Kukës, rigjallërohet industria e kromit

Aug 10, 2011 | 12:04
Foto Ilustruese

Në Kukës, në industrinë e kromit ka një farë rigjallërimi, por mungesa e shtetit dhe zbatimit te ligjit, duket se po e gropos këtë industri që sapo ka ngritur krye. Kalimashi, Perollaj, Kami etj, janë vatrat e para të ringjalljes . Por kjo ringjallje është me kosto. Janë dhjetra viktima që janë plagosur e shumë jetë të humbura në tentativë për t’i shkëputur nëntokës kromin në mënyrë primitive. Afro 70 kompani private që kanë liçensën për të ushtruar aktivitet, vetëm sapo e grabisin nëntokën, thonë drejtuesit vendorë. Shpeshherë ata tejkalojnë parametrat e liçensës, fshehin deklarimet . Tashmë qeveria ka hequr dorë nga investimet në kete sektor, duke ua lënë në dorë privatëve. Edhe njësitë vendore, që me ligjin e ri mineral përfitojnë 20% të rentës minarare nga taksat që kompanitë derdhin në arkën e shtetit, nuk e përfitojnë atë. Rrjeti për Transparencën e Pasurive Nëntokësore, po ngulmon në zbatimin e ligjit. Kryetarët e komunave që kanë në territorin e tyre këtë pasuri, thonë se firmat nuk e deklarojnë saktësisht se ku e kanë marrë, kështu që humbasin të ardhurat. Kohët e fundit IMI, një firmë e përbashkët kinezo-turke (Kurum Albania), synon të shtrijë aktivitetin e saj. Në projektet madhorë është ndërtimi i një uzine ferrokromi, ku të punësohen 4 mijë punëtorë dhe të prodhohet 120 mijë ton ferrokrom në vit, nga 38 ton që prodhohej në kohën e monizmit. Zeki Kaja, drejtor i Përgjitshëm dhe anëtar i Keshillit Ekzekutiv i  Kurum Holding, thotë se teknologjia do jetë moderne dhe se do të ketë një impakt pozitiv për zhvillimi në të gjithë rajonin e Kukësit . Sipas tij nuk duhet dërguar me mineral në formë dheu drejt importit, por i përpunuar. Kaja është i mendimit se shteti duhet t’u garantojë investitorëve konform ligjit gjithë mundësitë e duhura që investimet e tyre të mos rrezikohen. Ndërkohë specialistët dhe kompanitë e huaja vërejnë se ka shumë burokraci të shtetit në dhënien e liçensave. Sipas tyre është e pafalshme që në një rajon minerar, ku është pagur nga ata , fshatarët , apo të ashtëquajturit pronarë të tokës ua shesin mineralin investitoreve që e kanë paguar një here. Ose siç ndodh në Vlahën të Hasit, ku banorët kanë pezulluar punimet në minierë, duke kërkuar nga kompania që ka lejen e shfrytëzimit, që ajo ta blejë 1 metër katrorë tokë, 1400 euro, kur dihet se me ligj vetëm 40 cm trashësi e tokës është pronë e pronarit tjetra është e shtetit dhe shteti ia ka dhëne konform ligjeve një kompanie . Edhe ankesat në pushtetin vendor dhe polici nuk kanë dhëne zgjidhje. Rajoni i Kukësit klasifikohet si ndër rajonët më të pasura me minerale. Jo vetëm specialistët vendas por dhe të huajt tashmë thonë se ky rajon është me të vërtet i bekur nga zoti.

Jonuz Hallaçi

© Panorama.al

Te lidhura