Kukës, i ftohti ngrin liqenin

Feb 7, 2012 | 14:49

KUKES – Temperatura -10 gradë dhe era e fortë që fryn nga veriu shkaktojnë probleme të mëdha në Kukës dhe në zonat rurale. Era që ka trazuar dëborën, ka bllokuar shumicën e rrugëve të hapura si në qytet, ashtu dhe fshatra. Në mbrëmje, për shkak të erës dhe temperaturave që kanë ardhur gjithnjë në zbritje, lëvizjet në qytet kanë qenë shumë të rralla. Ky dimër që po përsëritet pas 27 vitesh që nga i famshmi i 1985-s, ka bërë që në pak ditë të ngrijë dhe shumica e sipërfaqes ujore të liqenit të Kukësit. Shtresa të mëdha akulli, por dhe dëbore mbi të, e kanë bërë të padallueshëm liqenin me pjesën tjetër të territorit që e rrethon. Nuk është hera e parë që nga krijimi i këtij liqeni artificial në vitin 1978, që sipërfaqja e tij është ngrirë. Në vitin 1985, kur dëbora arriti lartësinë 1.3 metër në qytetin e Kukësit, liqeni u ngri saqë njerëzit kalonin lirisht nga njëra anë e bregut në tjetrin, madje dhe kafshët shtëpiake. Poshtë akullit janë të gjitha rrjetat e peshkatarëve që moti i ftohtë i zuri të lëshuara për gjueti. Peshkatarët thonë se kanë tentuar të shkojnë t’i tërheqin, por ka qenë e pamundur çarja e akullit mbi ujë. Sipas peshkatarëve, ekziston mundësia që rrjetat përfundimisht të dëmtohen dhe për ta kjo është një humbje e madhe.

© Panorama.al

Te lidhura