Kukës, makina në greminë, vdes babai i 3 fëmijëve

Jun 24, 2011 | 10:59

KUKES – Tre persona që udhëtonin në të njëjtën veturë kanë përfunduar në një greminë 50 metra të thellë, poshtë rrugës së vjetër nacionale Kukës-Tiranë, në fshatin Kalimash. Përmbysja e makinës ka qenë fatale për 35-vjeçarin Kujtim Meçi nga fshati Surroj i Kukësit, baba i tre fëmijëve. Meçi ka marrë plagë më të rënda dhe megjithëse është dërguar shpejt në spital nga kalimtarët e rastit, ai nuk ka mundur të shpëtojë dhe pak minuta pas mbërritjes në spitalin e qytetit të Kukësit ka ndërruar jetë. Ndërkohë, pas mjekimeve intensive kanë dalë nga rreziku për jetën bashkudhëtarët me viktimën, Besnik Hila, 43 vjeç, efektiv i Policisë së Kukësit, si dhe drejtuesi i mjetit, Indrit Hoxha, 22 vjeç, të dy banorë të Shënmrisë. Ata po udhëtonin me një mjet të tipit “Golf” me targa gjermane LA-245-C kur ndodhi aksidenti, rreth 9 km pa hyrë në qytetin e Kukësit, në një dishezë. Në rrugën që nuk ka mbrojtëse anësore mjeti ka rrëshqitur duke përfunduar në greminë. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë Rrugore dhe ekspertët kanë kryer veprimet hetimore, ku rezulton se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit mbi mjetin e drejtuesit Hoxha. Të tre personat po zbrisnin për në Kukës nga rruga e vjetër, pasi komuna e Malziut nuk ka lidhje me autostradën dhe automjetet e pakta që lëvizin tani në këtë aks duhet të vijnë deri në fshatin Kolsh, 5 km larg qytetit të Kukësit, për të hyrë në autostradë dhe për të vijuar më pas udhëtimin për Kukës ose për në kryeqytet.     j.h

© Panorama.al

Te lidhura