Kuper: Beogradi interpreton ‘gabimisht’ fusnotën

Jun 13, 2012 | 20:31

Ndërmjetësi evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Kuper ka thënë se Beogradi interpreton gabimisht marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Sipas tij, insistimi i Beogradit që në tabelën me emrin e Kosovës dhe yllin të shkruhet teksti i plotë i fusnotës, është interpretim i gabuar i marrëveshjes.

“Fusnota është fusnotë. Eshtë e mjaftueshme që teksti i fusnotës të qëndrojë në dokumentet e takimeve rajonale”- ka thene ai gjatë debatit për Kosovën në Qendrën për Politikë Evropiane në Bruksel.

Në muajin shkurt, Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar që Kosova, në forumet rajonale, të përfaqësohet me fusnotën, e cila përmban Rezolutën 1244 dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në takimin e sotëm, Kuper ka thënë se nuk pret që vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, të ndryshojnë qëndrim së shpejti.

“Fakti që BE-ja nuk ka qëndrim unik ndaj pavarësisë së Kosovës, është më shumë problem i BE-së sesa Kosovës, e cila duhet të përqendrohet në reforma”, ka thënë Kuper.

Shtetësinë e Kosovës nuk e kanë pranuar ende pesë vende të Bashkimit Evropian: Greqia, Spanja, Sllovakia, Qiproja dhe Rumania. (rel)

© Panorama.al

Te lidhura