
Grabiten me armë tre turistë çekë. Vizitorët e huaj kanë rënë pre e grabitjes ndërsa po udhëtonin nga Kukësi në drejtim të Peshkopisë. Sipas Policisë, një person i maskuar ka dalë para makinës, me të cilën udhëtonin shtetasit e huaj dhe duke i kërcënuar me automatik, u ka vjedhur paratë dhe sendet personale. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 pas mesnate, duke gdhirë dita e djeshme, në fshatin Mustafë, të komunës Ujmisht. Turistët çekë, David Kuback, Michael Benatsky dhe Vladimir Cerny, po udhëtonin me një automjet tip “Land Rover” të bardhë me shirit të zi, me tarë CS 853 8918. Ata kishin udhëtuar rreth 20 kilometra në dalje të Kukësit, rrugës që lidhet me Dibrën dhe në vendin që njihet si Ura e Tejdrinit, një person i maskuar me një kapuç të zi, i ka dalë para makinës duke i drejtuar tytën e automatikut. Drejtuesi i mjetit, Michael Benatsky, është detyruar të ndalojë dhe grabitësi i ka detyruar tre shtetasit çekë që t’i japin portofolat me para, që në total dyshohet të kenë pasur rreth 2 mijë euro, një kamera, një aparat fotografik, një aparat GPS dhe një celular. Sapo ka kryer grabitjen, autori ka lëvizur në këmbë në një rrugë përmes pyllit, ndërsa turistët kanë nxituar të lajmërojnë Ambasadën Çeke për atë çfarë kishte ndodhur.
DENONCIMI
Policia është lajmëruar për ngjarjen rreth orës 01:05 pas mesnate, nga përkthyesi i Ambasadës Çeke në Tiranë, Endrit Allushi. Përkthyesi ka lajmëruar fillimisht sallën operative të Policisë së kryeqytetit, për shkak se nuk ka arritur të gjejë kontakte me Policinë e Kukësit apo të Dibrës. Më pas, autoritetet e policisë lokale janë njoftuar nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, që u ka sqaruar edhe adresën se ku ndodheshin turistët çekë, të cilët pas grabitjes kishin ndaluar. Sipas burimeve nga Policia, ka qenë një banor i fshatit Mustafë që u ka ardhur në ndihmë shtetasve të huaj, edhe për shkak se ata nuk kishin më celular për të lajmëruar Ambasadën. Ai i ka strehuar turistët çekë në një lokal pranë rrugës dhe u ka shpjeguar vendndodhjen forcave të Policisë, në mënyrë që të orientoheshin me vendin e ngjarjes.
HETIMI
Brenda pak minutash pas sinjalizimit që kanë marrë nga Policia e Tiranës, efektivat e Policisë së Kukësit dhe Dibrës kanë mbërritur në vendin ku ishin grabitur shtetasit çekë. Policia ka marrë në pyetje shtetasit e huaj, të cilët kanë shpjeguar se autori i ngjarjes ishte i maskuar, me një kapuç të zi, që e mbante vazhdimisht të ulur poshtë syve dhe nuk kanë arritur ta shohin në fytyrë, edhe për shkak të errësirës. Duke iu referuar asaj çfarë kanë arritur të kuptojnë dhe nga zëri i të dyshuarit, i cili i ka kërcënuar duke mbajtur të drejtuar automatikun përballë tyre, autori mund të jetë rreth të 30-ve. Policia ka bërë këqyrjen e automjetit, për të fiksuar ndonjë gjurmë të mundshme të autorit. Më pas janë shoqëruar në polici 9 persona si të dyshuar, por ende nuk ka një emër konkret të autorit që ka kryer grabitjen.
TURISTET ÇEKE
Ky nuk është rasti i parë që turistët e huaj, dhe si për koincidencë ata çekë, janë sulmuar në zonat malore të Shqipërisë. Në korrik të vitit të kaluar, katër turistë nga Çekia u dhunuan dhe u grabitën në bjeshkët e malit të Korabit. Për këtë ngjarje policia tha se u krye nga disa adoleshentë që kullosnin bagëtitë në mal. Ndërsa disa vite më parë, tre studentë çekë u zhdukën në alpet e Thethit, ndërsa në Korçë u dhunua pak vite më parë një tjetër çift studentësh çekë.
ETLEVA DELIA











