Ditët e fundit kam ndjekur me vëmendje disa zhvillime – në pamje të parë rutinë – që lidhen me sektorin e arsimit të lartë në Shqipëri. Arsyeja përse po i shkruaj këto radhë e merr pikënisjen nga publikimi i djeshëm i një “skandali” në mediat italiane dhe shqiptare mbi quote: “… marrjen e një diplome të universitetit ‘Kristal’ nga djali i politikanit italian Umberto Bossi…”, ku, siç nënvizohet në shtyp: “… diploma është lëshuar brenda një viti për një person, i cili nuk ka asnjë vulë shqiptare në pasaportë…”. Shtysa e dytë vjen nga koincidenca e organizimit një ditë më parë të emisionit “Opinion” me temë mbi arsimin privat në Shqipëri, ku nga mënyra si u shtjellua debati, u investua për krijimin e një opinioni përgjithësues jorealist, që i mëshon krijimit të panevojshëm të një hendeku midis arsimit shtetëror (theksoj “shtetëror”, sepse në Shqipëri ende nuk mund të flitet për arsim të lartë “publik”) dhe atij privat, duke etiketuar dhe përgjithësuar përsëri en block këtë sektor si quote: “piramidat e treta shqiptare”, pas atyre “financiare” dhe “tullumbaces së ndërtimit”…
Kjo shtysë bëhet edhe më e madhe po të sjellim në kujtesë edhe prononcimin publik para disa javësh të liderit të opozitës shqiptare, i cili,, me gjithë respektin tim të plotë për të drejtën parimore që i jep roli i tij për të bërë oponencën e nevojshme ndaj politikave publike, nuk arriti të shpëtojë pa bërë etiketime përgjithësuese negative “en block” për të gjithë sektorin e arsimit privat, pa përjashtim, sipas një logjike jo të shëndetshme e që kultivon në shkëmbim një frymë jokorrekte ndaj sipërmarrjes private dhe jofitimprurëse në këtë sektor apo tërësi, sipas logjikës “bashkë me të thatin të digjet edhe i njomi”.
Në reagim të kësaj situate disi të mbarsur, që kultivon pa dashur një ndjenjë stigme dhe urrejtjeje ndaj privates, duke glorifikuar gati në absolutizëm publiken, përveç shqetësimeve mjaft të drejta e qytetare që ngrihen, për fat të keq po stimulohet gradualisht edhe një spirale negative e opinionit publik me objektiva të caktuara politike. Prandaj, në emër të vlerave qytetare personale në të cilat unë besoj, si dhe në emër të institucionit dhe ekipit që përfaqësoj (që veç stafit shqiptar apo nga vende të tjera të rajonit, integron me dinjitet edhe mjaft profesionistë dhe akademikë të nderuar dhe cilësorë italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri), më duhet të bëj një koment të shkurtër me qëllimin që të distancohemi publikisht nga fenomeni në fjalë, si dhe për të protestuar për tendenca të caktuara jokorrekte të manipulimit të debatit publik, duke e ftuar shoqërinë shqiptare, politikanët, mediat dhe opinionbërësit të reflektojmë dhe të reagojmë për të atakuar më pas së bashku me dinjitet dhe gjakftohtësi temën në fjalë. Për fat të keq, në një mjedis ekstremisht të politizuar kjo çështje tenton të “banalizohet” dhe “rutinizohet” duke bërë që rasti konkret të rrezikojë të kthehet në tendencë, ndërkohë që çështja në fjalë është tejet jetike për të ardhmen e vendit!
Së pari, duhet të nënvizoj se arsimi i lartë në Shqipëri është një sektor me mjaft probleme për shumë arsye, sa historike, aq dhe ato të një tranzicioni kompleks social dhe politik, ku vëmendja e politikëbërjes ndaj edukimit ka qenë për shumë arsye e shfokusuar. Për më tepër që edhe në vendet më të zhvilluara sot kultura dhe arsimi qartësisht kanë hyrë seriozisht në një fazë krize besimi dhe identiteti. Në këto kushte, gjatë dekadës së fundit, autoritetet shqiptare (të majta e të djathta) arsyeshëm janë detyruar të promovojnë konkurrencën edhe në sektorin e arsimit të lartë, me qëllim që të adresonin problemet e agravuara të arsimit të lartë shtetëror, i cili, në bazë të fakteve të dekonspiruara publikisht po nga mediat që në fillim të viteve 2000, përfshin mjaft raste korruptive të të gjitha formave, si: ryshfete; abuzime seksuale; konkurse false; bllokim të qëllimshëm të kërkimit shkencor; konflikt interesash në promovimin e karrierës, gradave e titujve; ndërhyrje të politikës etj; pa folur për manipulimin ideologjik të së kaluarës…
Prandaj, ndryshe nga logjika dhe përvoja e shumicës së vendeve të BE-së, prezantimi i sektorit privat në vendet e Europës Lindore, e aq më tepër në Shqipëri, më shumë se nevojë ka qenë një domosdoshmëri dhe pjesë e një reforme radikale të vonuar dhe të shumëpritur, që kërkon mirëkuptim! Ky “novitet” i debatueshëm i këtij shërbimi publik, që në thelb më shumë inspirohet nga përvoja e shkollave britanike dhe Amerikës së Veriut, natyrisht është interpretuar në kushtet e Shqipërisë në disa raste me mjaft korrektesë dhe në disa raste me probleme serioze. Sidoqoftë, pas 10 vjetësh investim, tashmë arsimi i lartë privat në Shqipëri është një realitet i pakontestueshëm me të mirat dhe të këqijat e veta, si çdo fushë tjetër e shoqërisë. Ky sektor ka ndihmuar në zgjidhjen e disa problemeve të agravuara të arsimit të lartë në Shqipëri, që u trashëguan jo pa kosto në vitin 2005, sikurse ka hapur që atëherë dhe sot edhe mjaft problematika të tjera të reja gjatë rritjes, që meritojnë vëmendjen serioze të autoriteteve. Sepse në thelb, për shkak të rrethanave të caktuara historike, Shqipëria po bën sot diçka që disa vende të tjera të botës e kanë bërë 3-4 shekuj më parë, pas arritjeve dhe dështimeve të ngjashme, të cilat duhen përballur me kurajë edhe nga ne, por jo të demonizohen!
Por, momenti i “skandalit Bossi”, apo komentet e politikanëve dhe opinionistëve të caktuar në Shqipëri apo Itali, nuk mund dhe nuk duhet të shërbejnë si një rast për të gjeneruar një stuhi paragjykimi apo gjueti shtrigash dhe lançim publik të një sektori të tërë bashkë me përpjekjet e mëdha njerëzore që po bëhen. Nuk mund të zhbëhen kështu gjërat me një të rënë të lapsit dhe duke i futur të tërë në një kallëp! Përvojën e hidhur të demonizimit dhe lançimit të privates si “armik” ne e kemi provuar një herë dhe nuk mund të ripërsërisim më gabimet e kaluara. Shkurt, shoqëria shqiptare duhet të heqë dorë nga komplekset dhe paragjykimet që e bëjnë të konsiderojnë sektorin privat si “kulak”. Aq më tepër të vijojmë me mungesën bizantine të kurajës për t’u përballur me të vërtetën dhe problemet, për t’i dhënë gjithkujt atë që i takon!
