EPISODI I DYTË
Ishim në hyrje të Peqinit, me Shabanin, Dyrmyshin, biznesmenin turk, Luan Pobratin dhe vëllanë e tij, aso kohe drejtor i SHIKU-t në Elbasan. Qëllimi i kësaj shëtitjeje ishte rikonicioni i rrugës Peqin-Elbasan nga Dyrmyshi, i cili kishte ardhur nga Turqia me një “Mercedes 6000 SEL”, prodhim i vitit 1993. Pas inspektimit, u ulëm për një kafe në një nga lokalet buzë rrugës, me një shesh goxha të madh përpara, ishte qershor. Pas nja një gjysmë ore afrohet një fshatar duke tërhequr me litar një viç, viç ore viç! Ai qëndroi nën hijen e pemës dhe u ul. Pas nja dhjetë-pesëmbëdhjetë minutash afrohet një “Mercedes” ngjyrë e verdhë në kafe. Shoferi zbriti, hapi dyert e pasme dhe iu drejtua fshatarit:
-Nxito, shpejt ta fusim brenda.
Fshatari afroi viçin te makina për ta futur brenda, shoferi e tërhiqte nga dera tjetër, fshatari e shtynte nga pas. Por, viçi nuk hante “pykë”. Nuk donte të hynte në makinë, sikur e parandjente që do të përfundonte në thertore, tek kasapi.
Shoferi u kthye nga ne dhe na tha:
-Ç’shikoni?! Ejani, na jepni një dorë ta fusim brenda!
U ngritëm unë dhe vëllai i Luanit, kurse Shabani, bëri gati aparatin. E shtymë, viçi më në fund u dorëzua dhe hyri në “shtëpi”. Shabani shkrepi pesë a gjashtë foto, të cilat më pas përfunduan në faqet e gazetave gjermane të landit të Bavarisë me diciturën: Bagëtitë në Shqipëri preferojnë të transportohen vetëm me “Mercedes-Benz”!
Episodi i tretë, i vërteti
Viti 1993. Së bashku me mikun tim, F. Ç., po udhëtonim për në Greqi, për një shërbim me makinën time, “TOYOTA” e kuqe, një “mushkë” e vërtetë. Përpara se të mbërrinim në Kakavijë, u kthyem në Vrisera tek lokali i një mikut tim, Vasilit, për një kafe. Në ato vite, rruga për në Kakavijë ishte copë-copë. U ulëm në verandën e lokalit të Vasilit, duke porositur dy kafe speciale, për ne kuadrot. Vasili u largua dhe shpejt u kthye me dy kafet në tabaka. Duke shijuar kafet, papritur shikimi më mbeti në një qoshe ngjitur me murin e lokalit ku gjendej një makinë e mbuluar e mushama. U ngrita, i erdha vërdallë makinës dhe pyeta Vasilin:
-Ç’është kjo, o Vaso?
– Lëre, lëre – u përgjigj Vaso, është një “Benz-Mercdes”, prodhim i vitit 1990, i një greku, e përplasi në Kakavijë dhe ma fali mua.
– Zbuloje, ta shoh – vazhdova unë.
Vasili, duke u mburrur, hoqi mushamanë dhe e hodhi për tokë. Ç’të shikoje! Një “Mercedes-Benz” fringo i ri, me dy porta, sportiv, me stemën në mes të maskarinos, vezullonte nën rrezet e diellit. Por, nga krahu i pasagjerit, nga feneri deri tek dera e pasagjerit, e kishte bërë copë.
-Ecën, ecën ky o Vaso me këtë goditje që ka ngrënë?
-Po, ore – vazhdoi Vasua – për bukuri, dalë bëj ndonjë xhiro çdo ditë në Gjirokastër.
-Pa targa – vazhdova unë.
-Pa targat i mori greku me vete. Sa të gjej një kohë e do e çoj në Janinë për riparim.
-Vaso, do ma shesësh mua “Benz”-in?
