Kushtetuesja: Jahjaga, Presidente deri në vitin 2016

Jul 7, 2012 | 14:34
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin e saj përfundimtar mbi propozimet e Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese, duke e quajtur shkelje propozimin për shkurtimin e mandatit të Presidentes aktuale, Atifete Jahjaga. Kjo do të thotë se Presidentja Jahjaga do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2016, sigurisht nëse deri atëherë nuk regjistrohet ndonjë shkelje që mund ta largohojë atë më parë nga detyra, siç ka ndodhur me paraardhësit e saj, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli. Ose në rast se ajo vetë dëshiron të japë dorëheqjen për ndonjë arsye personale. Theksi në ndryshimet kushtetuese u vu në nenin dhjetë, që ka të bëjë pikërisht me shkurtimin e mandatit të Presidentes Jahjaga. Atifete Jahjaga u zgjodh në postin e të parës së vendit pas një marrëveshjeje politike mes tre liderëve të forcave LDK, AKR dhe PDK: Isa Mustafës, Behgjet Pacollit dhe Hashim Thaçit. Marrëveshja u arrit më 7 prill të vitit të kaluar, pasi Pacolli u largua nga Presidenca vetëm pak javë pasi u zgjodh, për shkak se mënyra e zgjedhjes së tij përbënte shkelje të Kushtetutës. Propozimi për emrin e saj erdhi në një takim miqësor me tre liderët e lartpërmendur dhe ambasadorit amerikan Kristofer Dell. Ndikimi i këtij të fundit ka bërë “xhelozë” edhe përfaqësuesit europianë, të cilët në atë kohë komentonin me njëri-tjetrin se kush e njihte në politikë këtë person. Në fakt askush, sepse Jahjaga nuk ishte pjesë e politikës. Jahjaga dikur ka shërbyer si police e Kosovës, duke u avancuar deri në gradat më të larta të gjeneralkolonele. Ajo është një figurë e dashur për zyrtarët amerikanë. Pas zgjedhjes së saj, ambasadori Dell është shprehur: “E di se ajo kurrë nuk e ka kërkuar një nder të tillë. Ajo gjithmonë ka qëndruar në ballë të detyrës. Ajo është një prej oficerëve më të mirë në Kosovë dhe qysh para 11 vjetësh ajo është zotuar se do ta përmbushë misionin për sundimin e ligjit. Prandaj, jam i bindur se si Presidente e Kosovës ajo do ta mbrojë Kushtetutën dhe institucionet e Republikës, të cilat janë detyrë e saj. SHBA-të kanë punuar me Atifeten për shumë vjet. Ajo e ka admirimin e të gjithëve që kanë punuar me të”.

Hetohet Bukoshi
Zv.kryeministri Bujar Bukoshi do të hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra të rënda penale që lidhen me punën e tij disamujore në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. EULEX-i e konfirmoi këtë hetim. Sipas “Koha Ditore”, prokurorja angleze Maria Bamieh ka finalizuar hetimet, duke ngritur aktakuzë kundër Bukoshit dhe dhjetë zyrtarëve të tjerë për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, si dhe akuza të tjera.

© Panorama.al

Te lidhura