Helikopterë sirianë kanë fluturuar në afërsi të kufirit me Turqinë për të vlerësuar nëse duhet të konsiderojnë ndonjë rrezik ushtarak. Menjëherë pas kësaj, gjashtë avionë luftarakë turq të tipit F16 u ngritën në fluturim. Sipas mediave turke, burime nga Ushtria thonë se nuk ka pasur shkelje të hapësirës ajrore siriane. Avionët u ngritën në fluturim vetëm për të kontrolluar kufirin. Deri tani nuk ka ndonjë përshkallëzim të situatës mes dy fqinjëve të armatosur rëndë, edhe pse në kufi vazhdon të ketë tension. Kryeministri Rexhep Tayip Erdogan ka paralajmëruar Damaskun të ketë kujdes nga zemërimi i Turqisë pasi Siria ka qëlluar një avion turk F4 më 22 qershor. “Çdo element ushtarak sirian që i afrohet Turqisë nga kufiri dhe përfaqëson një rrezik sigurie, do të vlerësohet si rrezik ushtarak dhe do të trajtohet si shënjestër ushtarake”, tha Erdogan në fjalimin e tij para Parlamentit. Mijëra trupa, blinda, avionë dhe helikopterë turq janë vendosur në lindje të Turqisë pas rrëzimit të avionit luftarak. Ndërkohë, liderët e opozitës siriane dhe diplomatët arabë kanë nisur të hënën një konferencë dyditore në Kajro për të diskutuar nëse Liga Arabe duhet të konsiderojë shtimin e presionit ndaj Sirisë së Presidentit Bashar Al Asad. Ndërsa u ka kërkuar figurave opozitare të bashkohen, kreu i Ligës Arabe, Nabil Elaraby, fajësoi Presidentin sirian për shkeljen e marrëveshjeve dhe preferencës së Asad për t’iu drejtuar zgjidhjes ushtarake, sesa asaj politike. Ai tha se ishte e pamundur të injoroje taktikat e rënda të regjimit të Asad kundrejt njerëzve. Ndërsa diplomati veteran palestinez Nasser El-Kidua, i cili është zëvendësi i të dërguarit special të OKB-së dhe LA për Sirinë, tha se komuniteti ndërkombëtar po punon për një zgjidhje politike.
Rebelët, më të qetë
Në kufi, luftëtarët rebelë janë më të relaksuar se sa në javët më parë. Forcat e Presidentit Bashar al-Asad janë tërhequr nga disa qytete dhe fshatra kufitare dhe nga qyteti Alepo. Nuk dihet qartë nëse kjo është një dobësi e tyre apo një taktikë për të relaksuar rebelët e për t’i sulmuar më pas.











