
Për t’i dhënë fund dhunës sistematike, ekzekuton vëllain me plumb ballit. Kreshnik Mataj, 32 vjeç, i cili kishte kryer ceremoninë e fejesës katër ditë më parë, u qëllua për vdekje nga vëllai më i madh, Sokol Mataj.
Policia e Kukësit zbardhi brenda 20 orësh krimin, i cili barti shumë mistere që nga mesnata, kur viktima u gjet i pajetë në shkallët e pallatit ku banonte, në qendër të qytetit. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u vu në pranga Sokol Mataj, 35 vjeç, i cili përballë provave pranoi krimin duke treguar se e bëri për të ndaluar keqtrajtimin prej vëllait të sapokthyer nga emigracioni. Kreshnik Mataj u gjet thuajse pa shenja jete në katin e dytë të pallatit ku jetonte, i njohur si 6-katëshi, në Lagjen Nr. 2 të qytetit të Kukësit. I ardhur para pak javësh nga Italia, Mataj ishte fejuar dhe mbrëmjen e së hënës kishte qenë në lokal për të qerasur shokët e tij. Rreth mesnatës ai po ngjitej për në apartamentin ku jetonte me familjen, në katin e katërt. Por, kur ndodhej ende në katin e dytë, autori i krimit i ka dalë para duke e qëlluar dy herë në kokë. Zhurmat e armës i kanë nxjerrë fqinjët e pallatit jashtë e bashkë me ta dhe familjarët e Kreshnikut. Në grahmat e fundit të jetës ata e kanë përcjellë për në spital 32-vjeçarin, por nuk ka mundur të jetojë. Policia e Kukësit nisi hetimet për ngjarjen, e cila fillimisht u tentua nga familjarët të cilësohej si aksidentale, pasojë e rrëzimit nga shkallët në gjendje të dehur. Viktima ishte dëmtuar shumë në kokë dhe grupit hetimor iu desh disa orë për të faktuar se bëhej fjalë për një krim. Nga këqyrja e parë dyshohej se 32-vjeçari ishte qëlluar me mjete të forta në kokë. Megjithatë, edhe ky variant nuk ishte shumë bindës dhe hetuesit kërkuan ndihmën e ekspertëve nga Tirana. Ekspertiza e imtësishme nxori se plagët e, për pasojë, vdekja e emigrantit, ishin shkaktuar nga 2 plumba pistolete. Për disa orë Policia e Kukësit verifikoi të gjithë rrethin e të njohurve të Kreshnik Matajt, mes të cilëve dhe shokët që kishte ftuar për t’i qerasur. Askush prej tyre nuk dinte që viktima të kishte pasur konflikt dhe se ai ishte larguar i qetë nga lokali. Policia mori në pyetje familjarët e viktimës, por pa qenë bindës në deklarimet e tyre. Një informacion mbi marrëdhëniet në familjen Mataj ka qenë i rëndësishëm për zbardhjen e krimit. Sipas burimit, Kreshnik Mataj ishte shndërruar në problematik pasi në gjendje të dehur ai, pas kthimit nga emigracioni, keqtrajtonte sistematikisht familjarët, mes tyre dhe babanë e paralizuar. Mbi këto të dhëna, policia shoqëroi vëllain e viktimës, Sokolin. Përballë dyshimeve të ngritura mbi të, 35-vjeçari ka pranuar krimin. Ai tregoi se pas vrasjes e kishte fshehur armën në banesën e të vjehrrit, në Shtiqën. Sokol Mataj punonte në një pikë bastesh dhe duket se pas ardhjes së vëllait emigrant javët e fundit të jetë zhvilluar një grindje, e cila degjeneroi deri në eliminimin fizik të djalit të vogël të familjes.











