
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka bërë thirrje Brukselit që të mos e shfrytëzojë rastin dhe ta keqpërdorë Qeverinë e korruptuar dhe të papërgjegjshme të Kosovës e cila është e gatshme të hyjë në çfarëdo pazaresh për shtetin e Kosovës.
“Ne i bëjmë thirrje Brukselit që të mos e shfrytëzojë rastin dhe ta keqpërdorë Qeverinë e korruptuar dhe të papërgjegjshme të Kosovës, e cila duke qenë e korruptuar dhe e kriminalizuar, është e gatshme të hyjë në çfarëdo pazaresh për shtetin e Kosovës, nëse një gjë e tillë i premton edhe ca kohë më shumë në pushtet”, ka thënë Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Kurti i cilësoi bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të iniciuara nga BE-ja, si të padrejta pasi që prekin në sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Bisedimet e Kosovës me Serbinë, sipas tij, nuk po e ndryshojnë Serbinë, por po e ndryshojnë Kosovën dhe atë për të keq.
Synimi i Beogradit, sipas liderit të Vetëvendosjes, është sajimi i një entiteti territorial autonom në veri të Kosovës, nëpërmjet të cilit do të mund ta bënte Kosovën një shtet jofunksional dhe së shpejti edhe shtet të dështuar.
“Kjo nuk duhet të lejohet kurrsesi dhe mendoj që është koha e fundit që Brukseli të bëjë një tërheqje strategjike, të mendojë dhe të rimendojë për qasjen që e ka pasur në Ballkanin Perëndimor, e posaçërisht për Kosovën e Serbinë, ta ndryshojë paradigmën e stabilitetit afatshkurtër politik drejt demokracisë, zhvillimit dhe drejtësisë”. /REL/Zëri/
© Panorama.al