Ky moment spikatës nuk mundet kurrsesi dhe nuk duhet të shërbejë si një rast hakmarrjeje të padrejtë dhe xhelozie tipike ballkanike ndaj të gjithëve! Problemet të cilat janë evidente nuk mund dhe nuk duhet të përgjithësohen, e aq më tepër të etiketohen të gjitha “piramida dhe abuzive”. Aq më shumë ky moment nuk duhet të shkaktojë tensionim dhe vendimmarrje të nxituar apo kamxhikim të tipit “me aksion” nga ana e autoriteteve, sikurse është tradita e shoqërisë sonë. Rasti kërkon një operacion të kujdesshëm dhe para së gjithash të moralshëm. Sepse në Shqipëri, për hir të së vërtetës, ka një përpjekje serioze dhe legjislacion modern për të trajtuar me dinjitet dhe seriozitet çështjet e arsimit të lartë në Shqipëri. Problemi është se duhet që këto ligje, si në çdo fushë, edhe në arsim, të zbatohen me rigorozitet dhe përpikëri për të gjithë dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Pra, pas këtij rasti më shumë se kurrë ka ardhur koha që “gjithkush të marrë kapelën që i takon”. Por, vlerësimi duhet të bëhet mbi bazën e meritokracisë, të punës dhe rezultateve të prekshme, sesa të parimit të gjeneralizimit apo ndëshkimit emocional të trashëguar nga e kaluara. Në të kundërt, nëse ky vend dëshiron të ecë përpara dhe të bëhet pjesë pozitive e BE-se, ai në të gjitha fushat duhet të evidentojë, inkurajojë, përkrahë dhe promovojë inciativat më të mira të tipit “best practice”; si dhe të kurojë me kurajë duke marrë masat e parashikuara nga ligji ndaj atyre që abuzojnë, nëse për këtë ka prova dhe fakte të qëndrueshme.
Në lidhje me rastin konkret nuk mund të jem as indiferent dhe as paragjykues, por mendoj se autoritetet shqiptare i kanë të gjitha instrumentet institucionale dhe ligjore të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit për të bërë verifikime të sakta dhe pa paragjykim, në dobi të palëve të angazhuara në çështjen në fjalë dhe sidomos të shoqërisë në tërësi. Po në këtë logjikë, edhe politikanët duhet të heqin dorë nga retorika e ashpër dhe e pandershme në kurriz të atyre që janë serioze dhe performojnë duke kontribuar në mënyrë të qartë dhe të shumëfishtë për shoqërinë dhe ekonominë e vendit.
Përsa i takon publikut të gjerë dhe tregut në Shqipëri, ata tashmë nuk janë më as naivë dhe as infantilë. Madje, më duhet të them se opinioni publik e ka bërë në heshtje klasifikimin e institucioneve që konsiderohen “korrekte” dhe të atyre që “shesin diploma”. Publiku i kupton shumë mirë zhvillimet në këtë sektor e në tërësi, edhe pse duhet nënvizuar që shpesh po jetojmë jo pa kosto situata të tiranisë së informacionit apo të keqinformimit për shkak të uzurpimit të jetës dhe debatit publik nga një grusht i kufizuar opinionbërësish të “porositur” që fatkeqësisht paguhen për të “ndërtuar opinione të caktuara” nga qarqe të caktuara me interesa në biznes dhe politikë.
Për këtë arsye dëshiroj të adresoj me shumë respekt dhe në mënyrë të veçantë komunitetin e sipërmarrësve të mediave, gazetarët dhe opinionistët, të cilët kontribuojnë çdo ditë për informimin dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur e të bazuar në vlera. Është koha që këta aktorë të pozicionohen qartë në debatin mbi “sistemet false apo piramidale” duke dhënë një shembull që fillon prej tyre, për të hequr vetë dorë së pari nga përfitimet financiare që vijnë prej reklamave të pandershme nga institucione, të cilat abuzojnë e mashtrojnë publikun dhe deformojnë tregun.
Sot më shumë se asnjëherë tjetër është akoma më imediate heqja dorë nga kultura e demonizimit të të gjithëve, po aq sa bëhet e domosdoshme kuraja për të përmendur emra konkretë problematikë të pakontestueshëm, përtej gjeneralizimit të neveritshëm të debatit publik. Keqinformimi i publikut për interesa të ngushta të një “rroge të mirë ditore” apo të tifozllëkut partiak, jo vetëm që nuk ndihmon askënd, por kultivon një shoqëri që nesër me logjikën e bumerangut stimulon kulturën e të konsideruarit të padrejtë të të gjithë gazetarëve si “të shitur”, dhe të gjithë politikanëve si “mafiozë”…. Edhe këtu duhet t’i japim Cezarit atë që i takon! Sepse edhe këtu opinioni publik tashmë është bërë në heshtje më i mençur dhe po aq me përvojë!
Së fundi, më duhet të nënvizoj jo pa shqetësim se importimi “naiv” dhe gjeneralizues i skandaleve publike e politike me faturë imazhi, me paragjykime dhe konsekuenca social-ekonomike për Shqipërinë dhe shqiptarët, do të ishte tashmë jo më një naivitet, por një faj. Do të ishte një gjeneralizim që ndërton paragjykime raciste dhe sjellje antishqiptare, qoftë për mediat dhe klasën politike në Shqipëri apo Itali. Kjo nuk pengon askënd që në një sistem demokratik të hetojë rastet në fjalë dhe të denoncojë abuzimin kur ai ekziton, por – e theksoj me forcë – pa gjeneralizuar dhe pa etiketuar një segment të tërë shoqëror, apo edhe më keq, një shoqëri të tërë.
Është evidente se edhe në Shqipëri nuk jemi të imunizuar nga rastet e eksportimit të skandaleve për llogari të luftës së brendshme politike përmes filtrave mediatikë të huazuar nga jashtë (Bosnja, Serbia, Greqia, Italia apo së fundi edhe nga Kosova) për qëllime ekonomike dhe politike të ditës. Për të mos bërë rolin e strucit, më duhet të them me zë të lartë se shoqëria shqiptare së pari duhet të fillojë të kurojë vetë me kurajë problemet e saja, duke i ftuar më pas mediat dhe politikanët italianë që të dëshmojnë se dinë ta bëjnë politikën e tyre të brendshme dhe janë të aftë të zgjidhin problemet e tyre duke mos e “shtyrë topin drejt fqinjit”. Problemet e brendshme politike të Italisë, aq më tepër karriera politike e Umberto Bossi-t, nuk varen dhe nuk mund t’u faturohen përsëri me parimin gjeneralizues nënkuptimeve etiketuese raciste në kurriz të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve. Sa për shqetësimin e ngritur me të drejtë nga mediat për rastin në fjalë, më duhet të them se kudo vlen shprehja shqiptare: “Pyll pa derra s’ka”!
Por unë jam i bindur se në Itali ka sensibilitet të lartë dhe vullnet pozitiv që marrëdhëniet midis dy vendeve të mos kthehen më kurrë në kohën e “L’America”. Sepse edhe pse në thelb ne jemi “familje e përbashkët e Adriatikut”, do të ishte në dinjitetin e medias dhe politikës italiane që të evidentojë, krahas rasteve problematike të rritjes së Shqipërisë, edhe arritjet e pakontestueshme të një sforcoje të madhe humane që meriton më shumë respekt. E them këtë sepse miqtë dhe kolegët e mi të mirë italianë më kanë dëshmuar dhe dëshmojnë çdo ditë se edhe në këtë rast koha e sindromës së përgjithësimit, kur të gjithë shqiptarët konsideroheshin me pa të drejtë si “mafiozë”, ka perënduar. Një paragjykim i padrejtë nga i cili ka vuajtur edhe Italia. Aq më tepër që në morinë e atyre shqiptarëve që pas viteve ‘90 për arsye nga më të ndryshmet tashmë kanë ndërtuar jetën në Itali, shumica janë njerëz dinjitozë e të integruar me bujari nga shoqëria italiane, sikurse ka gjithmonë dhe më shumë italianë të mirë që punën dhe jetën e tyre sot po e ndërtojnë krejt normalisht në Shqipëri. Sinqerisht i uroj Italisë dhe italianëve fushatë të mbarë, sikurse uroj një trajtim të ftohtë dhe serioz të rastit nga autoritetet dhe shoqëria shqiptare!
*Rektor, Universiteti POLIS
© Panorama.al












