Kush përfiton: Të pastrehët, Qeveria ndan 5751 kredi të buta

Jul 15, 2012 | 10:56

Zbulohet projekti. Kreditë me zero, 3 dhe 4% për banuesit në shtëpitë e ish-pronarëve dhe zyrtarët e administratës.

Strehimi, projekt-dokumenti: Sa përfitojnë me zero, tre dhe katër për qind interes në tri vitet e ardhshme.

Për vitin 2012 janë 1364 familje që përfitojnë interes të ulët.

Në katër vite 2012-2015 qeveria ka planifikuar të financojë me gati 10 milionë dollarë programin për strehimin, duke dhënë kështu kredi të buta. Në total, sipas projekt-dokumentit të programit buxhetor afatmesëm 2013-2015, parashikohet të jepen 5751 kredi të ndara në tri kategori: me interes zero, me interes 3 për qind dhe me interes 4 për qind. Të dhënat në projekt-dokument janë të ndara sepcifikisht sipas viteve që përfshin programi, si dhe numrit të kredive që do të jepen.
Kreditë për 2012
Deri në fund të këtij viti qeveria do të subvencionojë interesat e kredive për blerje banese për plot 1364 familje. Nga këto do të përfitojnë kredi me interes zero për qind rreth 255 familje që kategorizohen si banorë në ish-pronë private dhe që duhet të paguajnë vetëm principalin e kredisë së marrë. Me interes zero përfitojnë kredi edhe familjet e ish-punonjësve të Policisë të vrarë. Po kështu do të jenë 1000 familje që do të përfitojnë kredi me interes 3 për qind dhe kjo përfshin atë kategori që janë të pastrehë dhe e drejta u ka lidhur nga miratimi që ka bërë në listat e tij Këshilli Bashkiak respektiv. Kategoria e fundit është ajo e kredisë për blerje banese me 4 për qind interes, ku futen punonjësit e administratës dhe numri i atyre që do të përfitojnë deri në fund të këtij viti është 109 familje.
Kreditë 2013-2015
Për vitet e tjera që përfshin programi buxhetor afatmesëm 2013-2015, qeveria ka parashikuar që të japë kredi me interes zero, plot 806 kredi nga të cilat 255 për vitin 2013, 258 për vitin 2014 dhe 293 për vitin 2015. Në vijim, projekt-dokumenti parashikon edhe dhënien e 3237 kredive të zbutura me interes 3 për qind për tri vitet e ardhshme, kurse me interes 4 për qind për të njëjtën periudhë kohore parashikohen që të jepen 344 kredi. Për të gjitha familjet që përfitojnë kredi, lind detyrimi i pagesës së principalit dhe interesit 3 ose 4 për qind, pasi pjesa tjetër paguhet nga qeveria. Afati i dhënies së këtyre kredive përgjithësisht është 30-vjeçar dhe bëhet sipas kushteve të përcaktuara në ligj dhe marrëveshjes që qeveria ka lidhur me një nga bankat e nivelit të dytë. Në financimin që shkon afërsisht 10 milionë dollarë, qeveria parashikon që të ulë numrin e familjeve të pastreha që kanë aplikuar pranë këshillave bashkiakë. Deri në vitin 2015 synohet që programi të sigurojë kushtet për strehimin e 20 për qind të familjeve që kanë aplikuar pranë bashkive.

Kreditë e zbutura për shtëpi

Viti                       Nr.kredish
Interes zero
2012                 255
2013                 255
2014                 258
2015                 293

Interes 3 për qind
2012                1000
2013                1000
2014                1098
2015                1139

Interes 4 për qind
2012                109
2013                109
2014                109
2015                126
Total 2012-2015                   5751

Banesat sociale me qira
Një tjetër program për strehimin është edhe i banesave sociale me qira. Projekt-dokumenti i programit buxhetor afatmesëm parashikon se qeveria pritet ta finalizojë vitin tjetër këtë program dhe financimi për dy vite së bashku, 2012 dhe 2013, do të kushtojë gati 4 milionë dollarë. Këto para shkojnë për ndërtimin e apartamenteve, të cilat sipas programit do të jepen me qira të ulëta për familjet e pastreha, por që përmbushin disa kushte siç është edhe aftësia e mjaftueshme paguese për qiranë.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura