Mesfushori i Zyrihut ka marrë ftesë nga De Biazi. Mund të debutojë ndaj Zvicrës.
Zviceranët, të inatosur: Një pjatalarës vishet kuqezi!
Burim Kukeli është afrimi më i ri i Kombëtares shqiptare. Mesfushori ka marrë ftesën nga trajneri De Biazi për dy ndeshjet e shtatorit ndaj Qipros dhe Zvicrës. Në serinë prej disa shkrimesh me ton vajtues lidhur me “mangësinë e patriotizmit zviceran” të disa futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, portali blick.ch ka shtuar edhe një të tillë. Lojtari i FCZ, Burim Kukeli, mund të bëhet, sipas këtij portali, personi që “do të sfidojë” Kombëtaren zvicerane në ndeshjen Zvicër-Shqipëri, e cila do të luhet më 11 shtator në Lucern. Kjo pritet të ndodhë për faktin se mesfushori me tipare mbrojtëse është në kontakt me Federatën Shqiptare të Futbollit për t’u angazhuar për të. “Po, ne jemi në kontakt. Gëzohem jashtë mase, pasi kjo është mirënjohje për rezultatet e mia”, – ka thënë 28-vjeçari Kukeli për portalin zviceran, transmeton albinfo. Lajmin, se për të do të ketë një ftesë për dy ndeshjet e radhës, e kanë pohuar edhe burime të sigurta pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Mesfushori shqiptar i Zyrihut do të debutojë të premten, pas 10 ditësh, në ndeshjen Shqipëri-Qipro. Dhe vetëm katër ditë më vonë vjen sfida e madhe: Zvicër-Shqipëri. Pikërisht në Lucern, ku Kukeli deri pak muaj më parë ka qenë lojtar i rregullt për skuadrën e atij qyteti. Por, aktualisht ai nuk ka të drejtë të luajë për Shqipërinë, pasi ka vetëm pasaportë të Kosovës, ndërsa atë të Shqipërisë pritet ta marrë së shpejti. E përditshmja “blick.ch” ka ironizuar duke e quajtur kosovarin “një pjatalarës që mbërrin në Kombëtare”. Kjo pasi Kukeli deri në vitin 2006, kur ishte në ligën e tretë, vazhdonte të punonte si shpërndarës i pijeve “Rivella” në Rothrist AG. Ndërkohë, përveç Kukelit, mund të vishet për herë të parë kuqezi edhe një tjetër kosovar, Alban Meha, i cili luan aktualisht te Paderborni në Bundesligën e Dytë gjermane. Ky i fundit luan si organizator dhe mund të zërë vendin e lënë bosh nga Skela.
Mehmedi
Sulmuesi i Dinamos së Kievit, Admir Mehmedi, ka deklaruar për gazetën “Lajm” se është i emocionuar që e presin në përballjen me Shqipërinë. Edhe ai, sikurse shokët e tjerë kosovarë Shaqiri, Behrami, Xhemaili e Xhaka, është vënë në siklet se si të sillet para se të dalin në fushë kundër shqiptarëve. “Është shumë normale të kesh emocione para ndeshjes me Shqipërinë. Por unë kam vendosur të mos këndoj asnjë himn”, ka thënë sulmuesi.
Ftesë Salihit
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi, ka marrë ftesë për ndeshjet kundër Qipros dhe Zvicrës. Lajmin e kanë konfirmuar gazetat amerikane, duke iu referuar njoftimit zyrtar të klubit. Përveç shkodranit, në ekipin përfaqësues do të jenë edhe katër sulmues të tjerë: Erjon Bogdani, Edgar Çani, Ahmed Januzi dhe Armando Sadiku, që të gjithë tashmë të konfirmuar për dy ndeshjet e para zyrtare.
Kërcënohet Çani
Klubi i Polonia Varshavës ka pohuar se është vënë në kërkim të një lojtari tjetër për të zëvendësuar Edgar Çanin, të cilit ndërkohë do t’ia bëjnë jetën ferr. “Çani mund të bëhej një yll në skuadrën tonë, por u soll keq. Ai s’është më në planet tona, por ama edhe për tri vitet e ardhshme nuk ka se ku të luajë, se është në kontratë me ne”, – ka thënë presidenti i klubit, Ireneusz Krol.
© Panorama.al“Avullojnë” 5 mijë bileta për Zvicrën
Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Zvicër-Shqipëri, e cila do të luhet në Lucernë më 11 shtator. Federata Shqiptare e Futbollit, pas negociatave të gjata, arriti t’i bindë homologët zviceranë që të marrë 5 mijë bileta për këtë sfidë. Fakt është se dje burime pranë FSHF-së konfirmuan se janë shitur afro pesë mijë biletat, ndërkohë që na ndajnë dy javë para takimit. Kurrë më parë nuk ka pasur një interesim kaq të madh nga tifozët për një ndeshje të Shqipërisë në transfertë. Federata helvete ka zgjedhur ta luajë atë në stadiumin e Lucernës me një kapacitet prej 17 800 vendesh të ulura, një prej stadiumeve më të vogla në Zvicër, e vetëm me një qëllim: pra, që të ketë sa më pak shqiptarë. Duke marrë parasysh faktin se rreth 2 mijë a më shumë shqiptarë mund t’i kenë siguruar biletat duke i blerë ato në Zvicër, pritet që në stadium të ketë afërsisht 7 mijë fansa kuqezinj që do ta përkrahin Shqipërinë. Ky do të ishte një rekord më vete në këtë aspekt, pasi numri më i madh i shqiptarëve në një ndeshje të Shqipërisë jashtë vendit ka qenë ai në “Amsterdam Arena”, në Holandë, në eliminatoret e “Euro 2008”, ku ishin të pranishëm rreth 4500 shqiptarë. Përballja me Zvicrën është e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014. Sakaq, çmimet e biletave për ndeshjen Shqipëri-Qipro, e cila zhvillohet me datë 7 shtator 2012 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë, janë: tribuna kryesore, 5 mijë lekë, tribuna D2, 1 mijë lekë, D1 dhe D3 nga 7 qind lekë dhe pas portave, nga 2 qind lekë.











