KUÇOVE- Vjedhin kapakun e pusetës, i rrezikohet jeta 60- vjeçares. Në orët e vona të së shtunës, në lagjen “Tafil Skëndo” në Kuçovë, persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur kapakun e pusetës kryesore të kanaleve të ujërave të zeza, me qëllim për ta shitur për skrap. Burime nga Bashkia bënë të ditur se kapaku një metër i gjerë dhe dy metra i gjatë, është vjedhur gjatë natës. Puseta ndodhet në mes të lagjes dhe ajo përbën rrezik për banorët, kryesisht për fëmijët. Një prej të rrezikuarve ishte edhe banorja F. Naze, 60 vjeçe, e cila teksa ecte natën ka rënë brenda në pusetën me dimensione të konsiderueshme. Fatmirësisht, afër vendit të ngjarjes kanë qenë disa të rinj, të cilët e kanë nxjerrë gruan në një kohë mjaft të shpejtë. Veç frakturave dhe traumës së shkaktuar, ajo shpëtoi mrekullisht, por banorët bëjnë apel të ndërhyhet pasi jeta e tyre është në rrezik. d.xh











