Kukës, plagoset me thikë pas ndeshjes futbollisti

May 7, 2012 | 11:18

Kukësi-Luftëtari

Kategoria 1/ Luftëtari zyrtarisht kampion, Lushnja fiton dhe pret finalen.

Dhunë e pashembullt, goditen 4 lojtarë, 2 në spital.

Luftëtari shpallet matematikisht kampion i Kategorisë së Parë. Ndërsa Kukësi do të luajë një finale tjetër në Lushnjë në javën e fundit të kampionatit, për të vendosur se cila prej këtyre dy skuadrave do të sigurojë ngjitjen direkt në Superiore.
Por, supersfida e djeshme, e zhvilluar në qytetin verilindor, u siglua nga një dhunë e pashembullt. Dy lojtarë të Luftëtarit, Devolli dhe Mersini, si dhe dy lojtarë të Kukësit, Rexhepi e Mziu, janë goditur nga persona të paidentifikuar, kur arbitri i ndeshjes vërshëlleu fundin e ndeshjes. Përveç dy lojtarëve, është goditur edhe trajneri i portierëve, Ilirjan Zeko. Por, më keq ka shkuar për Mziun, i cili është plagosur me thikë në këmbë dhe ka përfunduar në spital. Si fillim është plagosur mbrojtësi Rexhepi, i cili ka marrë një goditje në kokë, ndërsa më pas është rrëzuar dhe Mziu, i cili ka pësuar një çarje me thikë në këmbë. Të dy lojtarët kanë përfunduar në spital dhe vetëm pas ekzaminimeve janë shoqëruar për në shtëpi. “Policia na futi në një rreth të ngushtë për të na shoqëruar. Unë u fërkova më një polic, te pajisjet që ai mbante, nga ku ra thika që më çau këmbën”, ka shpjeguar Mziu. Ndërkohë nuk ka informacione të sakta, kjo edhe për shkak të rrëmujës së madhe që u shkaktua në fund të ndeshjes, se kush dhunoi tre lojtarët e tjerë. Sipas informacioneve, por të pakonfirmuara nga vetë të dëmtuarit, mendohet se protagonistë në incident janë bërë edhe drejtuesit e klubit të Kukësit. Ndërsa skuadra mike, treshja e gjyqtarëve, por edhe grupi i xhirimit të “Supersport”, i cili transmetoi direkt këtë ndeshje, kanë qëndruar më shumë se dy orë në pritje, për të dalë nga qyteti i Kukësit, gjithnjë të shoqëruar nga forca të mëdha policore. Madje edhe këta të fundit kanë pohuar se janë dhunuar e ofenduar gjatë nga tifozët vendës. Duhet pranuar se ndeshja i kaloi disa herë limitet e lojës korrekte dhe gurët e shishet plastike u bënë pjesë normale e saj. Madje, në një rast, portieri mik, Selimaj, i goditur nga një gur në kokë, ka qëndruar për disa minuta i shtrirë. Gjithsesi, një eurogol i Llukës në minutën e 7-të për bluzinjtë dhe Thana në të 90-ën për vendësit kanë shënuar golat e sfidës së djeshme, të cilat natyrisht ishin pjesa më e bukur e këtij 90-minutëshi.

Reagimi
Frika apo edhe tensioni ka bërë që jo vetëm lojtarët, por edhe drejtuesit e skuadrës së Luftëtarit të mos pranonin që të komentonin atë që ndodhi dje në Kukës pas ndeshjes. Ndonëse të gjithë ata kanë pranuar dhunën, askush nuk ka dashur që të prononcohet në vetë të parë për mediat.

Goleadat
Duket e çuditshme, por fakt është se dje në Gramsh, në Gramshi-Burreli (5-4), të dyja skuadrat më shumë sesa për rezultat, luajtën për golashënuesit e tyre. Takimi u bë një “teatër” i vërtetë, pasi nga njëra anë ishte Koçi që shënoi 5 gola dhe nga ana tjetër Ivanaj, që shënoi 4 gola. Ky i fundit barazoi në krye të golashënuesve me 21 gola Cankën e Lushnjës.

Kategoria 1/ Java 29-të
Himara-Elbasani        3-2

Shënues: Gjondeda 25’, 70’ Xhunior 35’/ Musta 36’, Olatunji 83’
Mamurrasi-Besëlidhja    1-0
Shënues: Fuçia 55′
Kukësi-Luftëtari        1-1
Shënues: Thana 90’/ Lluka 7′
Ada-Lushnja        1-2
Shënues: Hotaj 77’/ Metushi 66′, Sefa 69′
Gramozi-Butrinti        2-1
Shënues: Shupe 80′ (p), Peçi 87’/ Rrapa 65′
Gramshi-Burreli        5-4
Shënues: Le.Koçi 13′, 16′ (p), 31′, 72′, 85’/ Ivanaj 21′, 36′, 73′, 85′
Iliria-Besa        2-0
Shënues: Gjokeja 22′, Basha 30′
Vlora-Skrapari (s’u luajt)

Renditja
Nr. Ekipi    ND    F    B    H    GSH    GP    P
1. Luftëtari    29     22     3     4     53     19     69
2. Kukësi    29     21     3     5     63     24     66
3. Lushnja     29     19     6     4     49     16     63
4. Besa    29     16     4     9     42     32     52
5. Besëlidhja    29     15     6     8     35     16     51
6. Elbasani     29     11     6     12     42     45     39
7. Gramshi     29     10     8     11     36     42     38
8. Ada    29     9     9     11     34     33     36
9. Burreli     29     11     3     15     29     40     36
10. Butrinti     29     9     7     13     30     36     34
11. Mamurrasi     29     10     4     15     32     42     34
12. Iliria     29     10     3     16     35     42     33
13. Himara     29     8     5     16     31     42     29
14. Gramozi     29     9     2     18     22     53     29
15. Vlora    28     6     6     16     24     48     24
16. Skrapari     28     3     9     16     18     45     15
SHËNIM: Skrapari, – tri pikë, dënuar nga Disiplina.

Vlora–Skrapari: E rrallë, nuk luhet se s’ka policë
Takimi mes Vlorës dhe Skraparit i vendosur për t’u zhvilluar në fushën sportive të Patosit nuk u luajt. Edhe pse të dyja ekipet e gjyqtarët së bashku me vëzhguesin e të deleguarin e Federatës ishin prezent, shkak u bë mungesa e numrit të mjaftueshëm të forcave të rendit. Megjithëse drejtuesit e të dyja ekipeve ranë dakord për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, i deleguari i FSHF-së, Millan Baçi, nuk e lejoi një gjë të tillë. “4 policë janë të pamjaftueshëm për mbarëvajtjen e një ndeshjeje futbolli. Ndaj, në këto kushte, ajo nuk mund të zhvillohet”, ka pohuar Baçi. Ndërsa sekretari i klubit të Albpetrolit, Petraq Mihali, u shpreh: “Lajmërimi për zhvillimin e kësaj ndeshjeje është bërë vetëm ditën e sotme. Unë u mundova të krijoja kushtet e duhura, por nuk urdhëroj dot policinë”, ka thënë ai.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura