Kule sërish rektor: FRESSH, trakte manipuluese

Feb 22, 2012 | 11:27
Dhori Kule

TIRANË- Dhori Kule, fitues i një mandati të dytë në krye të Universitetit të Tiranës ka deklaruar se zgjedhjet e këtij viti nxorën një universitet më të shëndetshëm, që e meriton plotësisht autonominë dhe që përballoi testin e bërë qëllimisht nga struktura politike për manipulim në garë.

Gjatë një konference për shtyp, Kule, fitues ndaj rivales Hafizi në këtë garë ka thënë se janë vërejtur situata krejt të pakëndshme, kur struktura politike krijuan situata në errësirë.

“U shpërndanë trakte të kohës së nazizmit, u përpoqën t’i thonë universiteteve votoni kundër pedagogëve të partisë në pushtet dhe ky ishte testi më i bukur që ka përballuar universiteti. A mund të ndahen pedagogët në të pozitës dhe opozitës? Fressh, duke qenë strukturë rinore e këshilloj të futet në linjën e saktë të punëve që duhet të bëjë me rininë”- tha Kule.

Ai është shprehur shumë i kënaqur nga rezultatet që e shpallën fitues. “Rezultati është i tillë që më bën krenar për universitetin, kanë votuar stafi akademik dhe studentë dhe për mua si rektor në detyrë dhe që më mandatuan dhe për katër vitet e ardhshëm kanë votuar 275 pedagogë më shumë së konkurrentja, 118 punonjës më shumë dhe 4240 studentë më shumë se konkurrentja, mbi 65% shifrat e të tre subjekteve që kanë votuar në mbështetje të programit dhe progresit për universitetin e Tiranës”- tha Kule.

© Panorama.al

Te lidhura