Nëna e re nga Kavaja, e gjendur gjysmë e dekompozuar në anë të rrugës së bregdetit Ishëm-Lalëz, mund të jetë vrarë me anë të injeksionit.Një ditë pasi 29-vjeçarja Rolanda Kaja është varrosur në tokën e fshatit të saj, në Kryevidh të Kavajës, me një prani shumë të vogël të të afërmve, hetimet janë shtrirë në dy pista. Burime shumë pranë grupit që heton këtë ngjarje të rëndë flasin për dyshime të forta të një krimi. Mjekët e ekspertizës ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë kanë konkluduar se mbi të nuk është ushtruar dhunë dhe se vajza nuk është vrarë me armë zjarri, duke lënë dyshime se ajo mund të ketë pësuar vdekje natyrale. Por, ekspertët mësohet se kanë mbajtur materiale nga trupi i vajzës për të analizuar në laborator nëse mund të ketë ndodhur një helmim i qëllimtë i saj me anë të përdorimit të injeksionit. Nëse njëra nga këto të dyja do të mund të rezultojë si e saktë, atëherë grupi i hetimit dyshon se Rolanda Kaja mund të ketë rënë pre e ndonjë vrasësi-tutor, i cili e ka detyruar atë të marrë rrugën për në plazhin e Shën Pjetrit në Ishëm. Pikë së pari, policia ka vënë në shënjestër personat që kanë qenë pranë saj në plazhin e Durrësit, për të mësuar prej tyre aktivitetin e vajzës, vendet ku ajo ka ushtruar punë legale apo ilegale, si dhe çështje të tjera që mund ta çojnë hetimin drejt pistës së vërtetë të ngjarjes. Policia po verifikon telefonatat e fundit të kryera nga viktima, pasi shoqe të saj në zonën ku jetonte me qira, kanë pohuar se kohët e fundit ajo kishte marrë kërcënime. Dyshohet se Kaja është përballur me një presion nga ana e të dyshuarit për krimin për çështje parash, çka pritet të sqarohet shumë shpejt. Policia ka thënë se me datë 7 qershor 2011, prindërit e Kajës kanë deklaruar se kanë humbur lidhjen me vajzën e tyre duke kërkuar ndihmën e uniformave blu për ta gjetur. Rajmonda Kaja kishte tre vjet që nuk jetonte as me burrin në Kavajë, as me familjen e saj në Kryevidh, fshat i thellë i Kavajës. Shkak për jetën e vetmuar të 29-vjeçares është bërë divorci nga i shoqi dhe marrja me qira e një apartamenti në Lagjen Nr. 13, që njihet edhe si Plazhi i madh i Durrësit. Kaja është gjetur rreth 40 km larg nga Durrësi, në veri të qarkut, në komunën e Ishmit, që është edhe komuna më skajore. Burime zyrtare të Policisë flasin për dekompozim fillestar të trupit të 29-vjeçares, pasi ajo kishte ndërruar jetë prej gati 15 ditësh.
Dyshimet
Dëshmitë e shoqeve të Rajmonda Kajës dhe dyshimet se pse ajo u gjet e vdekur shumë larg vendit ku jetonte e çuan policinë të verifikojë më tepër. Grupi hetimor ka të dhëna deri tani se mund të kemi të bëjmë me krim ndaj 29-vjeçares, provat për të cilin do t’i japin dhe analizat që po kryhen në Tiranë.











