Kukës, 18 orë peng për martesë

Feb 8, 2012 | 12:15

Flet 28-vjeçari: Më refuzoi, mendova se pasi të qëndronim disa ditë, do të më pranonte.

Rrëmbehet nga Shijaku 24-vjeçarja, arrestohet autori.

Ka refuzuar propozimin për martesë, përfundon duke u marrë peng vajza 24-vjeçare nga Shijaku. Policia e Durrësit ka arrestuar një 28-vjeçar, ndërsa ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë, pasi kanë kanosur dhe marrë peng një shtetase. Sipas Policisë, në pranga ra Shkëlqim Duraku, banues në Laknas Kamzë, Tiranë. Arrestimi i tij u bë, pasi 28-vjeçari dyshohet se në datë 25 nëntor të vitit që lamë pas, rreth orës 09:00, së bashku me dy persona të tjerë, ka marrë me forcë në një automjet tip “Benz” një shtetase nga Shijaku, të cilën më pas e kanë dërguar në qytetin e Kukësit. Për rreth 18 orë vajza ka qëndruar në familjen e një të afërmi të Shkëlqimit dhe, sapo ka gjetur rastin kur në banesë nuk ndodhej asnjë nga anëtarët e familjes në të cilën ishte strehuar, ajo është larguar. E reja nuk ka pasur me vete as para dhe as telefon për të lajmëruar të afërmit e saj në Shijak. E ndodhur në këto kushte, vajza ka dalë në rrugën kryesore të qytetit të Kukësit dhe me makinat e rastit ka mundur të mbërrijë në Durrës, ku i është drejtuar Policisë për denoncimin. Ajo u ka treguar oficerëve se Shkëlqimi i kishte dalë disa herë përpara dhe i kishte shprehur pëlqimin. Sipas dëshmisë së vajzës, 28-vjeçari i kishte thënë se e donte dhe kishte dëshirë që të martohej me të, por përgjigjja e vajzës kishte qenë e prerë “Jo”. Ajo ka treguar se nuk e njihte më parë personin që i kërkonte të martohej. Sipas saj, ata ishin parë vetëm disa ditë përpara se ajo papritur të gjendej në Kukës. Pasi kanë dëgjuar me vëmendje vajzën, hetuesit kanë bërë gati dosjen dhe ia dërguan atë prokurorit. Ky i fundit ka ngritur menjëherë akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim” dhe ka lëshuar urdhër arrestin për 28-vjeçarin dhe shokët e tij. Arrestimi i 28-vjeçarit është bërë i mundur vetëm disa muaj më vonë pasi kishte ndodhur ngjarja. Ai është ndaluar në Kombinat të Tiranës për llogari të Komisariatit të Policisë Durrës. Pas arrestimit, 28-vjeçari është marrë në pyetje nga hetuesit e çështjes, të cilët i kanë kërkuar atij arsyen e pengmarrjes së vajzës. “Më pëlqente shumë. Kur më tha që nuk më donte, u bëra keq. Nuk mendova gjatë dhe vendosa ta rrëmbeja. Së bashku me shokët organizuam rrëmbimin. Pasi e morëm, e hipëm në makinë dhe shkuam tek të afërmit që unë kisha në Kukës. Nuk e kisha menduar kurrë se do të gjendesha në këtë situatë. Mendova se pasi të qëndronim disa ditë bashkë, do të më pranonte”, ka deklaruar pas arrestimit i riu. Burime policore bëjnë me dije se Duraku i kishte propozuar martesë vajzës, por kjo e fundit e kishte refuzuar, duke sjellë më pas pengmarrjen nga ana e djalit, i cili me ndihmën e shokëve ka organizuar planin.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura