EDISON YPI
Të gjithë kishin nga një kurv që i spiunonte. Të të lëntë Perëndia pa kurv – thoshin fshehtas me qesëndi. Por askush nuk e dinte cili, nga mizëria e kurvëve, ishte kurvi i tij. As unë nuk e dija. Ishte me zarar ta hamendësoje. Mund t’i bije dikujt më qafë kot dhe futeshe në mëkat, ose gjeje belanë. Ndërkohë, i vetmi kurv që njihej ishte kurvi i madh, kryekurvi, apo kurvi i kurvëve. Por ai ishte i zënë me marksizëm-leninizmin ngadhnjimtar. Për punët e vogla, kishte kurvët e vegjël. Një nga rregullat pa asnjë përjashtim të asaj kohe, ishte se të arrestonin, pastaj, çfarë kishe bërë, e si, e qysh, e tek, e shkruanin vet, pa të pyetur aspak. Mos me ia hëngër hakun, këtë rregull e zbatonin për çdo rast dhe me sa më tepër përpikmëri, së pari, brenda vetes, për viktimat e luftës brenda llojit. Pastaj për fatkeqët me probleme në biografi, kalvari i vuajtjeve të të cilëve kishte vetëm fillim, kurrë fund.
Mes mijëra e mijërave, një nga këta, vuajtjet e të cilëve fillonin që në lindje dhe s’mbaronin kurrë isha, fatkeqësisht, unë. Fillimi i viteve ’80. Unë dhe Hasia, nëna ime, në Tiranë. Vëllai me punë në Burrel. Unë veja në punë, lexoja libra, dëgjoja muzikë. Kur një ditë na vjen haberi se vëllain e kishin arrestuar. Në ato vite, të dëgjoje të arrestohej dikush, përtej keqardhjes, nuk ishte çudi. Të qaje apo të dënesje, s’bëhej fjalë. Të rrasnin brenda për “keqardhje për armikun”. Larguam nga shtëpia gjëra që i hamendësuam si kompromentuese, sa mbaj mend, nga babai i vdekur, ca revista dhe ca libra nga koha e Shkollës Teknike “Harry T. Fultz”. Dhe pritëm ça do na ndodhte. Në një nga këto ditë pritjeje nga fillimi i vitit 1981, mamaja, Hasia, erdhi më zgjoi që në 5 të mëngjesit. Me lot më sy, por edhe e përmbajtur, më tha të bëheshim gati për internim sepse prej gjysmë ore një “Skodë” e zhurmshme po pret te shkallët. “Skoda” nuk kishte qenë për mua dhe mamanë time. “Skoda” mori për internim familjen e Azemit të katit të parë. Djali i tij qe arratisur nga Kukësi. Kaluan edhe ca ditë. Kur troket dera. Dal unë. Trokitësi nuk hyn brenda. Me ca përdredhje këmbë e duar, më bën të ditur se të nesërmen duhet të shkoj te Dega e Brendshme.
-Te Ekspozita Kineze? – e pyeta.
U vrenjt.
-Jo te Ekspozita Kineze – tha – por te ekspozita “Shqipëria Sot”.
Të nesërmen vajta ku më tha.
Një surratbaltë, me gjasa kurvi im, pasi më la të pres pak, nxori një letër. Këtu – tha kurvi im – është gjithçka që ju armiqtë, ti, vëllai, yt dhe një miku juaj jeni llafosur për t’u arratisur në vitin 1972. Nuk ma dha ta lexoja. E lexoi vetë pa luajtur vendit. Tha diçka të tillë: Ju të tre keni lexuar dhe komentuar romanin “Njeriu që qesh”, dhe keni bërë plane për t’u arratisur. Ata të dy i kemi arrestuar. Ti ke vazhduar shkollën. Ndoshta edhe ti ke dashur të arratisesh, por je penduar. Vër një firmë këtu – tha – duke vënë gishtin te pjesa e bardhë në fund të letrës. Çfarë dëgjova nga surratbalta ishin të vërteta. Romani i Hygoit as sot nuk e di ç’lidhje kishte. Biseda për arratisje po. Por ishte vetëm dëshirë, pa asnjë veprim konkret. S’ishte vendi për heroizma si të Gjergj Elez Alisë apo Mujit e Halilit. As rasti për të më varur kokëposhtë për këmbësh në tavan si gestapoja pionierin, duke më hedhur kova uji që të mos vdisja, pra se të tregoja ku e kisha pusullën që sapo e gëlltita. Rolin e budallait e kam luajtur me sukses, por budalla nuk jam. Për të mijtën e sekondës ia lexova menien kurvit tim. Nuhata dhe nuk gabova. Si masë ndëshkimore të mjaftueshme kishin vendosur të mbanin në burg ata të dy. Pa mu dridhur qerpiku, vura firmën ku më tha kurvi im. Nuk na internuan. As kontroll në shtëpi nuk na bënë. Ndoshta ngaqë komuniteti nuk na njihte për problematikë, pijanecë, të pasjellshëm, rrugeçër etj.. Unë dhe mamaja vazhduam të gdhiheshim e të ngryseshim kryesisht duke lexuar a duke u llafosur me ndonjë mysafir të rrallë. Shkruanim dhe letra me kunja interesantë, që thyen barrierat, mposhtëm vigjilencën e rojave që copëtonin byrekët për me pa mos kishim futur mes petëve thika ose kubure.
KALUAN VITE.
S’lashë bodrum pa ulëritur, kurv pa tallur, shkrimtar e poet pa përqeshur, dromca nga të dërguarve të RAI-t nga Moska, Varshava, Vjena, Londra, pa ua përcjellë ishullarëve nëpër bodrume ose dhoma me dritare të zëna me batanije. Për dijeni, termin “Disident” jam i pari që e kam përhap. Mund të verifikohet. Janë gjallë ata që më dëgjonin duke u dridhur. Nga ‘90 e tëhu, s’lashë miting të Partisë Demokratike pa vajtur. Unë, familja ime, fisi im, shoqëria ime, e votuam, e ndihmuam, e propaganduam Partinë Demokratike pa i kërkuar absolutisht asgjë. Unë, për shembull, sot e kësaj dite nuk i kam trokitur kurrë asnjë partie për asgjë. I fiksuar mbas mitingjeve, një herë, mendja seç më tha, këmbët seç më çuan, drejt e te mitingu i komunistëve te Pallati i Sportit te “Zogu Zi”. Unë kuriozi i pashërueshëm vajta t’i dëgjoja ç’thoshin rrezikzinjtë. Me thënë të drejtën u zbavita goxha me komunistët. Sidomos kur ulëritën: “Prej bronzi e kishte (shtatoren), prej floriri do ia ngremë”. Mirëpo dikush nga pas më njohu. Desh më rrahën. Shpëtova paq. Qyteti “Studenti”. Kurrizi i dikujt me zë të ngjirur me xhaketë igeliti që sot s’shifen me sy, ndërsa asokohe ishte luks për jevgjit.
-Kush është ky ?
-Azem Hajdari, më thotë miku që kisha pranë, dhe shton, duhen këta për këto punë.
-Po kur të mos duhet më, si i bëhet? – i them.
Në sheshin ‘Omonia’ dhe nëpër tragete kur ikja e vija në Itali, kam hëngër grushte dhe shkelma duke mbrojtur me zjarr Doktorin dhe Partinë Demokratike. Kaluan të tjera vite. Pas shembjes historike, që s’do vinte kurrë prej halabakëve dhe spiunëve që grumbulloi rreth vetes Partia Demokratike, por vetëm prej viktimave të tyre, prita më tepër se 10 vjet të nisja të shkruaja. Prita gjatë sepse në perceptimin tim e shkruara ishte gjëja më serioze që ekziston. As sot e kësaj dite, nuk jam i sigurt nëse di të shkruaj. Gjithsesi fillova. Ama, me krenari e them, sot e kam një bilanc. Një numër shkrimesh janë bërë viralë. Për të mos folur për disa prej tyre, që s’ka mbetur shqiptar që di shkrim e këndim pa i lexuar. Gjatë viteve, mes tjerash shkruajta me superlativa për Partinë Demokratike, veçanërisht për lartësimin e Doktorit. Dhe do kisha vazhduar po të mos më kujtohej një ditë se Partia Demokratike ka 12 vite që s’vjen dot në pushtet, çka i shpjegon të gjitha, llafet janë të tepërta. Diçka që gjatë asaj kohe më rrënqethte; kur thoshin filani fisteku ministër apo deputet i mirë sepse “lexon libra”. Nga ’90 e tëhu, mesatarisht çdo 10 vjet, kam ndjerë një si hije që duket e zhduket, ikën e vjen, rreth një mëkati që kam bërë. Kam dashur ta di. Kam pritur ndonjë rast, dikënd që të sjelli, jo muhabete, por një provë, një pohim, një argumentim serioz, se çfarë është kjo hije që më ndjek nga pas. Këto ditë hija u shfaq. Jo kurvi im. Ndoshta as kurvi i kurvit tim. Një tjetër. Nuk po ia përmend emrin përderisa nuk e ndjej si kurvin tim. Më nisi një imazh, një copë imazhi, nga viti i largët ’81, ku lexohet një rrëmujë fjalësh: Burhani apo Eduardi gjatë kohës që njëri pijanec i dhënë ishin pa punë. Për kë nuk më ka dëgjuar procesverbalin e nënshkruaj:- Kallëzimtari (Edison Ypi). “Kallëzimtari” që nuk kallëzoi asgjë më habit dhe më bën për të qeshur. Nuk ishte. Kurvi im e ka shtuar më vonë. Nuk e kam parë apo dëgjuar kurrë më parë këtë cilësim. Duket si nelogjizëm i shpikur enkas për mua dhe kurvin tim. Kam dëgjuar për denoncuesi, bashkëpunëtori, kallëzuesi, por Kallëzimtari kurrë. Ka një zgjatje, një zvargie, një javashllëk prej shkretëtire. Tingëllon si nga “1001 Netët”. Pa Sheherazade kallëzimtare. Fjalët e pështira të kurvit tim surratbaltë që vetë i shkroi, vetë i lexoi, më kthyen te atmosfera e oborrit të Partisë Demokratike brenda një çadre të stërmadhe plot me spiunë sigurimisa që mbaheshin për shpëtimtarë, hajdutë që hiqeshin të ndershëm, trafikantë, klientelistë, nepotistë, komunistë të ndyrë. Dhe plot fëlliqësirë të tjera nga ata që Partisë Demokratike dhe Doktorit u vijnë rrotull si hienat coftinës, të cilëve u them: Shporruni kërma! S’ngjaj me ju. Nga tjetër vend vij, për tjetërkund fluturoj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al