Kujtimet e sekretarit të Enver Hoxhës: “Gjithçka në Komitetin Qendror kalonte nga Nexhmija”

Aug 22, 2012 | 14:23
Vahid Lama

PËR HERË TË PARË: Kujtimet e sekretarit personal, Vahid Lama.

“Enveri s’donte t’i kujtoje babain, shpesh fliste për xhaxhain, baba Cenon”

“Ditën kur i vdiq motra, Farija, e veja e Bahri Omarit, erdhi në zyrë si zakonisht, sikur s’i kishte ndodhur gjë”

(vijon nga numri i kaluar)

Diktatori përballë kolegëve. Në kohën e lirë. Në takime me njerëzit. Në biseda me  familjarët. Në kafe, gjueti, në festa, morte, shëtitje. Enveri që nuk shikonin shqiptarët! Kujtimet e Vahid Lamës, juristit që punoi 13 vite në kabinetin e tij, zbulojnë një pjesë nga të panjohurat e kreut të regjimit, që drejtoi vendin me dorë të hekurt gjysmëshekulli. Ndër to spikasin raportet  me vartësit, të njohurit, miqtë, djemtë, motrat, nuset, konsideratat për babain, anenë, baba Cenon,  “tabiatet” në komunikimin e përditshëm. Në këtë kompleks marrdhëniesh, Enveri, në kujtimet e Lamës, shfaqet i drobitur fizikisht, manjak i ironisë, shpërfillës e mosbesues për të tjerët, megaloman e përbuzës, paranojak e pervers…

Dukej përherë i lodhur
Ndryshe nga sa shfaqej në publik, Enveri i kishte shumë bezdi takimet me njerëzit. Ai nuk kishte durim të dëgjonte të tjerët, me përjashtim të një grupi vogël zyrtarësh me të cilët e lidhte dinamika e përditshme. Edhe në ato pak raste kur duhej të priste ndonjërin që i vinte në shtëpi për urim me rastin e ditlindjes, Enveri e dëgjonte fare pak. Në të gjitha rastet kërkonte të fliste vet. Në zyrë shfaqej përherë i lodhur, mërzitej shpejt dhe, të shumtën e herës, ishte pa humor. Kur fliste me të tjerët,  i vështronte drejt në sy, po kur mërzitej gjatë bisedës, e kthente shikimin në drejtime të tjera dhe nuk dëgjonte më. Në një mbledhje të Sekretariatit të K.Q. ishte duke raportuar kryetari i Komisionit të Kontrollit të Partisë për vrasjen e një çifti të rinjsh në një rreth të Jugut. Kur ai po shpjegonte fabulën e ngjarjes dhe thashethemet që, sipas tij, u bënë shkaku i saj, Hoxha, i mërzitur, e ndërpreu: Shpjegimet e tua me kujtojnë romanet e verdha që lexonim kur ishim të rinj. Bjeri më shkurt, se e bëre tërkuzë! Sakaq, u kthye nga të tjerët duke i porositur që t’i mësojnë njerëzit për t’i artikuluar mendimet në mënyrë të përmbledhur. “Jashtë mbledhjeve, shtoi Hoxha, ata flasin qartë e saktë, kurse në forumet e Partisë, tjerrin e tjerrin pa mbarim, duke u bërë të mërzitshëm. Të tjerët e miratuan pa mëdyshje. Ndërkaq, ai që lexonte raportin për ngjarjen, me sa duket e humbi toruan dhe pasi shqiptoi shprehjen “Kaq kisha shoku Enver”, u ul i skuqur në fytyrë. Aq e pavend ishte ndërhyrja e Hoxhës, sa që aty askush nuk mësoi gjë për ngjarjen tragjike që raportonte zyrtari i KQ. Të tilla ndërhyrje   ishin të shpeshta. Ai nuk kishte durim ta dëgjonte tjetrin deri në fund, madje as kur ishte fjala për çështje të rëndësishme, siç ishte ajo që raportohej atë ditë. Gjatë 13 viteve që punova në kabinetin e Enverit, ishin shumë të rralla takimet në zyrën e tij me ndonjë veteran të Luftës. Për të nuk ishin të pëlqyeshme takimet e drejtpërdrejta me letërshkruesit, që ishin jo të paktë. Edhe për raste tejet të rëndësishme e për persona tepër të njohur që kërkonin takim, zakonisht autorizonte ndonjërin prej sekretarëve të K.Q. ose ndonjë funksionar tjetër të lartë që ta prisnin në emër të tij, duke e justifikuar mungesën me punët e shumta që kishte.

(Artikullin e plotë e lexoni në numrin e sotëm të gazetës Panorama)

© Panorama.al

Te lidhura