Kufizimet, METE kërcënon CEZ-in

Aug 6, 2011 | 12:23

Aksioni i ndërprerjes së energjisë për disa ujësjellës në vend, që kanë qenë debitorë ndaj “CEZ Shpërndarje”, ka përfunduar në një përplasje mes kompanisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Kjo e fundit i ka bërë thirrje kompanisë “CEZ” që të rilidhë energjinë dhe, nga ana tjetër, ka “kërcënuar” për liberalizim të tregut të shpërndarjes së energjisë duke bërë me dije se tashmë, një grup pune i ngritur pranë saj, po punon për të parë mundësitë. Të dyja palët kanë reaguar dje njëra pas tjetrës me deklarata në të cilat argumentohen edhe arsyet e kësaj situate. Ministria e Ekonomisë fillimisht reagoi për shkak se ndërprerja e energjisë në shumë ujësjellës në vend ka sjellë probleme në një pjesë të mirë të qyteteve, përfshi këtu dhe ato bregdetare, çka shihet si një dëm ndaj turizmit në kulmin e sezonit. Në këtë pikë, METE i ka bërë thirrje CEZ-it që të marrë masat e duhura për sigurimin e energjisë elektrike në këto zona, duke respektuar në këtë mënyrë detyrimet që ka kjo kompani sipas Deklaratës Rregullatore. Por, nga ana tjetër, Ministria i ka vënë në dukje kompanisë që nuk është vetëm pjesa e mosarkëtimeve ajo që e dëmton, por edhe menaxhimi i keq që i bëhet CEZ-it. “METE konsideron të papranueshëm çdo mekanizëm presioni për arkëtimet e borxheve ndaj Ujësjellës-Kanalizimeve, duke vlerësuar se nuk është kjo rruga e zgjidhjes së problemit, por është menaxhimi i keq i kësaj kompanie në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, e cila mban përgjegjësi të plotë për situatën e krijuar”, thuhet në deklaratën e METE-s. Kjo e fundit u ka bërë thirrje institucioneve që janë në borxh ndaj CEZ-it që të punojnë për shlyerjen e borxhit që kanë, por, nga ana tjetër, i ka kujtuar CEZ Shpërndarjes që është pikërisht kjo e fundit që i ka borxhe edhe më të mëdha KESH-it dhe OSTsë, të cilat duhet të shlyhen. I menjëhershëm ka qenë dje reagimi i CEZ Shpërndarje, ku në një deklaratë për shtyp sqaronte se masa e ndërprerjes së energjisë për ujësjellësit debitorë ka ardhur pas një sërë paralajmërimesh që në muajin maj. “Ndërprerja e energjisë për debitorët nuk është pika ku dëshiron të mbërrijë kompania, por pas bërjes së veshit të shurdhër të ujësjellësve ndaj gjithë njoftimeve për debi që nga maji e këtej, dhe pas një sërë takimesh, CEZ Shpërndarje nuk mund të tolerojë më borxhin prej 1.1 miliard lekësh të akumuluar nga ujësjellësit përgjatë këtyre muajve”, thuhet në deklaratën e CEZ-it. Kompania i është përgjigjur METE-s edhe lidhur me borxhin që çekët kanë ndaj KESH-it dhe OST-së, duke argumentuar se janë pikërisht borxhet e pashlyera ndaj saj ato që bëjnë të pamundur shlyerjen. “Kompania dëshiron të sqarojë se borxhi i akumuluar i ujësjellësve është një nga arsyet se pse CEZ Shpërndarje aktualisht nuk ka mundësi të paguajë të gjitha detyrimet që ka ndaj KESH-it dhe OST-së”, thuhet në reagimin e CEZ-it.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura