NGA XHEVAT MUSTAFA
ë afërt do të përjetohet “rënia nga kali” politik dhe qeverisës e Edi Ramës! Sepse qysh nga lashtësia e deri më sot historia ka treguar apo konfirmuar se nuk ka faraon, perandor, mbret, sulltan, car, krajl, diktator, president, kryeministër… që e ka shmangur këtë ditë apo gjëmë. Pra, edhe Edi Rama nuk do të mundet kurrë të shpëtojë nga kjo e keqe, pavarësisht se si përrallis dhe mashtron veten dhe ata që e dëgjojnë, siç ndodhi më së fundmi, edhe më 8 shtator 2024 në Durrës, në shoun e radhës, me emërtimin “mbledhje e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste”! Ndërsa Edi Rama lodh trutë për të gjetur rrugë e mundësi, për ta vonuar sa më shumë këtë ditë, shumicës së shqiptarëve, qytetarëve, demokratëve… u mbetet si barrë e detyrë të vrasin mendjet se cilët dhe si do ta rrëzojnë sa më shpejt atë nga kali kryeministror, ngjashëm me atë sulltanor e mbretëror!
Le ta fillojmë zgjidhjen e këtij “ekuacioni” me shqiptarët e gjallë! Dihet pjesën më të madhe të kohës, shumica e tyre janë nëpër plazhe, lokale, lulishte, para televizorëve, duke shikuar ndeshje futbolli nga kampionatet më të forta evropiane si dhe filma serialë turq… Mos vallë, pasi u zhdukën me skenar e synime të largët sindikatat nga politika dhe qeverisjet, mund ta kryejnë këtë punë apo mision studentët e universiteteve, publike e private? Thonë e shkruajnë se ndryshe nga studentët e nëntor-dhjetorit 1990 e në vende të tjerë të botës, edhe në gusht 2024, që rrëzojnë presidentë, kryeministra, qeverira, shumica e studentëve të Shqipërisë së këtyre 10 viteve janë gjithashtu nëpër plazhe, lokale, koncerte në sheshe mbush me tallava e shiringa drogrash, duke kërcyer e ulëritur si Edi Rama…!? Ose, pjesa tjetër nëpër aeroporte dhe avionë për të ikur në vende të Perëndimit sa më shpejt…?!
Tani i erdhi radha PD-së dhe opozitës, si forcë e madhe, formale apo hipotetike, për rrotacion politik dhe qeverisës, pra për “rrëzimin nga kali” të Edi Ramës dhe qeverisë së tij! Si rrjedhojë e “dhuratës bujare” që i bëri PD-Berisha më 2008 me marrëveshjen për Kodin Zgjedhor, ndryshuar lehtë apo sa për grim me 106 vota nga deputetët e PS e të PD-së, më 26 korrik 2024, për zgjedhjet e pranverës 2025, është e kuptueshme se edhe pas këtyre ndryshimeve, Rama-partia është ndjeshëm e favorizuar për fitoren e mandatit të katërt. Doza e favorizimit shtohet edhe nga qenia në krye të KQZ-së e “kukullës” Ilirian Çelibashi, nën hundën e të cilit e të vëzhguesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, do të kryhen masakrat e reja në listat e zgjedhore dhe kutitë e votimit, kur duhej të ishte “djegur” me kohë nga masakrat dhe skandalet në farsat zgjedhore të mëhershme! Dihet se për këtë “fitore të re” Rama ka rreth 11 vjet që investon dhe punon hapur apo nën rrogoz edhe në kuadër të skenarit anti-PD dhe sloganit të tij se “të dyja palët janë njësoj”, me efekt të ndjeshëm për të mbajtur sa më masiv mosbesimin ndaj PD-së dhe opozitës.
Këtyre mund t’u shtohet edhe non gratizimi i Sali Berishës, me ndihmën e madhe nga Xhorxh dhe Alex Soros, Charles McGonigal si dhe sorosianë të tjerë në DASH e në Shtëpinë e Bardhë, në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë e në Bruksel, në struktura drejtuese të BE-së. Fruta të këtyre investimeve dhe përpjekjeve, përgjithësisht të pandershme e të pista, janë ndarja e PD-së në dy copa, qenia e saj e tejzgjatur, me vite si në gjendje kome, mbetja akoma larg kapacitetit optimal si alternativë e denjë dhe bindëse rrotacioni politik dhe qeverisës. Megjithatë, muajt deri në zgjedhjet e pranverës 2025, falë edhe bumeve qeveritare me dështime dhe vetë diskretitime, me skandale korrupsioni, ortakërie me mafien shqiptare e ndërkombëtare si dhe me qarqe të njohura për antishqiptarizëm të moçëm, janë të mjaftueshëm që PD dhe opozita të përfitojnë ndjeshëm, njëherazi duke u riorganizuar me seriozitet dhe thellësi në të tri nivelet e piramidës së tyre! Nënkuptueshëm, duke u lënë më shumë hapësirë në strukturat e tyre drejtuese dhe mandate deputeti figurave të reja nga vendi e nga Diaspora. Personalisht dhe subjektivisht nuk futem tek optimistët se “ngritja në majë mali” e PD-së dhe “rënia nga kali” e Edi Ramës, do të jetë e shpejtë!
Sipas gjykimit tim, nëse PD dhe opozita futen në zgjedhjet e 2025 me shumicën e kryesive qendrore e të degëve si dhe të grupeve parlamentare të tanishme, fatkeqësisht, pa apo me dashje, do t’ia dhurojnë Edi Ramës fitoren e mandatit të katërt! Për ta shmangur këtë gjëmë kombëtare… kërkohen liderë të rinj demokratë, shqiptarë, qytetarë, intelektualë me vepra…, të pavetëdjegur e të djegur përfundimisht nga koha dhe betejat e shumta të humbura si dhe nga “misionarizmi i telekomanduar” nga Tirana apo kryeqytete të tjerë, të afërt e të largët. Pra, që kanë CV të panjolla, pëlqyeshmëri, mbështetje e besueshmëri masive jo vetën në gjirin apo elektoratin e PD-së e të opozitës si koalicion…! Por, edhe pa lidhje e pazare të fshehta me bizneset politikë dhe financiarë, me PS, Edi Ramën dhe me politikanë e pushtetarë të tij qendrorë e lokalë, me oligarkë proqeveritarë, me Sorosët at e bir si dhe me ambasadorë ndërkombëtarë, me mendësi e fuqi guvernatori në Shqipëri!
Disa të tjerë mendojnë se një faktor i fortë për rrotacion politik dhe qeverisës në Shqipëri mund të jetë “armata” e pensionistëve shqiptarë, sigurisht me përjashtim të shumicës së atyre që kanë pensione të larta e të posaçme, sidomos si dhurata miqësie nga Edi Rama. Përafërsisht, shifra e plotë e pensionistëve në vendin tonë është në rreth 825 mijë veta. Rreth 50% e tyre, edhe pse kanë pensione të ultë, në 10.000-20.000 lekë, që ulen vazhdimisht ndjeshëm nga rritja e çmendur e çmimeve të të gjitha produkteve dhe shërbimeve, përfshirë edhe spitalet dhe farmacitë kanë qenë e janë prej një jete të tërë me PKSH-PPSH-PSSH! Domethënë me anim, bindje e votë majtas dhe urryes histerikë ndaj “të djathtës”, identifikuar e gogolizuar kryesisht me emrin dhe figurën Sali Berisha, që po të kishin mundësi mund ta “gozhdonin” si Krishtin!? Edhe në zgjedhjet parlamentare më 1991, 1997, 2001, 2013, 2017, 2021 si dhe në zgjedhjet për pushtetin e lokal votat e tyre ishin përcaktuese për “fitoret” e Rama-partisë apo “rilindjes”!? Duke pasur parasysh apo llogaritur këtë të vërtetë apo traditë 80-vjeçare, me një erozion të pakët më 22 mars 1992, është iluzion apo mashtrim i vetvetes nëse pritet që nga ky kontingjent pensionistësh të ndryshojë kahu i vërshimit të votave e të ndodhë çudia e rrotacionit politik dhe qeverisës.
Nëse do të ndjenin dhe mendonin me trutë dhe zemrat e veta, si shqiptarë, familjarë, qytetarë…, nëse do të merrnin shembull nga pensionistët italianë, francezë, belgë, grekë…, me ato pensione që marrin për 25, 30,35,45 vjet punë e siguracione; me këto çmime në ushqime, në artikuj farmaceutikë, higjiene, kozmetikë, shërbime… 2-3 fish më të lartë se më 2013 e rreth 50-100% më të lartë se në Gjermani, Itali, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Greqi, Turqi…, ky kontingjent shumë masiv pensionistësh enveristo-edramistë të përjetshëm, ka pasur e ka shumë arsye për të dalë shesheve në protesta qytetare kundër qeverisë, nënkuptueshëm pa praninë e politikanëve dhe deputetëve të PD-së, PS-së e ndonjë partie tjetër opozitare, që mund ta partizojnë e politizojnë protestën e tyre…! Por, zhgënjimin, reflektimin dhe ndëshkimin e tyre për Rama-qeverinë mund ta shprehin sidomos ditën e zgjedhjeve, ose duke mos shkuar fare, ose duke i grisur dhe hedhur fletët e votimit në koshat e plehrave…!
Kontingjentit të pensionistëve, shumica “të majtë”, duhet t’u shtohen rreth 300 mijë vota individuale e familjare që vijnë nga armatat e administratës publike (jopartiake, me status nëpunësi civil) dhe të patronazhistëve, kontingjent plotësisht partiak! Të dyve këtyre “ushtrive” u është dhënë në “mënyrë demokratike dhe konsensuale” ultimatumi apo urdhri me gojë: “Nga 2-4 vota për familje për PS ose ndryshe të nesërmen e ditës së zgjedhjeve ikni vetë nga vendet e punës”! Enveristët e moçëm dhe ata patronazhistë, me ligësinë gjenetike apo partiake, plot duke u reklamuar me pa sinqeritet sikur janë antiedramistë, bëjnë sikur nuk e kuptojnë se për rrotacionin qeverisës e politik nuk bëhet fjalë me domosdo që të “bjerë nga kali” Edi Rama e të rihipin në të njëjtin kalë të rraskapitur e kurrizplagë, Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta…!
Këto rrethana të shtyjnë të mendohet se më shumë se nga të tjerët, “rënia nga kali” e Edit mund të vijë nga vetë Rama. Nënkuptueshëm, kur “të vetëvritet” politikisht, moralisht, juridikisht, me vota… nga skandalet e korrupsionit e nga abuzimet prej plotpushtetshmërisë, duke vazhduar gjatë t’i pandehë dhe shfrytëzojë Shqipërinë, pasuritë e saj mbi e nëntokësore, të gjitha resurset e saj si prona personale e familjare, ortakërore, si mallra për biznes financiar e politik… Me shumë gjasa, më shumë se faktorët e brendshëm, “gremisja nga kali” e Edi Ramës mund të vijë nga “shterimi i burimeve” të mbështetjes së tij politike e jo rrallë të paskrupullt e të paparimtë ndërkombëtare, sidomos nga Uashingtoni, Brukseli, Roma, Parisi, Londra, Athina, Beogradi… Domethënë, “rënia nga kali” e Ramës mund të vijë edhe nëse rihapet në Uashington e në Tiranë, nga SPAK edhe dosja McGonigali!
Por, edhe nga dosjet mbush me fakte skandaloze e të patolerueshme në vendet perëndimore me demokraci të vërtetë, “dhuruar falas” SPAK-ut nga intervistat e Arben Ahmetajt në “SYRI TV”, nga specialet në “RAI 3”, nga shkrimi i gazetës gjermane “Der Spiegel” më 12 shtator 2024, me titullin “BE mbyll “njërin sy” ndaj Ramës”…! Gjithsesi, për sa kohë do të jemi në këto kushte, qofsha i gabuar, por besimi dhe shpresa për këtë vend, për t’u bërë siç e kanë dashur dhe e duan shqiptarët në varre e ata të gjallë, janë ose në varret e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, ose të mbyllura me dyer të hekurta e dryna të mëdhenj në Beograd, Athinë, Moskë, Bruksel, Paris, Londër, Uashington…!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al