimit të pronës me zjarr, dhe është prishur vendimi për veprën penale të dhunimit të varreve. Në përfundim, Apeli e ka dënuar Enver Boriçin me 10 vjet burgim. Në mars 2010, Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, duke e lënë këtë vendim në fuqi. Përfundimisht, Enver Boriçi është dënuar me dhjetë vjet burg, por këtë dënim ai e ka animuar në Gjykatën Kushtetuese me pretekstin se procesi ka pasur shkelje të rënda.
Ankesat
Në padinë e bërë në Gjykatën Kushtetuese, avokati i Enver Boriçit ka pretenduar se ndaj klientit të tij është shkelur parimi i paanshmërisë së gjykatës në gjykimin e çështjes, pasi në Apel, në përbërje të trupit gjykues, ka marrë pjesë një gjyqtare, e cila nuk duhet ta gjykonte çështjen (gjyqtarja S. D.). Ajo gjyqtare ka marrë pjesë në gjykimin e E. C., i akuzuar për pjesëmarrje në të njëjtën organizatë kriminale për të cilën është akuzuar më pas edhe kërkuesi. Sipas padisë, gjyqtarja S. D., në gjykimin ndaj Boriçit, ka përdorur si provë një vendim të dhënë (vendimin kundër E. C.) nga vetë ajo për akuzën e pjesëmarrjes në organizatë kriminale. Në të njëjtat kushte papajtueshmërie ka qenë edhe gjyqtari F. P. në Shkallë të Parë, pasi ai ka marrë pjesë në një gjykim tjetër me objekt sekuestrimin e pasurive të vëna në kuadër të organizatës kriminale të Aldo Bares. Enver Boriçi është deklaruar fajtor si pjesëmarrës dhe anëtar i kësaj organizate. Avokati këtë pretendim e ka paraqitur në gjykimin në Apel, pasi në këtë gjykim u pranuan si prova aktet që lidhen me sekuestrimin e pasurive, gjykim i gjykuar nga gjyqtari F. P. Edhe gjyqtari A. L. është në të njëjtat pozita si gjyqtari F. P., pasi ai ka gjykuar në Apel çështjen që ka të bëjë me sekuestrimin e pasurisë më lart duke lënë në fuqi vendimin e gjyqtarit F. P. Në padi është pretenduar edhe se Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit për Krime të Rënda i janë referuar dëshmisë së dhënë nga dëshmitari M. H., dëshmitar, i cili nuk ka detyrimin për të dëshmuar, pasi ai është kushëri i afërt i njërit prej  anëtarëve të bandës. Në padi gjithashtu është pretenduar se fillimi i çështjes ndaj kërkuesit është bërë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, pasi hetimi ka vazhduar përtej afateve maksimale (2-vjeçar) të parashikuara në ligj. Po ashtu, në padi pretendohet se gjykatat kanë gabuar që e kanë gjetur fajtor kërkuesin për veprën penale të dhunimit të varreve, pasi kjo vepër është parashkruar. Kjo vepër ka ndodhur në vitin 1998.

Pretendimet në padi

– Është shkelur parimi i paanshmërisë së gjykatës në gjykimin e çështjes: Në gjykimin në Apel, në përbërje të trupit gjykues ka marrë pjesë një gjyqtare, e cila nuk duhet ta gjykonte çështjen  (gjyqtarja S. D.).
– Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit për Krime të Rënda i janë referuar dëshmisë së dhënë nga dëshmitari M. H., dëshmitar, i cili nuk ka detyrimin për të dëshmuar, pasi ai është kushëri i afërt i njërit prej të bashkëpandehurve.
– Është cenuar parimi i mosgjykimit dy herë për të njëjtën vepër. Me vendimin penal nr. 289, datë 21.12.2001, Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur  pushimin e gjykimit për akuzën e krijimit dhe pjesëmarrjen e kërkuesit në një bandë të armatosur, pasi nuk vërtetohet fajësia.
– Fillimi i çështjes ndaj kërkuesit është bërë në kundërshtim me dispozitat e KPP-së dhe hetimi ndaj tij ka vazhduar përtej afati maksimal (2-vjeçar).
– Gjykatat kanë gabuar që e kanë gjetur fajtor kërkuesin për veprën penale të dhunimit të varreve, pasi kjo vepër është parashkruar.

Boriçi në djegien e banesës së biznesmenit

Sipas vendimeve gjyqësore për bandën e Lushnjës, i ridënuari nga Kushtetuesja pak ditë më parë, shtetasi Enver Boriçi, ka marrë pjesë në veprimet e bandës së Lushnjës që në fillimet e saj. “Fillimisht në bandën e Lushnjës u mblodhën të pandehurit Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Boriçi, Enver Boriçi dhe Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të të pandehurit Aldo Bare e vëllait të tij, Ramadan Shkurti, të vrarë më parë. Ngjarja për të cilën është dënuar Enver Boriçi ka ndodhur në gusht të vitit 1998, kur është djegur me anë të zjarrit banesa e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Persona të armatosur, mes tyre edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Erion Cici, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina, në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, Aldo Bare, Enver Dondollaku dhe shtetasin e vrarë Leonard Prifti, ditën e ngjarjes kanë shkuar në shtëpinë e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Pasi nuk kanë gjetur personat që kërkonin, ata i kanë vënë zjarrin shtëpisë dhe kanë marrë me vete disa nga banorët. Ngjarja në fjalë është e lidhur me një ngjarje tjetër e ndodhur në Lushnjë, në të njëjtën ditë. Paraditen e ditës së ngjarjes është bërë goditja me antitank e një makine në Sul Zotaj, Lushnjë, ku ndodhej edhe drejtuesi i grupit kriminal, i pandehuri Alfred Shkurti. Në vendngjarje ka qenë edhe furgoni i shtetasit Shkëlqim Haxhiu, nga ku është qëlluar me antitank dhe armë zjarri në drejtim të makinës ku ndodhej i pandehuri Aldo Bare dhe pjesëtarë të tjerë të bandës së tij.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura