Kufiri me Greqinë, PD-PS bashkojnë votat te Siguria

May 19, 2012 | 12:27

Kreu i Komisionit të Sigurisë, Demi dhe ministri Nishani

Projektligji i propozuar nga Ilir Gjoni i kalon Kuvendit për miratim.

Pas Komisionit të Ligjeve, edhe Komisioni i Sigurisë ka miratuar me konsensus propozimin e PS-së për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë. Në një mbledhje që nuk zgjati më shumë se 30 minuta, ku merrnin pjesë edhe ministrat Nishani, Imami dhe Haxhinasto, deputetët e maxhorancës dhe të opozitës miratuan projektligjin, i cili i ka kaluar seancës parlamentare dhe, sipas të gjitha gjasave, do të votohet të enjten e ardhshme. Sipas propozuesit të këtij amendamenti, Ilir Gjoni, pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese e marrëveshjes dypalëshe me Greqinë, Shqipëria kishte ngelur pa kufij detarë. Kjo shërbeu edhe për një sërë incidentesh me peshkatarët shqiptarë në jug. “Ne nuk mund të bëjmë sikur nuk dimë që potencialisht dhe ligjërisht vendi ynë kishte ngelur pa kufij. Për të kaluar te disa raste sporadike që ne përmes mediave jemi vënë në dijeni, për cenim të ujërave tona territoriale apo moslejim të ushtrimit të funksioneve apo veprimtarive ekonomike”, tha Gjoni. Nga ana tjetër, ministri i Brend-shëm, Bujar Nishani, u shpreh dakord me miratimin e këtij ndryshimi ligjor, duke rikthyer në fuqi një nen që ishte shfuqizuar katër vjet më parë. “Marrëveshja që u arrit me Greqinë është shfrytëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe deri në negocimin e një marrëveshjeje tjetër, ne jemi plotësisht dakord që të rikthehet ai parashikim i kufirit kryesisht detar që ka qenë në ligjin e 2001-s. Autoritetet e kufirit kanë marrë menjëherë kontakt me personat, të cilët kanë pretenduar gjëra të tilla dhe nuk është identifikuar asnjë autoritet nga pala greke që të ketë marrë një masë të tillë, por pretendimi i qytetarëve shqiptarë që ushtrojnë aktivitetin e peshkimit ka qenë që gjatë udhëtimit për në Korfuz për t’u furnizuar me karburant kanë pasur kontakte me autoritetet”, tha Nishani.

Propozimi i Oketës
Deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa, propozoi që në projektligj të theksohet hyrja në fuqi menjëherë, dhe jo 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. “Gjykoj se në rast se këto konstatime janë të vërteta dhe nuk i vë në dyshim, besoj se hyrja në fuqi e ligjit duhet të jetë e menjëhershme”, tha Oketa.

Pashaj: Ligji nuk duhet të miratohet
“Ky Ligj nuk duhet të kalojë në Parlament, mbasi ai nuk ka përkufizuar vijat bazore, emërtimet e sakta të kepeve, koordinatat e saktë të vijëdrejtave bazë nga nis matja dhe llogaritje e vijës së mesme të Ngushtesës së Korfuzit, e cila për të dy shtetet është brenda 12 md ( miljeve detare) çka ka të bëjë edhe me mëvetësinë territoriale të të dy vendeve fqinjë. Emërtimet që janë dhënë janë ç’orientime të mëdha e të duken sikur i kanë hartuar ata që nuk kanë qenë kurrë në këtë vend dhe jo specialistë shqiptarë”, tha dje Koloneli Myslym Pashaj.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura