
KUKES – Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Morin të Kukësit. Sipas njoftimit të Policisë, ka humbur jetën tragjikisht 9-vjeçari Festim Përzhita, nxënës në shkollën 9-vjeçare, Morin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në urën poshtë fshatit, në autostradë. Fëmija mësohet se është futur nga një rrugë dytësore me biçikletë direkt e në autostradë, duke u përplasur nga kamionçina me targa 617 KS 441E, drejtuar nga Zeqir Gashi, 55 vjeç, lindur dhe banues në Prizren. Policia ka kryer veprimet hetimore në vendngjarje dhe ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit drejtuesin e mjetit, i cili ka shkaktuar aksidentin, duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor dhe me shpejtësi tej normave të lejuara. Aksidentet rrugore në autostradën Kukës-Morin, 20 km e gjatë, po kthehen në gangrenë për banorët e fshatrave të komunës Tërthore. Në një vit, nga aksidentet në autostradë në këtë segment kanë humbur jetën 3 persona dhe janë plagosur 25 të tjerë. Shkak më së shumti është mungesa e mbi e nënkalimeve në autostradë. Banorët kanë kërkuar që shteti të ndërhyrje për lidhjen e lagjeve dhe fshatrave me autostradën, por deri tani nuk është hedhur ndonjë hap konkret. Banorët me bagëti, por dhe të detyruar nga mungesa e mbikalimeve, detyrohen të kalojnë në autostradë, duke rrezikuar jetën. Vazhdimisht është premtuar se ky problem do të rregullohet, premtimi më i fundit ishte në fushatën elektorale për zgjedhjet e 8 majit. Në këtë segment janë vendosur trafikndarëset, ndërkohë që ato ndërpriten me dhjetëra herë për të mundësuar kalimet. Nuk mungojnë rastet sidomos natën, kur shoferët e kësaj zone, në mungesë të nyjave lidhëse, ecin në autostradë me automjete në krah të kundërt për të hyrë e dalë sa më shkurt në shtëpitë e tyre. Gjatë sezonit të kaluar turistik pati patrullime të përbashkëta të autostradës nga Policia jonë Rrugore dhe patrullat e Kosovës, por sivjet ende nuk është arritur një marrëveshje e tillë, ndonëse vera erdhi dhe ka nisur fluksi i automjeteve që qarkullojnë në autostradë. j.h