-As që bëhet fjalë – u përgjigj Vaso, pak me nerva.
-Unë do të ta marr, por e dua të ma shesësh me mirëkuptim ngaqë jemi miq! -Harroje, Pëllumb!
-Jepja – foli së fundmi edhe F. Ç, – jepja se ai ta merr!
-Kalo taksidhi (rrugë të mbarë, greqisht) – na e preu shkurt Vaso dhe u fut në lokal.
Ikëm. Mbaruam punë në Athinë dhe pas pesë apo gjashtë ditësh, u kthyem. Vajtëm në komisariatin e policisë, kërkova dhe takuam edhe Shefin e Qarkullimit, miku im dhe i Bashkim Finos.
-Ç’ka ngjarë, na pyeti ai.
– Asgjë, asgjë, të thërritëm për kafe i thashë unë dhe u ulëm në kafen përballë komisariatit.
-Dëgjo – vazhdova unë – Vasua në Vrisera që ti e njeh, ka në oborr të lokalit një “Mercedes-Benz” pa targa, ia ka falur një grek, kuptohet është edhe pa dokumente se i ka marrë greku.
-Po, po, e kam parë. Është super. Në atë vit në Gjirokastër qarkullonin vetëm tre “Benz”-a (sipas shefit) dy në Lazarat dhe një në Gjirokastër, të tre 240.
-Dua që kur të dalë nëpër qytet, t’ia bllokosh që të detyrohet të ma shesë mua.
-Pa merak – tha shefi, punë e mbaruar.
Pas nja dhjetë ditësh, Vasua (sipas shefit të qarkullimit) kishte dalë nëpër Gjirokastër me “Benz”-in, ashtu copë-copë sepse sipas Vasos, “merr syrin e keq nga goditja”. Me të marrë njoftimi, shefi i qarkullimit bllokon makinën dhe e fut në Komisariat. Kundërshtimi i Vasos është i vakët, sepse makina është pa targa dhe pa dokumente.
-Dëgjo, Vaso – i kishte thënë shefi, ai “Benz” nuk del më nga komisariati. Edhe sikur të jepet urdhër nga “lart”, nuk bën vaki me ato mangësi që ka makina. Të këshilloj si mik t’ia shesësh Pëllumb Vrekës e të flesh mendjen, të mos kesh më “andralla”.
Vasili kishte kruar zverkun dhe më pas i kishte thënë shefit që:
-Epo mirë, përderisa thua edhe ti, le të vij ta marrë.
Më njofton shefi që Vasua ra dakord ta shesë makinën.
Mora paratë, (tetë milionë lekë të vjetra), ia hipa një furgoni të linjës për në Gjirokastër, një furgon copëcopë, rrangallë ku të grinte era. Arrita në Vrisera me shefin e qarkullimit dhe i vura Vasos lekët në tavolinë. Vasua, pa i qeshur buza, nxori çelësin, ma dha dhe pastaj, një mirë u pafshim, të mërzitur. Mora makinën, të nesërmen shkova në Parkun e Delegacioneve, u prezantova dhe drejtori më priti shumë mirë. Thirri Xhelën dhe i tha:
-Pëllumbi ka një super- ”Benz” të goditur, shiheni e kontrollojeni për problemet që ka.
Që nga ajo kohë ne u bëmë miq deri kur, siç thashë më sipër, ai kaloi tek “Benz-Mercedes”-i në autostradë. Qarkullimi dhe udhëtimi me atë “Benz-Mercedez”, me targa TR0025 B ishte i hatashëm. Nuk kishte “Benz-Mercedes” të tillë në Shqipëri në atë periudhë. Kjo deri në vitin 1996, kur një tjetër “Benz-Mercedes”, super klas 500 SEL, prodhim i vitit 1993, hyri në Shqipëri për hesapin tim. Në prill të vitit 1996, më njoftojnë një grup shqiptarësh nga Italia (dy prej tyre i kisha ndihmuar në komisariat kur isha me shërbim në Fier) se kemi grabitur një “Benz-Mercedes” të një bosi gjerman që ishte me pushime në Napoli. Ata e dinin që unë isha i fiksuar pas “Benz”-ave si Bashkim Fino pas celularëve. “Të ta nisim në Shqipëri” – më thanë? Njëkohësisht më dërguan edhe foton e tij, sepse në vitin 1996, Berisha me Gazideden kishin vendosur sistemin e celularëve me AMC, ku në aparatin me gjithsej 100 numra numri im ishte i 81-shi.
