Kush janë 2 komandot e sulmuar në Kandahar

Feb 20, 2012 | 21:46
Kapiten Feti Vogli dhe Nëntetar Aleksandër Peçi

TIRANE- Ministria e Mbrojtjes ka publikuar ne faqen e saj zyrtare biografite e dy komandove te sulmuar  ne Kandahar, Afganistan, shoqeruar me fotografite e tyre.

Kapiten Feti Vogli gjeti vdekjen ne spitalin e Kandaharit, ndersa Nentetar, Aleksander Peçi eshte ne gjendje kritike per jeten, ne gjendje kome.

Kapiten Feti Vogli

Kapiten Feti Vogli, lindur më 23.05.1981, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, është i martuar dhe nga martesa e tij me zonjën Alva, ka një vajzë 2 vjeçe me emrin Egi.

Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake në specialitetin Artileri Tokësore, u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant Toge në Brigadën e Stërvitjes të Bazës, Bunavi.

Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më 16 korrik 2005 është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë Komandant Grupi. Nga data 1 qershor 2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore.

Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje të ndryshme si:

Medalja e Karrierës në vitin 2007 nga komandanti i Forcës së Bashkuar.

Medalja për Shërbime Ndërkombëtare nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2007.

Medalje për shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010.

Nga data 16 janar 2012 është dërguar me mision luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit.

Biografia e Nëntetar Aleksandër Jak Peçi

Nëntetar Aleksandër Jak Peçi, ka lindur më 26.09.1988, në fshatin Lekbibaj të Tropojës dhe është banues në Bathore, Tiranë. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Bathore, është titulluar ushtarak aktiv me gradën profesionist i parë, në Repartin Ushtarak Nr. 1001.

Pas kryerjes me sukses të Kursit Bazë të Forcave Speciale, më 16.01.2011, është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale, me detyrë specialist armatimi në Grupin e Parë Special të Kompanisë së Aksioneve Speciale Ujore në Batalionin e Forcave Speciale.

Nëntetar Aleksandër Peçi është një ushtarak i dalluar për disiplinë dhe moral të lartë në kryerjen e detyrave të ngarkuara nga eprorët e tij.

Nga data 16.01.2012, nëntetar Peçi është dërguar me mision luftarak “Eagle-4”, në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar, Afganistan.

© Panorama.al

Te lidhura