Rrëzohet vendimi i Kolegjit Penal, që nuk legjitimoi padinë e familjarëve të viktimave.
“Gjykata e Lartë duhet të japë drejtësi për Gërdecin”
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje një vendim të Gjykatës së Lartë për të mos legjitimuar dy të mbijetuar të tragjedisë së Gërdecit, të cilët kërkuan procedim penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Me shtatë vota pro (njëra prej të cilave me mendim paralel) dhe një kundër të Vitore Tushës, anëtarët e Kushtetueses vlerësuan se vendimi për mosfillimin e procedimit penal është kompetencë ekskluzive e organit të Prokurorisë. “Duke marrë një vendim të tillë, për mosfillimin e procedimit penal, Gjykata e Lartë i ka atribuuar vetes një kompetencë, e cila jo vetëm që nuk i njihet nga ligji, por njëkohësisht i ka cenuar edhe pozicionin e saj si organ që realizon me paanshmëri dhënien e drejtësisë”, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese. Më tej thuhet: “Në rastet kur Gjykata (e zakonshme apo dhe Gjykata e Lartë) vihet në lëvizje me anë të kërkesës së të dëmtuarit akuzues, ajo, njësoj si në rastin kur është vënë në lëvizje nga organi i Prokurorisë, është e detyruar të ushtrojë funksionet e saj për dhënien e drejtësisë. Mosfillimi i ndjekjes penale është atribut vetëm i Prokurorisë dhe vetëm për çështjet që, sipas K.Pr.P., janë në kompetencë të saj”. Sipas shtatë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e Lartë, duke ushtruar kompetenca që nuk i janë njohur asaj me ligj, ka cenuar parimin e gjykimit nga një gjykatë e caktuar me ligj, si element i së drejtës për një proces të rregullt ligjor. Një tjetër pikë ku është ndalur Gjykata Kushtetuese gjatë shqyrtimit të çështjes, ishte zhvillimi i seancës në Gjykatën e Lartë pa praninë e prokurorit. “Gjykata vlerëson se procesi i zhvilluar në Gjykatën e Lartë është i cenueshëm edhe për shkak të zhvillimit të tij në mungesë të përfaqësuesit të organit të akuzës, gjë që e bën atë të parregullt në kuptim kushtetues”, thuhet në vendim. Nga ana e saj, anëtarja e Kushtetueses, e cila doli kundër shumicës, Vitore Tusha, shprehet në mendimin e pakicës se “edhe pse jam dakord me vendimin e shumicës, se vendimi për mosfillimin e procedimit penal është përcaktuar nga K.Pr.P. si vendim që mund të merret nga organi i Prokurorisë, në rastin në shqyrtim vlerësoj se nuk ka dallim esencial përsa u përket pasojave juridike që sjell për kërkuesin vendimi për pushimin (i parashikuar si vendim që mund të merret nga Gjykata, në mbështetje të nenit 387 të K.Pr.P.), dhe ai për mosfillimin e çështjes penale (i parashikuar si vendim që mund të merret nga prokurori, në mbështetje të nenit 291/1 të KPP-së)”.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
• Gjykata vlerëson se vendimi për mosfillimin e procedimit penal është kompetencë ekskluzive e organit të Prokurorisë. Gjykata e Lartë, nëse vlerëson mungesën e kritereve ligjore për procedim, nuk mund të shprehet me vendim për mosfillimin e procedimit penal, por duhet të bazohet në dispozitat që i janë njohur asaj gjatë fazës së gjykimit.
• Gjykata vlerëson se Gjykata e Lartë, duke ushtruar kompetenca që nuk i janë njohur asaj me ligj, ka cenuar parimin e gjykimit nga një gjykatë e caktuar me ligj, si element i së drejtës për një proces të rregullt ligjor, të sanksionuar në nenin 42 të Kushtetutës.
• Gjykata vlerëson se procesi i zhvilluar në Gjykatën e Lartë është i cenueshëm edhe për shkak të zhvillimit të tij në mungesë të përfaqësuesit të organit të akuzës, gjë që e bën atë të parregullt në kuptim kushtetues.
• Vladimir Kristo (mendim paralel): Në rastin objekt shqyrtimi, mendoj se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke vendosur mosfillimin e procedimit penal, nuk e ka shqyrtuar dhe zgjidhur çështjen në themel, duke cenuar të drejtën e kërkuesve për të pasur një zgjidhje përfundimtare të mosmarrëveshjes në një nga mënyrat e parashikuara në nenet 387, 388 dhe 390 të K.Pr.P., që bëjnë fjalë për mënyrën e përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.
• Vitore Tusha (kundër): Edhe pse jam dakord me vendimin e shumicës, se vendimi për mosfillimin e procedimit penal është përcaktuar nga K.Pr.P. si vendim që mund të merret nga organi i Prokurorisë, në rastin në shqyrtim vlerësoj se nuk ka dallim esencial përsa u përket pasojave juridike që sjell për kërkuesin vendimi për pushimin (i parashikuar si vendim që mund të merret nga gjykata, në mbështetje të nenit 387 të K.Pr.P.) dhe ai për mosfillimin e çështjes penale (i parashikuar si vendim që mund të merret nga prokurori, në mbështetje të nenit 291/1 të K.Pr.P.).
Gjykata e Lartë mbylli dosjen “Mediu” në mars 2010
Më datë 1 mars 2010, Gjykata e Lartë ka rrëzuar padinë e ngritur nga dy prej të plagosurve në Gërdec, ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Gjykata e Lartë, pasi i kishte pranuar paditë e shtetasve Roxhers Dudra dhe Alketa Hazizaj, i bashkoi ato në një, pasi gjeti se objekti i tyre ishte i njëjtë. Më pas, Gjykata e Lartë zhvilloi seancat e para, në të cilat kërkoi paraqitjen e provave nga pala paditëse dhe nga pala e paditur. Po kështu u zhvillua një seancë në të cilën Gjykata u ofroi palëve mundësinë e zgjidhjes së çështjes me pajtim, por dy të plagosurit në Gërdec nuk pranuan. Më pas Gjykata kaloi në shqyrtim gjyqësor dhe pasi administroi provat e paraqitura prej palës së dëmtuar akuzuese, përfundimisht, me vendimin nr. 5, datë 01.03.2010, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi: Mosfillimin e procedimit penal ndaj shtetasit Fatmir Mediu për veprën penale të “plagosjes së rëndë nga pakujdesia”. Sipas Gjykatës, kërkesa për gjykimin e ish-ministrit nuk ishte në përputhje me ligjin.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