-Dërgojeni – u thashë – se letrat i rregulloj vet. Viti 1996 ishte viti i rrumpallës në Shqipëri, për regjistrim pronash e makinash, aq më tepër që kisha edhe kredibilitet. “Benz”-i erdhi, e mora në Durrës, “Mercedes-Benz 500 SEL”. Kishin hyrë TIP 300 me naftë por që nuk i afroheshin fare “Benz-Mercedes 500 SEL”. Mbi të gjitha (ky “Benz” që unë e kam akoma këtu e tridhjetë vjet) ka qenë një prodhim jashtë serie me porosi të atij bosit gjerman sepse ka sistem gjysmë të blinduar, televizor, radio, magnetofon, telefon shtëpie, sistem celulari si edhe atrecatura të tjera. E veçanta e tij është se përveç antenës sipër kabinës, ka edhe dy antena, që edhe sot e kësaj dite nga viti 1996 nuk i ka asnjë “Benz”, qoftë edhe 500 SEL. Këto sisteme ishin të porositura nga bosi pronar i saj. Targën ia vura TR 5650 D. Një ndodhi e vogël për këtë “Benz-Mercedes”, jashtë serie, i vetmi, unik në Shqipëri. Ishin tek Piramida, aty kishte zyrën e tij F. Ç. Së bashku me S. K. Kodrën po pinim kafe te lokalet përballë Piramidës. Pasi mbaruam, dolëm dhe F. Ç më pyet:
-Ku e ke “Benz”-in?
Ja – i thashë, atje mbi trotuar (sepse unë këtë “Benz” përgjatë tridhjetë vjetëve e kam pasur të pamundur ta parkoja). S. K. e pa dhe duke u ofruar tha:
-Po ti ç’i ke venë ato antena?
-Pse, ia ktheva unë, të dukem që shpoj makinën e të vë antena kuturu?
-Jo, jo – ia ktheu F. Ç, i ka origjinale.
-Po pra, vëmë bast me pesë mijë lekë, nëse nuk i ka false.
-Eja, i thashë unë, bastin e humbe dhe hapa tapicerinë dhe di tregova bokset e çdo antene që me kabllo shkonin brenda makinës.
-Jepi, i tha F. Ç. pesëmijë lekëshin dhe herë tjetër mos u ngut.
-Epo, tha S.K., edhe kësi “Benz”-i nuk kisha parë deri më sot.
Historia e këtij “Benz”-i vazhdoi me vite të tëra të ishte në kërkim. Shkova në Ministrinë e Brendshme dhe takova një mikun tim, I.Mustafaraj dhe i them:
-Futu pak në sistem dhe shiko për “Benz”-in tim me numër shasie x-y, nëse është në kërkim. Mustafaraj u largua dhe për habinë time, u shfaq në ekran, në profil “Benz-Mercedes”-i që disponoja unë, së bashku me shënimet, vendi ku ishte grabitur, vitin, muajin, datën, ditën dhe orën. Plus shënimit që kush e pikaste, të njoftoj në numrin x të kompanisë “Benz-Mercedes”. Ky avaz vazhdoi plot shtatëmbëdhjetë vjet. Kështu, unë nuk mund të shkoja jashtë shtetit nëpër vendet e Tregut të Përbashkët Europian se figuronte në të gjitha sistemet doganore kufitare. Ndërkohë që ishte në kërkim, u ndodha në zyrën e konsullit të ambasadës greke, ishte viti 2015 dhe po bisedoja për punën e makinës, nëse mund të shkoja në Greqi dhe ç’garanci kisha nga ambasada. Hyri ambasadori, ne njiheshim dhe duke më venë dorën në sup, iu drejtua (konsullit)- ç’e mirë e ka sjellë Pëllumbin këtu?
-Ja, i tha Kristo kërkon të shkojë me “Benz”-in e tij në Greqi, por ngaqë është në kërkim, nuk ia mban.
-Shko-shko, tha ambasadori, shko në Kozanë, pi kafe dhe ktheu, po pate problem, njofto Kriston. Vendosa të shkoja në Greqi. Ishte muaji nëntor, shirat ishin të shpeshta, rruga ElbasanPrrenjas që u shemb mirë këto ditë, ishte shembur edhe atëherë, por në përmasa më të vogla. Fakti i rrëshqitjes më ndihmoi si një sinjal që mos u nis. Dhe nuk u nisa. “Benz”-i shpëtoi nga sekuestroja e policisë greke, e cila do më kërkonte edhe hesap se ku… e vodhe! Pas ndonjë muaji u nisa për në Elbasan. Në hyrje të Elbasanit, ku unë shpesh ndaloja për të ngrënë drekë se pronari ishte miku im. U futa brenda, restoranti është në kat të dytë. Gjeta pronarin me nja gjashtë a shtatë veta të tjerë, si biznesmenë apo të persekutuar.
-Me çfarë ke ardhur, më pyeti Tani, pronari – me “Benz”-in?
-Po – i thashë, nuk i zbres më atij. -Ejani tek dritarja, iu tha të pranishmëve ai, të shihni se çfarë “Benz-Mercedez”-i ka ky zotëria. “Benz”-i shkëlqente në diell, apo nuk kishte edhe një ngjyrë gri metalizato të veçantë. Të gjithë shprehën admirim për makinën.
-Eh, psherëtiva unë, nuk guxoj të dalë jashtë shtetit se është në kërkim dhe ma bllokojnë nëpër dogana.
-Dëgjo – tha Pojani. – Shko në Maqedoni me të, po t’a morën maqedonasit hajde këtu, ja ku janë këta burra, do të të jap unë pesëdhjetë mijë dollarë të blesh tjetër!
Në Maqedoni, ishim njohur me dy vëllezër të cilët kishin një fabrikë lëngjesh dhe unë importoja lëngje prej tyre për tregun shqiptar. Pas një jave shkova përsëri në Maqedoni, ishin ditët e Samitit të Ohrit. Rrugëve kishte patrulla policije dhe paramilitarë maqedonas. Me frikë kaloja para tyre, se mos më thoshte ndonjëri “ndal”. Por fatmirësisht deri në Gostivar ku ndodheshin dy vëllezërit nuk më ndaloi njeri. I lehtësuar parkova makinën para hotelit të tyre dhe i gjeta në restorant.
Pasi u përshëndetëm, i madhi më pyeti:
-Me çfarë kerrit ke ardhur?
Ejani, u thashë me mburrje, ejani ta shikoni. Dolën, jashtë dhe ata nuk u besonin syve.
-Ç’ka asht kjo lubi, mor Pëllumb, a paska edhe në Shqipëri kësi makinash?
-Po, i thashë unë, ja kjo është e vetmja dhe e veçanta, jashtë serisë.
-Epo veç në Austri, kem pa kësi makinash (ata vetë kishin punuar me vite në Austri).
-Epo ia preu i vogli – akoma pa i ikur habia, kush e ndalonte këtë makinë. Këtë makinë “Benz-Mercedes” veç Gruevski (ish-kryeministri i Maqedonisë) nuk e ka, kërkush tjetër. Kështu dhe këtu mbyllet historia me “Benz-Mercedes” në Shqipëri.
Autori, drejtor i revistës “HOSTENI”
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












