Kunati i Bregut, 3 padi për bllokimin e pronave

Jun 22, 2011 | 11:35

TIRANE – Biznesmeni Ervis Gjeçaj i kërkon Gjykatës së Lartë “lirimin” e pasurive të tij të sekuestruara në tetor të vitit 2010, pas nisjes së hetimeve ndaj italianit Albino Prudentino, i dyshuar si një nga bosët e “Sacra Corona Unita”. Bëhet fjalë për disa llogari bankare të Gjeçajt dhe të shoqërisë ku ai ishte aksioner, “Betting System Albania”, sendeve pronë e Casino Italia në ambientet e kompleksit “Muza Park” në periferi të Tiranës, si edhe pajisjeve të ndodhura në ambientet e shoqërisë “B.S.A.”. Pasuritë e biznesmenit Gjeçaj, i njohur edhe si kunati i ministres Majlinda Bregu, u sekuestruan nga Gjykata e Vlorës. Sekuestrimi i tyre u bë pas kërkesës së organit të akuzës për llogari të hetimeve ndaj Prudentinos, i dyshuar për akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Prudentino u ekstradua drejt Italisë më 11 janar të këtij viti. Lajmi për rekursin e Gjeçajt bëhet i ditur nga burime zyrtare të Gjykatës së Lartë. Sipas burimeve, pak ditë më parë, në këtë gjykatë janë depozituar tre rekurse, ku kërkues është Ervis Gjeçaj. Bëhet e ditur se objekti i rekursit të parë është “kundërshtimi i vendimit datë 06 tetor 2010 i prokurorit N. Tavani për sekuestrimin e llogarive bankare në emër të shoqërisë ‘Betting System Albania’ dhe Ervis Gjeçajt”. Sipas kërkesës, këto llogari ndodhen në një bankë të nivelit të dytë në vend. Objekti i rekursit të dytë është “kundërshtimi i vendimit datë 04 tetor 2010 i prokurorit N. Tavani për sekuestrimin e sendit pronë e shoqërisë ‘Casino Italia’, ndodhur në ambientet e bar restorant ‘Muza Park’ në Mullet, Tiranë”. Ndërsa objekti i rekursit të tretë të Gjeçajt në Gjykatën e Lartë mbante si objekt: “kundërshtimi i vendimit datë 06.10.2010 i prokurorit N. Tavani për sekuestrimin e sendeve të ndodhura në ambientet e shoqërisë ‘Betting System Albania'”. Burime pranë Gjykatës pohuan se këto kërkesa ende nuk i janë nënshtruar shortit që do të përcaktojë kolegjet penale që do t’i shqyrtojnë ato. Pas miratimit të sekuestrimeve të mësipërme nga Gjykata e Shkallës së Parë të Vlorës, Gjeçaj e ankimoi vendimin në Apel. Por, Apeli, me një vendim të datës 7 dhjetor 2010, vendosi “mospranimin e ankimit”. Ky vendim i Apelit u kundërshtua në Gjykatën e Lartë dhe më pas tri vendime të kësaj të fundit prishën vendimet e Apelit dhe i kthyen çështjet për rigjykim me një tjetër trupë gjykuese. ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura