
Tri ditë më parë, një grua lindi në borë
Historia e Firmires nga fshati Orgjost, ku bora arrin 1.5 metra. 50 burra hapin rrugën me lopata.
Ka udhëtuar tri orë në barelë në mes të natës me temperaturë deri në -15 gradë dhe trashësi dëbore mbi një metër dhe ka sjellë në jetë dy binjake në Maternitetin e Kukësit. Kjo është 27-vjeçarja Firmire Hoxha nga Orgjosti, e cila që nga dje është nënë e tri vajzave, pasi një e kishte që më përpara. Dy bebet e saj u sollën në jetë në një ditë të jashtëzakonshme, me mot të ftohtë dhe dëborë. Udhëtimi nga fshati që është në kufi me Kosovën deri në maternitet, ka qenë një aventurë e vërtetë e më se 50 burrave nga fshati i largët, të cilët u bënë një për të shpëtuar tri jetë njerëzore. Gjithë mundi dhe sakrifica e tyre është shpërblyer me dy vajza binjake, ndonëse nën peshë, por dhe me mirënjohjen e prindërve të dy vajzave. Tashmë bebet ndodhen në inkubator dhe po asistohen nga mjekët, që me kujdes intensiv ato të vijnë në normalitet. Rruga, tërësisht e bllokuar nga era dhe dëbora, është përshkuar nga një kohë rekord prej tri orësh, duke arritur që nëna të kryente lindjen. Firmirja që është në gjendje të mirë shëndetësore, gjen rastin të falënderojë gjithë fshatin për sakrificën, por dhe mjekët e infermierët e Maternitetit të Kukësit për kujdesin e treguar. “Unë prisja të lindja fëmijën tim, pa e ditur se kisha binjakë. Pas dhimbjeve që më kanë kapur është mobilizuar i gjithë fshati dhe familja ime dhe udhëtimi është bërë shtrirë në barelë, mes acarit dhe të ftohtit për tri orë, derisa kemi mbërritur në Maternitetin e Kukësit, ku dhe në orën gjashtë sapo kam mbërritur në maternitet, kam lindur dy vajza binjake. Ato janë nën peshë, por mjekët thonë se do bëhen mirë. Rruga ka qenë mjaft e vështirë dhe shumicën e saj burrat e çanin me lopatë”, thotë nëna e binjakeve, të cilat kanë lindur me peshë 1.7 kg dhe 2.1 kg. Mjeku dhe drejtori i maternitetit, Safet Elezi, thotë se po ndiqet me përparësi ecuria e shëndetit të binjakeve. “Në orët e para të mëngjesit ka ardhur nga Orgjosti një grua me barrë dimelare, në rrethana mjaft të vështira, por falë insistimit të personelit, u asistua kjo nënë dhe lindi dy fëmijë prematurë. Për vetë problematikën që kanë fëmijët, do të ndiqen në dinamikë, ashtu siç ndiqen fëmijët në gjendje të tillë dhe ecuria e tyre do të jetë e mirë”. Pak ditë më parë është kryer një lindje dhe më e vështirë nga një grua nga komuna e thellë e Ujmishtit. Një nënë ka lindur djalin e saj në dëborë, pasi e kishte të pamundur të mbërrinte në maternitet, megjithëse ishte nisur, nuk i ka premtuar koha që të mbërrijë në spital. Mësohet se fëmija ka shpëtuar dhe është shëndoshë e mirë.
Vajzat, njëra me emrin Bora
Nëna e binjakeve thotë se nuk e ka menduar se si do t’i pagëzojë dy bijat e saj, por infermierët që i rrinë pranë thonë me siguri që njëra do ta ketë emrin Bora. Për vetë faktin se ato kanë lindur në këtë dëborë, madje në fshatin e saj trashësia e dëborës shkon deri në 1.5 m.
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
© Panorama.al










