Në jetën e një vendi apo të një shoqërie ka momente kur kultura dhe tregu i saj janë në krizë ose në një gjendje të vështirë. Diçka e tillë ndoshta mund të duket e natyrshme në një kohë kur shtohet jo vetëm vështirësia e qenësishme e përthithjes së saj, por edhe gjendja e shtrënguar ekonomike. Gjithçka shpjegohet e ka ndodhur përkohësisht edhe më parë. Në një treg të vogël si ky i yni, me një gjuhë të shkruar e të rrallë dhe, për pasojë, me një qarkullim të ngadaltë të librit dhe me një periodicitet të përzgjatur të tirazheve të tij, një vështirësi e tillë bëhet gati e përbri-rrojtshme me ekonominë dhe cilësinë e botimeve shqiptare. Guxojmë të themi cilësinë, sepse libra të veçantë të llojit të filozofisë, historisë, albanologjisë apo shkencave humane, janë të vështirë për të qarkulluar në çfarëdolloj vendi, për rrjedhim edhe te ne, e ata kërkojnë jo vetëm më shumë kohë e më shumë mund ekonomik, por janë edhe vështirësisht të qarkullueshëm për arsyet e specifikës që i karakterizon.
Mirëpo çdo moment apo gjendje e vështirë bëhet akoma dhe më e dëmshme kur ajo që thyhet është ideja për kulturën dhe instrumentet e kryerjes së saj, më tepër se sa vetë zhvillimi i jetës politike. “Kultura mund të gjendet në krizë, por në krizë nuk duhet të gjendet kurrë ideja për kulturën”. Kështu shkruan një shkrimtar i madh. Gjatë gjithë këtyre viteve, kultura e librit shqip, përtej vështirësive objektive që i ka diktuar gjithmonë tregu dhe veçanësia e gjuhës, nuk mund të thuhet se nuk e ka ndjerë ndihmën dhe përkrahjen konkrete të qeverisë. Madje edhe vetë Kryeministri Berisha i ka mirëkuptuar dhe u është përgjigjur thirrjeve të personaliteteve të jetës publike, botuesve dhe shoqatave të tyre për ta ndihmuar librin me një politikë sociale, siç ka ndodhur me subvencionimet konstante në vite të projektit të shpërndarjes së librave nëpër biblioteka apo edhe për projekte të tjera specifike botimi dhe promovimi panairesh.
Ideja se që të kesh të “korra të bollshme” nevojiten “mbjellje” në perspektivë e projekte ambicioze me investime, që nuk kanë kthim të menjëhershëm në kohë, është një ide aspak e një ëndërrimtari, por për vite të tërë shtytësja vendimtare e progresit perëndimor. Ajo na mëson që duhet ta hapim të ardhmen e ta sfidojmë atë me shpirtin e pionierëve. Është pikërisht ky shpirt ai që i përgjigjet një kulture në lëvizje, për t’u ngritur kundër konformizmit që e mban kulturën inerte. E kjo duket se është kuptuar dhe vlerësuar në mënyrë të drejtë, si e vetmja rrugë që edhe “polisi” shqiptar të formohet dhe kultivohet me frymën e qytetërimit perëndimor.
Në këtë prizëm, kultura e librit është ruajtur si një konstante bazë në mes të gjithë atyre variablave të ndryshueshme në kohë, cilësi dhe ndikim që afron spektri i gjerë i agjentëve kulturëformues të një individi, shoqërie, kombi apo edhe qytetërimi. Është vlerë e çmuar për çdo qeverisje ta bëjë një gjë të tillë, por kjo shndërrohet në një vlerë të shtuar sidomos në gjendjen ekonomike të shtrënguar që dikton koha dhe kriza europiane e botërore, por që realisht tash po e ndiejmë edhe ne. Ndaj, i gjithë ky sforcim dhe përkushtim që është treguar gjatë gjithë këtyre viteve e meriton një emërtim të tillë. Mirëpo një konstante e tillë, edhe pse kriza po ndjehet, sidomos në përvjetorin e njëqindtë të shtetit shqiptar, meriton edhe një trajtim të veçantë. Së pari, ajo duhet të mbetet bazike përballë çdo variabli festiv, brenda apo jashtë vendit, që mund të përpiqet ta kanosë në fonde apo aktivitete në pamje të parë, veç të bujshëm. Së dyti, ajo duhet të mbetet konstante mes aromës së madhështisë së përkohshme të shesheshe e shtatoreve përkujtimore që mund të shkëlqejnë për ca kohë, por që nuk do të mbeten kurrë kulturëformuese dhe të kujtueshme në vite. Pasi libri është i vetmi që mbetet i rrënjosur dhe i shtrirë në mënyrë kapilare në mendjen dhe shpirtin e një populli. Ndaj, njëqindvjetori duhet t’i shtojë, jo t’i pakësojë aktivitetet dhe financimet e përvitshme për librin. Kultura dhe ideja për kulturën nuk duhet të preken as nga shkurtesat e rishikimit të buxhetit, as nga rialokimet e fondeve për projektet e “Shqipërisë dixhitale”. Është vërtet e ardhmja ideja për një zhvillim të tillë, e unë kam qenë ndër të shqetësuarit e hershëm dhe kam përshëndetur zhvillimin dixhital. Por të mos harrojmë edhe atë që theksojnë sot të gjithë studiuesit dhe njerëzit më në zë të shoqërisë dhe politikës. “E ardhmja ka një zemër antike”. Ka zemrën antike të kulturës së librit, të historisë, albanologjisë, filozofisë e kështu me radhë. Është e rëndësishme që vëmendja të përbri-vihet njëlloj. Aq me tepër që edhe fondi i dedikuar për të dyja ministritë kryesore (të Arsimit dhe Kulturës), nuk i kalon as 70-80 milionë lekë (dhe këtu bëhet fjalë për një shtet dhe jo një fondacion), ndaj nuk duhet të preket dhe shkurtohet, përkundrazi. Rasti i njëqindvjetorit duhet ta inkurajojë dhe t’i japë mundësinë qeverisë në realizimin e projekteve madhore për librin, për të shfrytëzuar një mundësi të artë që nuk do t’i përsërite më asnjë qeverie për një kohë të gjatë në historinë tonë. Njëqindvjetorët e një shteti mbeten pika referimi të ndërgjegjes dhe kujtesës së një kombi, ndaj duhet të bëhen të gjitha përpjekjet dhe sforcimet që libri dhe kultura e tij, që e çajnë udhën e vet mes aq shumë vështirësish e pengesash në rritjen e tyre cilësore e mes aq shumë shtrëngesash objektive për qëndrueshmërinë e tyre ekonomike, të përfitojnë një qasje të drejtë dhe të përshtatshme me dimensionin e tyre si konstante bazë mes aq shumë variablave të ndryshueshëm të shoqërisë dhe ekonomisë së një vendi.
Tek e fundit, botimet shqiptare gjatë gjithë këtyre 20 viteve janë munduar ta ruajnë këtë rol të qenësishëm, për të mbetur pika referimi të formimit të ndërgjegjes sonë të re. Tashmë, kur etapa e ndërgjegjes historike shqiptare ka ardhur në një pikë të tillë të lartë si kremtimi i shekullit të parë të rrugëtimit të vet, ajo i ka sytë nga ky njëqindvjetor, për t’i dhënë akoma dhe më shumë forcë përfaqësimit historik, gjeopolitik, albanologjik, në mënyrë që të kryejë rolin e vet konstant si integruesja e domosdoshme me kulturën e Europës dhe Perëndimit. Nuk ka asnjë arsye, qoftë politike, qoftë ekonomike, që mund ta zbehë apo errësojë këtë përkushtim. Pasi e gjitha kjo nuk është aspak as kohë dhe as investim i padobishëm. As duhet të mbulohet nga hareja dhe madhështia e veprave më të dukshme e më të kushtueshme, por nga tharmi i vetë dhe i vërtetë i atij gjallnimi të ri që ne presim t’i ndodhë formimit të ndërgjegjes së “polisit” shqiptar.
© Panorama.al












