
Hamit Matjani, përtej dritëhijeve të kohës, është një nga figurat historike që vazhdon të mbetet e mitizuar, si nga kundërshtarët e tij, ata që e vranë dhe e shanë, ashtu edhe nga simpatizantët, që e deshën dhe e duan. I njohur me emrin “ Tigri”, Hamit Matjani ishte një nga protagonistët kryesor të lëvizjes për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri në vitet ‘50. Më herët, ishte dalluar në luftën pa kompromis kundër fashistëve dhe nazistëve. I arratisur nga vendlindja menjëherë pas vendosjes së regjimit diktatorial, Hamit Matjani, arriti të desantonte në Shqipëri gati 26 herë. Kjo e kishte bërë të famshëm për shërbimet inteligjente perëndimore, si njeriu më i zotë për të desantuar në “tokën e shqiponjave” të ripushtuar nga bolshevizmi. I ngritur në nivelin e një legjende, flitej se kishte lindur me këmishë, njeri që se kap plumbi, si “Anteu” i Mitologjisë Greke, që besohej si i pamposhtur, përderisa kishte kontakt me tokën. Mbesa e tij nënë Lija, e cila sot është 78 vjeç, mban mend të gjithë odisenë e ngjarjeve të Hamit Matjanit, i cili sapo u hodh me parashutë nga ajri në malet e Shëngjergjit në Elbasan, u kap nga organet e sigurimit, të cilët një vit më pas e ekzekutuan me varje. Duke iu rikthyer historisë së tij, e mbesa ndalon në çastet më kulmore, së paku, siç thotë, në ato gjëra për të cilat është katërcipërisht e bindur jo vetëm thjesht si dëshmitare…
VITET ‘40-TË, PAJTIMI I GJAKRAVE ”

Hamiti donte një Shqipëri demokratike, shprehet nënë Lija, teksa rrëfen për herë të parë gjëra të paditura më parë në lidhje me Hamit Matjanin. Gjithçka nis rreth viteve ‘40-të, kur Hamit Matjani ishte xhandar, ku nga Italia u vendos në Vlorë, sërish xhandar. Një lajm e tronditi, teksa i tha se vëllai i tij ishte vrarë në fshatin Gjuzaj (kufi mes Peqinit dhe Lushnjës) nga një anëtar i fisit Grecaj. Atëherë, Hamiti i çon haber familjes Grecaj se do të merrte hak për vrasjen e vëllait të tij. Ligji i asokohe nuk e lejonte një xhandar që të merrte hak, çka e detyroi Hamitin që të zhvishej dhe të merrej me punët e tij. Shkoi në fshat dhe qëlloi me armë 25 herë drejt nipit të Grecajt, Rizait, ky i fundit u plagos rëndë, por nuk vdiq. U dërgua menjëherë në Spitalin e Tiranës dhe shpëtoi (ka vdekur pak vite më parë). Kësisoj, Hamiti kërkoi pajtim me familjen Grecaj, duke i thënë këtyre të fundit se “unë qëllova në drejtim të djalit tuaj, por fati e deshi që ai të mos vdesë”. Në xhaminë e fshatit Gjuzaj, mes gjithë banorëve, dy familjet u pajtuan”. Por, sipas nënë Lijes, jo gjithçka vajti për mirë më pas. “Rust Grecaj, xhaxhai i Rizait, e hëngri në besë Hamitin. Ai tentoi disa herë t’i zinte pusi për ta vrarë, pasi u bë anëtar i Partisë Komuniste. Për këtë qëllim, Hamiti lë shtëpinë e tij dhe shkon kaçak maleve. Tre herë tentoi ta vriste Hamitin, por tentativat e tij shkuan huq. Për ta vrarë, Rust Grecaj urdhëroi Zihni Maganin (banor i Peqinit, i shpallur dëshmor), i cili tre herë tentoi të shtinte drejt tij dhe herën e fundit nuk mundi, pasi Hamiti ishte i përgatitur dhe shtiu i pari në drejtim të Zihni Maganit, duke e lënë atë të vdekur.
PËRPJEKJET NË MAL KUNDËR KOMUNIZMIT
Pasi e vrau, Hamiti fshihet në pyll. Atje u zbulua nga partizanët dhe për tre ditë e tre net luftoi me ta. Ishte një çetë e përbërë nga shtatë vetë, ku mes tyre ishte edhe nipi i tij 19-vjeçari Dalip Matjani, dhe miku i tij më besnik, Nuri Plaka. Gjatë përpjekjes me partizanët, Dalipit iu pre këmba nga plumbi dhe shokët e Hamitit vendosën ta vrisnin vetë, para se të binte i gjallë në duart e partizanëve. Por, Dalipi vendosi të luftojë deri në vdekje, ndërsa Hamiti me shokët e tjerë largohen duke kaluar malet e zonës së vet dhe hyri sërish në pyllin e Xherijes në një shpellë në malin e zhveshur të Bishqemit. Dalipi u vra nga partizanët dhe trupin e tij e hëngrën egërsirat. Kishin nevojë për ushqime, ilaçe dhe ndihma të tjera që popullsia e këtyre anëve nuk ua kishte kursyer kurrë. Njëri nga pjesëtarët e çetës, Sali Plaka, nga katundi Kotnek i Peqinit, njohës i mirë i zonës, ia arriti të shkonte. Por, ecejaket e tij ranë në sytë e sigurimit dhe në njërën nga këto vajtje ai u arrestua dhe nën tortura të pashembullta u detyrua të tregojë vendstrehimin e çetës.
REZISTENCA PËR TË MOS U DORËZUAR
Brenda një kohe të shkurtër, mbi 100 forca të sigurimit rrethuan pyllin e Xherijes dhe Hamiti e kuptoi se gjendej pa shpresë shpëtimi. Por, asnjë nga anëtarët e çetës nuk iu përgjigj thirrjes për dorëzim. Filluan breshëritë e plumbave. Një betejë që zgjati për tri ditë. Ranë njëri pas tjetrit vëllai i Hamitit, Ibrahimi, nipat, Hajdari e Hasani 16 dhe 29 vjeç, si dhe luftëtarët Zenun Gjolena, Latif Karafoli, Mahmut dhe Arif Tabaku. Krismat nuk kishin të sosur.Ishte dhënë urdhri që çeta të asgjësohej me çdo kusht. Momente të vështira për Hamitin dhe shokun e tij të ngushtë, Nuri Plaka. Ky trim, që cilësohej nga populli si njeri i lindur me këmishë, solli nëpër mend çastet më të vështira të jetës së tij si komit. Nga forcat e Sigurimit u kuptua se rrethimi ishte çarë pa arritur kapja e Hamitit. Katër pjesëtarë nga këto forca zunë vend nën dushkun ku qenë strehuar Hamiti me Nuriun. Këta dy të fundit, duke përfituar nga befasia, rrëshqitën poshtë drurit dhe u drejtuan armët rrethuesve. Mund t’i kishin vrarë të katër, por u mjaftuan vetëm me nëntogerin. Të tjerët i lanë të lirë. Mjaft gjak ishte derdhur dhe legjenda mbi “gjakësorin” Hamit Matjani duhej shuar…. Për shumë kohë më pas, fshatarët e Xherijes e ruajtën të paprerë dushkun shekullor, degët e të cilit u shpëtuan jetën dy të mbeturve nga çeta.
ARRATIJSA NË GREQI
Hamiti merr Fatimenë, gruan e tij të dytë, e cila ishte shtatzënë, kalojnë male dhe shkojnë drejt Dumresë. Atje ai e lë Fatimenë në shtëpinë e një mikut të tij dhe niset për në Greqi. Ndërsa gruaja e parë e Hamitit, Kadifeja, u internua dhe ndodhej në kampin e Tepelenës, bashkë me djalin e saj 7 vjeç, Xhavitin. Fatimeja lindi në shtëpinë e mikut të Hamitit një vajzë dhe ia vuri emrin Hedije. Mbasi vajza mbushi 6 muaj, ajo u zbulua dhe u fut në burg në Tiranë bashkë me vajzën. Atje vajza ndenji me nënën e saj deri sa mbushi një vit e u dërgua në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Fatimeja u dënua me 12 vite burg. Në Greqi Hamit Matjani u lidh me CIA-n amerikane dhe kishte ardhur më shumë se 26 herë në Shqipëri në këmbë, si desant tokësor, i shoqëruar me një ose dy vetë, ku edhe realizonte aksione për rrëzimin e regjimit komunist. Më pas, stërvitet nga agjentët e CIA-s, në një nga bazat amerikane të dezantimit shqiptar në Gjermani, ku edhe njihet me ish-pjesëtarin e Gardës Mbretërore të Zogut në Aleksandri të Egjiptit, Zenel Shehun. Zeneli vjen për informata në Shqipëri dhe herën e fundit zbret me parashutë në Bizë të Martaneshit, por kapet nga Sigurimi i Shtetit, të cilët e manipuluan duke vazhduar kështu lojën për ta sjellë në Shqipëri Hamit Matjanin. Zeneli, nëpërmjet “ Radio Lojës”, i thotë Hamitit se pajimet dhe materialet e hedhur me parashutë janë ndarë në vendet ku duheshin, se malet janë mbushur me luftëtarë nacionalistë dhe po kërkohej me ngulm komandanti i tyre Hamit Matjani si “strateg” për rrëzimin e diktaturës.
NË KURTHIN E SIGURIMIT
Nënë Lija rrëfen se “ Hamiti u josh nga sigurimi të vinte si desant në Shqipëri, jo me tokë, por me avion. Ai niset me avion Amerikan nga Gjermania për në Shqipëri së bashku me dy kolegët e tij Gani Malushi dhe Naun Sula, të cilët u mashtruan nga “ Radio Loja” e sigurimit, e drejtuar nga ish-desanti i korruptuar, Zenel Shehu. Ishte ky i vetmi rast që desantonte në Shqipëri nga ajri. Teksa ra sipër një peme në malet e Shëngjergjit në Elbasan, Hamitit i zunë pusi organet e sigurimit. Ai nuk mundi dot të bënte asnjë lëvizje. Duart i kishte të lyera me helm, që në rast se zbulohej, t’i jepte fund jetës pa rënë në duart e kundërshtarit i gjallë, por nuk mundi ta bënte dot, se u kap menjëherë dhe duart iu lidhën. Gjithsesi, me mënyrën si reagoi, duke përgëzuar aftësitë e Sigurimit të Shtetit që ishte në gjendje të fuste në kurth një agjent të CIA-s, Hamit Matjani habiti sërish njerëzit e Policisë Sekre,te që më në fund kishin në duar superdiversantin…
I BURGOSUR NËN TORTURA

Për një vit qëndroi në Burgun e Tiranës, i lidhur me hekura, me helmetë në kokë, për ushqim i jepnin vetëm një kokërr dhe gjumë flinte në arkivol. Mbas një viti, doli në gjyq, i cili u zhvillua 7 ditë radhazi. Fatimeja, e cila ishte në burg, nuk e dinte se e ndante vetëm një mur nga qelia ku ndodhej i shoqi dhe e mori vesh këtë vetëm ditën e gjyqit. Atë e thërritën në gjyq dhe mori pjesë në seancën e parë ku me krenari i tha gjykatësve. “ Ky është burri im trim dhe jam krenare që do të vdesë si trim”. Në përfundim të seancës së gjyqit, i cili u dëgjua nëpërmjet radios nga i gjithë populli shqiptar, trupi gjykues vendosi ekzekutimin me varje të Hamit Matjanit. Ai u bë në Lushnjë, më 14 prill të vitit 1954, ku për tre ditë e mbajtën të varur te fusha e sportit të Lushnjës, për ta parë i gjithë populli. Mbas vdekjes së Hamitit, dy gratë e tij u liruan, bashkë me fëmijët, me kushtin; tre herë në ditë apel paraqitjeje në polici. Për shumë vite e dekada, emri i Hamit Matjanit stigmatizonte bëmat e njeriut më të rrezikshëm kundër pushtetit popullor dhe vet kombit. Sakaq, të gjithë familjarët dhe të afërmit e tij u trajtuan mizorisht si pjesë e klaneve të armikut të klasës…
MATJANI, “MARTIR I DEMOKRACISË”
Rreth viteve ’60, në Amerikë u botua për herë të parë historia e Hamit Matjanit, ku cilësohej si një martir i vërtetë. Sakaq, fotografia e tij u vendos në Muzeun Historik të SHBA-së dhe të Gjermanisë. Ishte kjo periudha e Luftës së Ftohtë, kur në Shqipëri vazhdonte sulmi propagandistik kudër tij si tradhtar e agjent i të huajve. Vetëm pas ardhjes së demokracisë, në vitet ‘90, figura e Hamit Matjanit filloi të rivlerësohej edhe në vendin tonë. Ishte presidenti i parë antikomunist, Sali Berisha, që e dekoroi me medaljen e “Martirit të Demokracisë”. Po kështu, u dekoruan edhe bashkëpunëtorët e tjerë si dhe familjarët që kishin vuajtur në kampet e internimit në Shqipëri, përfundon rrëfimin për dajën e saj, nënë Lija.
“ROBIN HUDI”
Nuk është e rastit që në një nga librat e të huajve për Shqipërinë dhe shqiptarët flitet me konsiderata për Hamit Matjanin. Ajo çka veçon për kontributin e tij për lirinë dhe prosperitetin e vendit Nikolas Betheles në librin “Tradhtia e madhe”, lidhet me veprimtarinë jo vetëm legjendare, por edhe reale në luftën pa kompromis me çdo regjim. Poshtë cilësimit domethënës për Matjanin si “Robin Hudi shqiptar”, Betheles përmend fjalët e fundit shqiptuar në litar: “Rroftë Shqipëria e lirë”.
DOKUMENTI
Mesnatën e 30 prill – 1 maj 1953, në masivet pyjore të Lurës, në vendin e quajtur “Guri i Vashës”, sipas lojës së përgatitur nga Zbulimi e Kundërzbulimi Shqiptar, parashutoi i arratisuri dhe i shumëkërkuari Hamit Matjani, eksponent i “Ballit Kombëtar” dhe drejtues i disa grupeve të armatosura në Shqipëri, pas ikjes në arrati. Misioni i Matjanit ishte përgatitur dhe mbështetej nga CIA amerikane, koloneli Xhon, që në rastin konkret ranë në grackën e Sigurimit Shqiptar. (Arkiva e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dosja “H. Matjani”)
Hamit Matjani, ballë për ballë me Kadri Hazbiun

Nga gjithë ngjarja e mesnatës së 30 prillit ‘53 te “Guri i Vashës”, në pyjet e Lurës, për njërin nga dëshmitarët e operacionit, përballja e Kadri Hazbiut me Hamit Matjanin, ka qenë diçka e jashtëzakonshme. Fillimisht, njerëzit e Sigurimit kanë pritur te vendi i caktuar zbritjen me parashutë të diversantit të rrezikshëm. Pas përballjes në distancë, Hamit Matjani me “Tomson”-in në duar ka kërkuar parullën. “Burreli!”, i është përgjigjur njëri nga oficerët e Zbulimit, duke i kërkuar kundërparullën. “Berati!”, ka shqiptuar aty për aty Hamit Matjani, duke u përpjekur të shquajë portretet e “aleatëve” që e kanë “ftuar” nga larg. Pastaj, “loja” ka filluar të zbulohet çast pas çasti. Më në fund, Hamit Matjani kishte mbetur i kryqëzuar dhe duhej të zbatonte çdo urdhër të aty- Hamit Matjani, ballë për ballë me Kadri Hazbiun re që e kishin shtënë në grackë. I thanë se duhej paraqitur te “Besniku” i çarmatosur. “Mysafiri” i ardhur me porosi, “Besnikun” (Kadri Hazbiun) e njihte si emër që nga viti 1949, i cili, sipas legjendave, drejtonte “Komitetin Qendror” të Frontit të Rezistencës. Nuk vonoi dhe, ashtu i shoqëruar, hyri në çadrën ku e priste Kadri Hazbiu. “Mirë se na urdhërove Hamit Matjani!”, ia priu Kadri Hazbiu. “Ju lumtë!”- u përgjigj Hamiti, në vend të fjalës “mirë se ju gjeta!”. “Po të prisnim së bashku me kapedan Zenelin!”, – i tha Kadriu Hamit Matjanit. Në këto çaste, Hamiti, pa e humbur toruan iu kthye: “Kuptoj qartë. Rëndësi ka që ju po luani me CIA-n amerikane.” “Si do t’ia bëjmë që kjo luftë shqiptar me shqiptar të marrë fund një herë e mirë?” – shtoi Kadri Hazbiu, duke orientuar bisedën për veprimet e mëtejshm
MIRANDA SADIKU
© Panorama.al











