Kultivonte kanabis në oborr, pranga 49-vjeçarit

Jul 5, 2012 | 19:02

GJIROKASTER- Kultivimi i 14 rrënjëve kanabis, ka çuar në pranga një fshatar të Golemit në rrethin e Gjirokastrës. Kasëm Islamaj është arrestuar nga forcat e Policisë së Gjirokastrës, në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Në oborrin e banesës së 49- vjeçarit Islamaj në fshatin Golem në Komunën Picar, qëndronin të kultivuara disa rrënjë kanabis sativa.

Duke marrë në konsideratë këtë informacion, policia është vënë në lëvizje të plotë dhe në orët e mëngjesit, mund të identifikonte të gjitha rrënjët e kanabisit, në bahçen e Islamajt. Ky i fundit pranoi se ishte kultivues i hashashit në oborrin e shtëpisë së vet në fshatin Golem ku në mënyrë të vullnetshme, pati mbjellë 14 rrënjë kanabis sativa të cilat varionin në një gjatësi nga 50-80 cm.

Islamaj u arrestua në flagrancë për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi, i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme. Ndërkaq mesditën e të enjtes, një helikopter i Policisë Shqiptare ka qarkulluar në zonën ajrore të komunës së Luftinjës dhe të Kurveleshit në rrethin e Tepelenës. Forcat policore të këtij rrethi janë vënë në lëvizje për identifikimin e parcelave me hashash të cilat dyshohet se janë mbjellë në territoret e këtyre komunave, por burimet zyrtare ende nuk janë shprehur për ekzistencën e mundshme të lëndëve narkotike në këto hapësira malore.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura