“Kur loti ngrin në qepallë”, dramë me motive nga Kadare e Gërvalla

Feb 15, 2012 | 11:56

Muaji i aktiviteteve “Një komb, një kulturë” vazhdon me një pjesë homazh për vëllezërit Gërvalla. Pas “Natës së Helverit” me regji të Altin Bashës dhe interpretimit të dy aktorëve të Prishtinës, në skenën e Teatrit Kombëtar ngjitet trupa e Teatrit “Istref Begolli” të Pejës. Atmosfera e luftës zhvendoset nga vitet ’40, më afër në kohë, në vitet ’80, në periudhën e acarimit të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës. Temat mbi luftën e Kosovës vazhdojnë të jenë ende në qendër të krijimtarisë së artistëve kosovarë. Pejanët vijnë me pjesën “Kur loti ngrin në qepallë”, e ndërtuar mbi motive të veprës së Ismail Kadaresë dhe Jusuf Gërvallës. Artistët Nimon Muçaj dhe Jahi Jahiu kanë përshtatur një dramë-biografi mbi motive politike dhe të historisë së Kosovës nën Jugosllavinë, që u kushtohet vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, të vrarë në janar të vitit 1982. E konceptuar në formën e një drame, ajo vjen nën interpretimin e aktorëve Andi Gervalla, Luan Daci, Armend Baloku, Rudina Zhara, Doruntine Gerguri, Muradie Muriçi, Nimon Muça, Myrvete Kurtishi etj. Pjesa u ngjit së pari në skenën kosovare me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së këtyre dëshmorëve të Kosovës e më pas në skenën e Shkupit, ku u zhvilluan edhe të tjera aktivitete përkujtimore për nder të tyre. Dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë në Gjermani më 17 janar 1982 në një atentat makabër, i cili u faturohet shërbimeve sekrete jugosllave. Regjisori Jahi Jahiu e ka ndarë dramën në dy pjesë, ku në të parën trajtohet krimi i organizuar nga forcat serbe, ndërsa në pjesën e dytë, ai përgjithëson dhimbjen e nënave, përmes ligjërimit epik. Kjo vepër-homazh nuk i takon vetëm atdhetarizmit të këtyre figurave. Njëri prej tyre, Jusuf Gërvalla, ishte një nga poetët dhe shkrimtarët më premtues të kohës. Disa nga përmbledhjet që ai arriti të botonte, janë “Fluturojnë e bien”, “Kanjushë e verdhë”, “Shtëpia në kornizë”, “Skena nga jeta e fshatit”, “Shenjat e shenjta”.

© Panorama.al

Te lidhura