Kukan: Të pranohet vendimi i Kolegjit, koha për 12 kriteret

Jul 13, 2011 | 11:06

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, tha dje se partitë politike tani duhet të punojnë për integrimin e vendit. Për sa i përket vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor, ai deklaroi se duhet pranuar nga palët në Tiranë, pasi institucionet në Shqipëri janë të ligjshme. “Në Shqipëri ka institucione të ligjshme, të cilat janë të përgjegjshme për vendimet që marrin. Unë mendoj se është e domosdoshme që vendimet të pranohen, për t’u përqendruar tashmë në axhendën europiane, për t’u marrë me 12 kriteret që janë përcaktuar për Shqipërinë. Forcat politike duhet të jenë në nivelin e kërkesave të kohës për të komunikuar me njëra-tjetrën dhe për të diskutuar në frymë dialogu problematikën aktuale politike që kanë mes tyre”, tha Kukan. Ai propozoi edhe ribërje të ligjit zgjedhor, në mënyrë të tillë që të rritet besimi i palëve dhe historia e zgjedhjeve pa standarde të marrë fund njëherë e mirë në Shqipëri. “Mendoj se ka ardhur vërtet koha për të mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë histori që përsëritet në çdo zgjedhje”, theksoi Kukan.

Volfarth: Raporti për zgjedhjet, brenda muajit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, takoi dje kreun e prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Eugen Volfarth. Palët folën mbi procesin zgjedhor, për të cilin ambasadori i OSBE-së tha pas takimit se raporti i këtij institucioni do të dalë brenda këtij muaji. “Ne mezi po presim që ju të uleni në një tryezë partish për reformën në Kodin Elektoral. Raporti i ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 majit do të dalë këtë muaj. Aty ndodhen të gjithë rekomandimet e ODIHR-it për zgjedhjet e fundit. Është shumë e rëndësishme sikundër dhe reformat e tjera”, tha Volfarth për “AS”. Në njoftimin zyrtar thuhet se në takim u shkëmbyen mendime për situatën dhe zhvillimet e pritshme në Parlament. “Kryetarja e Kuvendit përfitoi nga rasti të informojë kreun e prezencës së OSBE-së për ofertën e bërë nga maxhoranca për sa i përket ndërmarrjes së nismave për reformën e ardhshme zgjedhore, bazuar në rekomandimet e OSBE-së, ashtu sikundër për sa i përket bashkëpunimit maxhorancë-opozitë për të votuar në Kuvend ligjet që kanë shumicë të cilësuar”, thuhet në njoftim.

© Panorama.al

Te lidhura