Kule, skandali i dytë me makinat

Jul 7, 2012 | 14:30
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule

Tenderët e rektorit Kule në Universitetin e Tiranës duket se janë të mbushur me shkelje. Gazeta botoi raportin e KLSH-së, ku theksohej se Rektorati bleu një makinë të përdorur me një vlerë prej rreth 50 mijë dollarësh. Kontrolli e akuzonte se me një fond të tillë mund të blihej një makinë e re me të njëjtat parametra me atë të përdorur. Dëmi ishte rreth 15 mijë USD. Por, tenderët e makinave kanë qenë shumë ndjellëse për Rektoratin. Raporti i KLSH-së zbulon shkeljen tjetër:
Makina limuzinë
Përveç makinës së klasit të lartë, Rektorati i Kules ka autorizuar fonde edhe për blerjen e një “autoveture, model limuzinë”. Për blerjen e kësaj autoveture, Universiteti i Tiranës ka paguar një çmim prej 2.688.000 lekësh, rreth 26 mijë USD. KLSH vëren se ka një ndryshim prej rreth 237 mijë lekësh nga oferta e ofruar dhe pranuar nga Universiteti si fituese dhe çmimit real të automjetit që është marrë nga dogana. Sipas KLSH-së, çmimi sipas doganës për automjetin tip “Passat”, bashkë me detyrimet doganore, është 2.450.944 lekë. Ndërsa çmimi sipas subjektit ndryshon në të gjitha zërat, si vlerën e automjetit dhe detyrimet doganore, duke e çuar totalin në 2.688.000 lekë. Diferenca mes dy çmimeve është 237 mijë lekë, rreth 2 370 dollarë.
Makinë më e vogël
Por, edhe pse Rektorati i Dhori Kules shpenzon 26 mijë USD për një makinë, sërish automjeti nuk është i parametrave të kërkuara. Pra, ndryshe nga çfarë ka ofruar firma, makina ka një motor dhe fuqi më të vogël. Skandali i diferencës së automjetit real me atë të ofertuar, është zbuluar nga KLSH-ja duke krahasuar të dhënat nga Drejtoria e Transportit Rrugor, ku automjetet marrin lejen e qarkullimit dhe dokumentet e tjera të fuqisë motorike, lëndës djegëse, viteve të prodhimit etj. Nga krahasimi i të dhënave, KLSH ka zbuluar se: “Fuqia e motorit të mjetit sipas lejes së qarkullimit është më e vogël se fuqia e këtij mjeti në ofertën e subjektit fitues. Në lejen e qarkullimit të këtij mjeti nuk është shënuar modeli i mjetit 2.0 TDI, sipas ofertës së paraqitur nga subjekti”. Pra, KLSH tregon se makina e blerë është ndryshe nga makina e ofruar në tender. Një makinë me fuqi më të vogël kushton më lirë se sa një makinë me fuqi të madhe.
Tenderi i vogël
E njëjta procedurë është ndjekur edhe me tenderin e një makine tjetër të blerë nga Rektorati i Dhori Kules. Për një makinë tjetër, tip “Ford Fusion”, janë shpenzuar 1.643.400 lekë. Kjo ka qenë oferta e firmës së shpallur fituese. Sipas KLSH-së, “çmimi sipas referencës është 1.408.890 lekë, pra diferenca e çmimit të fituesit me strukturën e çmimit sipas ofertës është 234.510 lekë (rreth 2340 USD)”. Por, si në rastin e parë, duket se tenderuesit nuk janë mjaftuar vetëm me diferencën e çmimit. KLSH vëren se edhe me këtë makinë, ndryshe kanë qenë parametrat që kanë shpallur fituese firmën dhe ndryshe është makina e marrë në dorëzim. “Fuqia e motorit të këtij mjeti, sipas lejes së qarkullimit, është më e vogël se fuqia e motorit të këtij mjeti në ofertën e subjektit fitues”. Pra, ndryshon makina e ofruar në tender dhe e zgjedhur si fituese nga Rektorati, me makinën që ka marrë në dorëzim vetë Rektorati. Me logjikë, në tender është ofruar një makinë tjetër dhe në realitet Rektoratit i është dhënë një makinë tjetër. Problemi në këtë rast është se Rektorati i Kules e ka pranuar.

Hafizi: Po keqmenaxhohen fondet te Shkencat
Pedagogët e Fakultetit të Shkencave Natyrore denoncojnë keqmenaxhimin e fondeve për investimet që Rektorati i Universitetit të Tiranës sapo ka nisur në këtë fakultet. Në një prononcim për News-24, Mimoza Hafizi, pedagoge në këtë fakultet, deklaroi se 7 vjet më parë kjo godinë u rikonstruktua tërësisht, ndërkohë që prej disa javësh kanë nisur sërish ndërhyrjet. Sipas saj, këto investime në godinë bëhen në një kohë kur Fakulteti nuk ka laborator, aq të nevojshëm për punën me studentët. “Godina është rikonstruktuar nga kati i parë deri në të fundit, tërësisht, para 7-8 vitesh. Para disa javësh ne pamë që të mbërrijnë grupe punëtorësh pa dijeninë tonë. Nuk është marrë fare mendimi i pedagogëve që punojnë aty për përdorimin e fondeve. Ne jemi shumë keq me laboratorë. Laboratorët me të cilët punojmë me studentët janë të viteve ‘80, janë shumë të amortizuar dhe nuk arrijmë të ofrojmë cilësinë që kërkohet në punën laboratorike”, tha Hafizi. Sipas saj, duhet të bëhet transparenca e fondeve të krijuara nga paratë e studentëve. “Unë kam kërkuar në rrugë brenda universitare, nëpërmjet Senatit të Universitetit dhe organeve drejtuese që të kemi, transparencë për atë çfarë po ndodh në Godinën B. Nuk mund të ketë lukse me paratë e studentëve. Me paratë e tyre ne duam të realizojmë vetëm ato investime që shkojnë për studentët”, deklaroi Hafizi.

© Panorama.al

Te lidhura