ELSA BALLAURI
Nëse flasim për mar rëdhëniet shqiptaro-greke, ato janë të shumëllojshme, por, me sa duket, akoma të paqarta për shumë qytetarë shqiptarë, po ashtu edhe për shumë qytetarë grekë. Marrëdhëniet me fqinjët janë të rëndësishme të njihen, madje edhe më shumë dhe më mirë se sa me vendet e tjera. Në rastin Shqipëri–Greqi sikur u mësuam të flasim me paragjykime dhe me një ngarkesë negative, edhe kur është rasti për këtë, edhe kur nuk kemi asnjë shkak. Po kështu ndodh edhe me grekët. Ndryshimi “i vogël” është se kur shqiptarët paragjykojnë, kjo ndodh me popullin, me njerëzit (e natyrshme dhe shumë normale sepse secili është i lirë të shprehë mendimin e tij), ndërsa me grekët paragjykimi ndodh dhe vjen edhe nga shteti grek (shumë më i shprehur ky se sa nga qytetarët e zakonshëm)… Do të mundohem ta sqaroj më tutje këtë logjikë. Nuk kam asnjë vëzhgim të aspektit historik, i cili do të kërkonte një shkrim më vete dhe përkushtim të gjatë. Shqetësimi i kësaj here është mbi historinë e dy qytetarëve shqiptarë që kanë dashur të udhëtojnë në shtetin grek si turistë dhe u është ndaluar kjo mundësi. Ingrid dhe Tasim Demi, dy mjekë të nderuar dhe qytetarë korrektë, banues në kryeqytet, një muaj më parë vendosën t’i kalonin pushimet në zonën e Pargës. Por ata nuk mundën të kalojnë dot kufirin në Qafën e Botës, autoritetet greke të kufirit i kthyen mbrapsht, madje edhe me një formular të plotësuar, ku e quanin z. Tasim Demi “person të rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendshme, për shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të Bashkimit Europian”. Arsyeja? Tasim Demi ka lindur në Paramithja, një fshat i Çamërisë. …Kushdo do të shqetësohej seriozisht – dhe kjo është pak… Kushdo do të revoltohej shumë. Bashkë me ta jam revoltuar unë, kolegët e mi dhe së bashku përgatitëm një deklaratë ku kërkojmë që çështja të sqarohet nga autoritetet greke dhe shqiptare. Jam e bindur që revoltohet çdo qytetar shqiptar, janë revoltuar edhe miqtë e mi grekë që punojnë ne Athinë dhe Selanik me organizatat e të drejtave të njeriut…. Por a është e mjaftueshme revolta jonë? A nuk duket pak si shumë ironike dhe tallëse mënyra se si shqiptarët nuk po e gjejnë dot strehën e shtetit të tyre, ose ajo strehë mbetet gjithmonë e çarë dhe pa gjasa për t’u riparuar? Sqarimi që mori çifti pasi u ankua në Ministrinë tonë të Jashtme ishte se ky është një problem i qeverisë greke, të cilët nuk lejojnë që në dokumentet tona të udhëtimit të shkruhen emrat e vendlindjes me emërtimet e vjetra greke. Pas këtij shpjegimi duket sikur çështja është tërësisht greke. I rikthehemi përsëri logjikës së shumëdiskutuar se Greqia ka rregulla jo shumë të iluminuara nga parime demokratike, rregulla që i dëmtojnë fqinjët. E, megjithatë, mendoj se ka edhe një përgjegjësi të përbashkët dhe jo çdo faj duhet të mbetet te dera e fqinjit. Të mos njohësh minoritetet, t’u shmangesh problemeve të vendit tënd, kjo është një çështje e Greqisë dhe një shembull jo i mirë që ajo jep në komunitetin europian. Por, të mbash një qëndrim indiferent dhe të mos luftosh për respektimin e personalitetit të qytetarëve të shtetit tënd, ky është problem i shtetit shqiptar – gjë që vazhdon të mos riparohet në këta 20 vjet demokraci. Pra ne ndodhemi përballë një Greqie qe mund ta ndalojë dhe ta penalizojë pa pyetur fare një shqiptar vetëm e vetëm se ai ka lindur në një vend që për grekët ka një ngarkesë politike dhe nacionaliste. Ajo që e ka bërë politikën greke të suksesshme në këtë aspekt është se psikologjia nacionaliste është shumë e fuqishme, aq sa kjo politikë nuk e ndan dot dashurinë e punonjësve të institucioneve greke për atdheun nga detyra që ata kanë për të lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe për të respektuar këtë të drejtë. Ne rastin e institucioneve shqiptare ka një pasivitet shumë të madh. Askush nga personat që mund të kthehen nga autoritetet greke të kufirit se nuk plotësojnë kërkesën për vendlindjen e duhur nuk është lajmëruar se ç’duhet të bëjë për ta evituar këtë gjë. Dhe ky është një detyrim i institucionit shqiptar. Duket sikur shteti shqiptar është mësuar me ato vuajtjet e mjera të shqiptarëve nëpër kufijtë e fqinjëve, për kalvarin e tyre të nënshtrimit, përulësisë pa kuptim, pritjeve pa asnjë shkak – të gjitha këto në nivelin e fyerjeve. Meqë qytetarët nuk kanë ngritur zërin e tyre për këto problem, qeveritë shqiptare nuk e kanë ditur dhe mësuar kurrë të vërtetën, ose në rastin më të keq, e kanë ditur dhe nuk kanë forcë të reagojnë. Gjithashtu, është shumë e çuditshme se si veprohet me shtetasit. Në rastin tonë, çifti Demi nuk di se ku të drejtohet, cili institucion do t’iu përgjigjet atyre për t’iu treguar se ç’duhet të bëjnë, ç’pasaportë duhet të përdorin, për çfarë arsye ata duhet të ndërrojnë vendlindjen dhe në emrin e cilës lloj demokracie bëhet kjo. Më shumë akoma se një fyerje ndaj tyre, këta qytetarë të rregullt dhe të ndershëm nuk gjejnë rrugëzgjidhjen. Shteti shqiptar mjaftohet vetëm me një shkresë të thatë, sikur të mos kishte të bënte me ta.











