
Policia e Kosovës arrin marrëveshje me Vetëvendosjen, lejohet protesta.
Vetëvendosje: Protesta jonë, paqësore. Nuk ka as gurë, as shishe!
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka siguruar se aksioni për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë më 14 janar do të jetë paqësor. Ata kanë siguruar lejen nga Policia e Kosovës për shkuarjen e aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” drejt pikave kufitare në Merdarë dhe Dheu i Bardhë, ditën e shtunë. Nga ana e saj, “Vetëvendosje” është zotuar se siç kishte paralajmëruar, nuk do të bllokojë rrugët me zhavorr ose pengesa tjera, por vetëm me trupa të njerëzve vetëm në njërin shirit të rrugës, për të bllokuar hyrjen e kamionëve me mallra serbe.
Në një tubim të mbajtur dje në Podujevë, Kurti tha se “me këtë do ta tronditim Serbinë”. Ai shtoi se Beogradin e ka kapur paniku për aksionin e Vetëvendosjes për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar. “Më 14 janar do të jemi plotësisht paqësorë e të padhunshëm. Nuk do të gjuajmë gurë e as shishe. Por do të fillojmë të zbatojmë një vendim që është më i rëndësishmi që ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës”, tha Kurti.
Lideri i “Vetëvendosjes” theksoi se nuk mund të ketë prodhim vendor në Kosovë pa e bllokuar Serbinë. E pa e ndalur Serbinë ekonomikisht, sipas tij, Kosova nuk do të mund të bëhet politikisht sovrane, pasi “okupimin e dikurshëm me ushtri, polici e në mënyrë institucionale dhe politike, Serbia tashti e ka zëvendësuar me okupim ekonomik e tregtar, përveç asaj që edhe çerekun e territorit ende e kontrollon me struktura ilegale, kriminale e armiqësore”. Kurti ka kërkuar edhe nga Policia e Kosovës që të dalë në mbrojtje të vendimit të Kuvendit të Kosovës e jo “të deklaratave të ministrit Bajram Rexhepi, i cili ka dalë haptas kundër Vetëvendosjes”. “Më 14 janar, angazhohemi që të fillojë një epokë e re në Kosovë. Që t’ia marrim pushtetin Serbisë në Kosovë. E ky pushtet është politik, ekonomik e tregtar. Fatkeqësisht, qeveria e Kosovës nuk do ta forcojë shtetin tonë. Pushteti në Kosovë është i fuqishëm, duke e mbajtur shtetin e dobët, duke ia mbajt kufijtë e dobët, buxhetin e dobët e të varfër që po ia keqpërdorin, po manipulojnë me tenderë, kontrata të dëmshme, po ia shesin pasuritë etj”. Kreu i Vetëvendosjes shtoi më tej se do të jetë i pari në protestat në Merdarë dhe se ata nuk do të reshtin me një ditë. “Në Merdarë do të bllokojmë rrugën e mallrave serbe për në Kosovë dhe jo lëvizjen e qytetarëve. Do të qëndrojmë deri sa ta realizojmë qëllimin tonë dhe do të gjejmë forma që të jemi 24 orë në pikat kufitare, e jo vetëm një ditë. Ne do të angazhohemi që në Kosovë të fillojë një epokë e re, një fazë dhe një periudhë e re, ku qëllimi ynë është që t’ia marrim pushtetin Serbisë në Kosovë, e ky pushtet është politik dhe sidomos, ekonomik e tregtar”, tha Kurti.
© Panorama.alDiaspora
Qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Britani e Madhe dhe Norvegji, të përkrahura gjithashtu edhe nga një numër i madh bashkatdhetarësh dhe shoqatash shqiptare në diasporë, e mbështesin fuqishëm iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje për zbatimin e vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë.











