Kursimi e reformat, Athina ende pa marrëveshje

Feb 9, 2012 | 9:10

ATHINE- Takimi i kryeministrit grek, Lukas Papadhimos me partnerët e koalicionit ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje lidhur me masat e kursimit dhe paketën e reformave.

Bisedimet e autoriteteve greke synojnë sigurimin e paketës së re të ndihmave ndërkombëtare, në vlerë prej 130 miliardë eurosh, por që varet nga shkurtimet e pagave dhe të përfitimeve që duhet t’i bëjë Athina.

Raportohet se çështja e vetme për të cilën udhëheqësit grekë nuk kanë arritur marrëveshje janë shkurtimet në pensione.

Zyra e kryeministrit ka lëshuar një deklaratë, përmes së cilës bëhet e ditur se bisedimet do të rinisin sot, e cila synon te vulose marrëveshjen për reduktimin e borxhit dhe kredinë e re që i është akorduar Greqisë.

Të mërkurën në mëngjes liderëve iu dorëzua teksti përfundimtar mbi konsultimet e qeverisë me Trojkën, me qëllim që liderët e partive që mbështesin qeverinë të vendosin mbi masat e reja të ashpra që janë sugjeruar.

Më parë, ministri i financave Evangelos Venizelos dhe ai i punës ishin takuar me ekipin teknik të trojkës, me objekt finalizimin e negociatave për caktimin e masave, me vlerë 3,2 miliardë euro, me qëllim që të jepet “drita jeshile” për programin e ri dhe si rrjedhojë, marrëveshjen për kredinë e re dhe reduktimin e borxhit.

Sipas burimeve të AMNA-s, ndoshta të dielën do të paraqiten për votim në parlament marrëveshjet për reduktimin e borxhit dhe kredinë e re, por pa përfshirjen e masave zbatuese, ose disa prej tyre, që vlerësohet se nuk do të ketë kohë deri atëherë.

Sa i përket çështjes së rikapitalizimit të bankave dhe të së drejtës juridike mbi marrëveshjen e kredisë, të njëjtat burime ishin në pritje të leximit të tekstit që do t’u jepet për shqyrtim liderëve partiakë.

Ndërkaq, lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, e ka cilësuar si “një mbikqyrje indirekte” propozimin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Nicolas Sarkozy, për krijimin e një llogarie të veçantë që do të angazhojë ndihmën ndaj Greqisë për pagesën e interesave ndaj kreditorëve.

© Panorama.al

Te lidhura